Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka marrë të pandehur për herë të dytë ish-zv.kryeministren dhe ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndërsa i ka komunikuar dhe akuzat e reja që rëndojnë ndaj saj.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Balluku përballet me pesë kategori veprash penale, që lidhen me shkeljet në tenderat publikë, korrupsionin, deklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Akuza kryesore është ajo e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, në bashkëpunim, e kryer në nëntë raste, ndërsa përveç kësaj, SPAK i ka komunikuar Ballukut akuzën e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, si dhe atë të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë.
Në dosje përfshihen edhe dy raste të dyshuara të mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive dhe interesave privatë.
Një tjetër akuzë lidhet me pastrimin e produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, në lidhje me dy pasuri të paluajtshme.
Njoftimi zyrtar
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot, më 20.10.2026, të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare për veprat penale të mëposhtme:
- “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
- “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
- “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
- “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
- “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme).
Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.
Po ashtu në SPAK është paraqitur edhe biznesmeni Pandeli Carapuli, bashkë me avokatin e tij, të cilit i është komunikuar akuza për ‘pastrim parash’.
Carapuli dyshohet se i dha ish zv. kryeministres, ryshfet një vilë luksoze në fshatin Gjilekë, Dhërmi, pasi Belinda Balluku e favorizoi në tenderin 1 milionë eurosh kur ishte drejtoreshë e Albcontrol. Për fshehjen e vilës Balluku përdori ish-futbollistin Igli Tare, i cili po ashtu është marrë person në hetim.
Më herët Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera te Unaza e Madhe dhe Tuneli i Llogarasë. Po ashtu ajo ka qenë nën hetim për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, vepra për të cilat u mor sot zyrtarisht e pandehur.
SPAK i sekuestroi Ballukut 2 vila, një në Dhërmi dhe një në Palasë, të cilat dyshohet se ishin fshehur nën emrin e ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.
Vilën në Palasë, e cila ishte një vilë super-luksoze, sipas hetimeve të SPAK, Balluku e kishte marrë në formë ryshfeti për dhënien e tenderave, në kohën kur drejtonte Autoritetin Civil.










Discussion about this post