Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të enjten, më 22 tetor, në një seancë plenare ku në rendin e ditës është përfshirë edhe një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Kërkesa vjen pas disa ditësh protestash të studentëve dhe të rinjve në Tiranë, të shoqëruara me tensione dhe akuza për dhunë policore ndaj protestuesve. Opozita kërkon përgjigje nga ministri lidhur me veprimet e forcave të rendit gjatë tubimeve.
Përveç interpelancës me ministrin e Brendshëm, në seancën e së enjtes janë parashikuar edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar gjithashtu një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe disa projektligje dhe marrëveshje, mes tyre ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe projektligji për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Një tjetër pikë është projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.
Seanca do të përmbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, sipas afateve të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.










Discussion about this post