Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste.
Takimi është parashikuar të nisë në orën 09:30.
Mbledhja zhvillohet në një moment me zhvillime të rëndësishme politike, pas protestave të ditëve të fundit në Tiranë, ndërsa në axhendën institucionale është edhe shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin 2027 dhe paketës fiskale.
Vetëm gjysmë ore pas nisjes së takimit të Ramës, në orën 10:00, në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të prezantohet projektligji për Buxhetin 2027, së bashku me ndryshimet e propozuara në legjislacionin fiskal.
Paketa përfshin ndryshime në ligjet për akcizat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), taksat kombëtare, tatimin mbi të ardhurat dhe procedurat tatimore.
Pas prezantimit dhe diskutimit mes palëve, projektbuxheti dhe paketa fiskale pritet të kalojnë për shqyrtim në Kuvend, ku do të përcaktohet edhe forma përfundimtare e këtyre ndryshimeve.
Ndërkohë paketa e re fiskale dhe projekt-buxheti për vitin 2027 kanë shkaktuar një valë të gjerë kundërshtimesh nga shoqatat e biznesit, ekspertët e ekonomisë dhe opozita.
Projektligji parashikon rritjen e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17%, veprim që shoqatat e biznesit dhe opozita e cilësojnë si një goditje të rëndë për sipërmarrjet, rrezik për vendet e punës dhe nxitje të rritjes së çmimeve.
Shoqatat e biznesit, Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe përfaqësues të sektorëve të ndryshëm kanë ngritur alarmin se masat rëndojnë kostot e të bërit biznes në Shqipëri.
Sektori i turizmit ka kundërshtuar ndryshimet, përfshirë rritjen e TVSH-së për hotelet me 5 yje dhe agroturizmat (nga 6% në 10%), ndërsa transporti publik ka kërkuar heqjen e taksës së qarkullimit dhe akcizës së naftës.
Kryeministri Edi Rama ndërkohë ka hedhur poshtë kritikat, duke i cilësuar ato si të bazuara në dokumente të pjesshme pune, dhe ka mbrojtur paketën si pjesë të një buxheti rekord që kalon për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove, të cilin e konsideron si paketën më ambicioze për rishpërndarjen e rritjes ekonomike.










Discussion about this post