Pedagogët vazhdojnë të mbështesin studentët në protestën e tyre, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe shpërndarjen e Parlamentit.
Edhe sot në orën 10:00 sërish pedagogët do të mblidhen përpara Universitetit Politeknik, nga ku do te marshojnë drejt kryeministrisë.
Një numër i lartë pedagogësh janë bërë bashkë për të shprehur solidaritetin me studentët dhe për të mbështetur kauzën e tyre.
Pedagogët kanë dënuar gjithashtu dhunën policore ndaj të rinjve gjatë ditëve të fundit të protestave, duke shprehur shqetësimin për mënyrën se si është menaxhuar situata.
Në mbështetje të kërkesave të studentëve, pedagogët kanë ndërmarrë edhe një nismë përmes një peticioni, ku bëhet thirrje që zëri dhe kërkesat e të rinjve të dëgjohen.
Më herët, edhe sindikata e pedagogëve ka reaguar publikisht për situatën e krijuar gjatë protestave studentore, duke shprehur shqetësimin për zhvillimet dhe duke dënuar atë që e cilëson si dhunë policore ndaj protestuesve.
Një ditë më parë, njëri prej pedagogëve, i kërkoi Presidentit të vendit, Bajram Begajt, të shpërndajë Parlamentin, pasi sipas tij, ky institucion nuk përfaqëson më interesin e tyre.
“Do t’i bëja thirrje Presidentit të Republikës që të shohë mundësinë që të shkrijë këtë Parlament, se nuk po e kryen misionin e vet. Pasuritë e shqiptarëve kanë përfunduar në xhepat e hajdutëve. Unë kam qenë deputet vetë. Kur deputeti shkon aty, bën një betim, por këta janë njerëz pa karakter. I bëj thirrje Presidentit që të shkrijë këtë Parlament!”, tha ai.
Protesta u zvillua në të njëtën kohë që po zhvillohej seanca plenare. Parlamenti mbylli punimet me urgjencë, pas tensioneve dhe përplasjeve mes deputetëve të PD dhe PS, ndërsa qytetarët qëndruan tek hyrjet e Kuvendit.
Pas disa orësh protestë përpara Kuvendit, të rinj, pedagogë dhe qytetarë marshuan drejt Rrugës së Elbasanit. Marshimi u zhvillua paqësisht, ndërsa pjesëmarrësit lëshuan thirrje kundër qeverisë. Protestuesit u zhvendosën nga Parlamenti para Kryeministrisë, ndërsa shprehen të vendosur për të vazhduar kauzën e tyre.










Discussion about this post