Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, ka denoncuar presionet e drejtuesve të disa universiteteve për të rikthyer studentët dhe pedagogët në auditore, me qëllim thyerjen e bojkotit në mbështetje të protestës studentore.
Kovaçi theksoi se bojkoti ka zgjatur afro tri javë, por për shkak të rrezikut për vitin akademik po shqyrtohet mundësia e kalimit në një bojkot të pjesshëm.
Ai kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se ky i fundit nuk bën asnjë përpjekje për të qenë një udhëheqës demokrat në kuptimin evropian të fjalës.
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve nënvizoi se studentët duhet të vijojnë organizimin dhe angazhimin e tyre, duke e konsideruar protestën edhe si një mundësi për krijimin e një lëvizjeje kombëtare studentore.
“Sindikata në përgjigje të protestës së studentëve, duke parë që auditorët de facto ishin bosh, sepse studentët donin të protestonin për kërkesat e tyre, mori një vendim për ta mbështetur me bojkot, në mënyrë që edhe pedagogët të përfshiheshin në këtë proces, në mbështetje të studentëve.
Natyrisht, nisur edhe nga fakti i dënimit të dhunës së ushtruar ndaj studentëve dhe të rinjve, ishte e logjikshme që pedagogët të dilnin në mbrojtje të tyre, për të realizuar procesin e një proteste që ne e mendojmë paqësore, si një e drejtë kushtetuese për realizimin e kërkesave të tyre.
Sa i përket kohëzgjatjes, unë them që i thonë tri javë thuajse bojkot. Natyrisht, kushtet janë që ta kenë mbajtur shumica, si universitetet e Shkodrës, Korçës, Elbasanit dhe Durrësit. Natyrisht, çështja e bojkotit është një proces vullnetar i profesoratit. Ne kemi anëtarësinë, nuk është një detyrim, por, natyrisht, profesorati duhet ta ndiejë që të mbështesë studentët në këtë proces.
E vërteta është se këtu ka prevaluar një debat sa i përket raportit nëse bojkoti është efikas në këtë protestë dhe në çfarë mase bojkoti është i vlefshëm, sa i përket ndihmës që mund t’i japë protestës, por edhe në raport me mundësitë e vitit akademik, pasi aktualisht jemi në javën e katërt thuajse të fillimit të tij dhe, si e tillë, një pjesë e studentëve janë kthyer në mësim.
Ajo që më shqetëson mua është përfshirja, në disa universitete, sidomos në rrethe, e disa drejtuesve, në mënyrë që të rikthejnë studentët apo pedagogët në auditore, duke bërë thjesht thyerjen e bojkotit dhe jashtë vullnetit të tyre, normalisht. Kjo është shqetësuese. Kështu që ne do të shikojmë, në këtë raport, një variant për të kaluar nga një bojkot i plotë në një bojkot të pjesshëm, ku bojkoti të jetë kryesisht brenda orareve që kanë protestat e studentëve, duke u dhënë mundësi atyre që mund të studiojnë të vijnë në mësim në mëngjes dhe pastaj, nga ora 13:00 deri në orën 15:00–16:00, pra të jetë një lloj zgjidhjeje e ndërmjetme, duke marrë parasysh edhe faktin që realisht është e vështirë të zgjatet pafundësisht një bojkot i plotë dhe total.
Kryeministri nuk bën asnjë përpjekje për të qenë udhëheqës demokrat në kuptimin evropian të fjalës. Në këtë sens, ndoshta një lloj reformimi, qoftë i lëvizjes dhe i angazhimit të studentëve, me këtë rast studentët mblidhen edhe bashkë dhe kanë mundësinë të angazhohen me njëri-tjetrin për të krijuar lidhje, pasi edhe ata kanë ofruar një mundësi për të pasur një lëvizje, Lëvizjen Kombëtare Studentore”, u shpreh ai.









Discussion about this post