Gjykata e Posaçme e Apelit do të shqyrtojë sot, në orën 13:00, kërkesën e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Florian Kalaja, i cili do të vendosë nëse masa e sigurisë ndaj Hysenit do të vijojë të mbetet në fuqi apo do të ndryshohet.
Ish-drejtoresha e SHISH-it u la në masën “arrest shtëpie” më 21 shtator 2026, me vendim të Gjykatës së Posaçme, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Hyseni është nën hetim për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Sipas dyshimeve të SPAK, ajo i ka vënë në dispozicion Ergys Agasit informacione sekrete shtetërore.
Pas caktimit të masës së sigurisë, Hyseni u vetëdorëzua më 22 shtator në pikën kufitare të Morinës. Dy ditë më vonë, më 24 shtator, Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në fuqi masën e “arrestit shtëpiak”.
Pas më shumë se një muaji nën këtë masë sigurie, ish-drejtoresha e SHISH-it i është drejtuar Apelit të Posaçëm, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të shkallës së parë.










Discussion about this post