GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Lajme Aktualitet

“Edi Rama dorëzo pushtetin”, shqiptaro-amerikani përballë SPAK: Zbatoni ligjin ose dorëhiquni

në Aktualitet
Kohë leximi: 5 min
A A
“Edi Rama dorëzo pushtetin”, shqiptaro-amerikani përballë SPAK: Zbatoni ligjin ose dorëhiquni
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Një grup qytetarësh janë mbledhur në protestë mesditën e kësaj të enjte, para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Protestuesit kanë zgjedhur të zhvendosin thirrjet e tyre përpara institucionit të drejtësisë, duke kërkuar përgjegjësi dhe reagim për zhvillimet më të fundit politike në vend, ku prej muajsh qytetarët kërkojnë largimin e Ramës dhe kastës së vjetër politike.

Me pankarta në duar dhe thirrjet “Edi Rama dorëzo pushtetin”. qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, ndërsa janë shprehur se revolta do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Qytetari shqiptaro-amerikan, në emër të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ka dalë në protestë para SPAK-ut, duke i kërkuar llogari kreut të institucionit, Klodjan Braho, për mungesën e hetimeve dhe rezultateve konkrete ndaj korrupsionit në nivelet e larta të qeverisë Rama dhe lidhjeve të dyshuara të politikës me krimin e organizuar.

Në një deklaratë të fortë, ai kërkoi hetimin e të gjithë zinxhirit përgjegjës, nga drejtorët dhe ministrat deri te kryeministri Edi Rama, duke ngritur pikëpyetje për aferat me fondet publike, grabitjen e pronave në Durrës, financimin e politikës nga grupet kriminale dhe dhunën policore ndaj protestuesve.

Qytetari shqiptaro-amerikan denoncoi gjithashtu përndjekjen dhe kërcënimet ndaj protestuesve dhe familjeve të tyre, ndërsa deklaroi se edhe familja e tij është viktimë e këtij sistemi, duke pretenduar se pronat e tyre janë përvetësuar nga grupe kriminale të mbrojtura nga funksionarë htetërorë.

“Shqipëria nuk mund të jetë një vend ku mafia financon politikën, politika mbron mafian dhe populli paguan faturën”, deklaroi ai, duke e mbyllur mesazhin me një thirrje të drejtpërdrejtë për kreun e SPAK-ut: “Zbatoni ligjin ose dorëhiquni!”

Pjesë nga deklarata:

Përshëndetje, të dashur shqiptarë,

Sot, në emër të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, po lexoj këtë deklaratë, e cila vjen si pasojë e një kërkese që i kemi dërguar Kongresit Amerikan dhe Senatit Amerikan gati 5 muaj më parë, për gjendjen politike në të cilën ndodhet Shqipëria, për gjendjen aktuale kur krimi dhe korrupsioni e kanë mbuluar këtë vend. Deri më sot, asgjë nuk ka ndryshuar dhe askush nuk është arrestuar apo proceduar penalisht.

Motoja e kësaj proteste është: Zbatoni ligjin ose dorëhiquni!

I nderuar zoti Braho,

Sot jemi mbledhur përpara godinës së SPAK-ut për të shprehur mbështetjen tonë ndaj luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por njëkohësisht për t’ju kërkuar llogari për mosveprimin ndaj zyrtarëve të korruptuar dhe grupeve kriminale që po shkatërrojnë të ardhmen e Shqipërisë.

Dhuna policore ndaj protestuesve paqësorë, që protestojnë prej më shumë se 150 ditësh, përndjekja dhe shantazhimi i familjeve të tyre, përdorimi i policëve të maskuar dhe pa shenja identifikimi, si dhe masat ligjore që ne i konsiderojmë represive ndaj kundërshtarëve të qeverisë Rama, kanë krijuar një klimë frike dhe pasigurie.

Kjo është një nga arsyet që sot nuk jemi aq shumë sa duhet të ishim, por ju siguroj se pas nesh qëndrojnë qindra mijëra shqiptarë që kërkojnë drejtësi dhe që ende shpresojnë te SPAK-u si institucioni që mund t’i japë fund pandëshkueshmërisë.

I nderuar zoti Braho,

Unë jam një qytetare amerikane me kombësi shqiptare. Jam larguar nga Shqipëria gjatë diktaturës komuniste, kur njerëzit burgoseshin dhe ekzekutoheshin sepse mendonin ndryshe.

Jam larguar nga Shqipëria kur poeti Avzi Nela u var në litar, pas një vendimi ku figuron edhe firma e Kristaq Ramës, babait të Edi Ramës.

Dhe ja ku jam sot, pas gati 40 vitesh, duke përjetuar sërish dhunën, përndjekjen politike dhe shantazhet që unë i lidh me pushtetin e drejtuar nga djali i tij, Edi Rama.

Pas 35 vitesh, shqiptarët shpresuan në demokraci, drejtësi, barazi përpara ligjit dhe një të ardhme evropiane.

Por sot Shqipëria është përballë një realiteti dramatik: korrupsion masiv, krim i organizuar, institucione të kapura, prona të grabitura dhe grupe kriminale që dyshohet se financojnë politikën, kontrollojnë ekonominë dhe ndikojnë në vendimmarrjen shtetërore.

Shqipëria nuk mund të jetë një vend ku mafia financon politikën, politika mbron mafian dhe populli paguan faturën.

Zoti Braho,

Si taksapaguese shqiptare dhe amerikane, kam të drejtë t’ju kërkoj llogari. Institucioni juaj është mbështetur edhe nga taksat dhe ndihma amerikane, përfshirë trajnimin dhe forcimin e kapaciteteve të drejtësisë.

Prandaj, sot ju drejtoj publikisht disa pyetje:

Pse nuk hetohen dhe ndiqen penalisht të gjithë zyrtarët e korruptuar?

Pse zyrtarë të dyshuar për përvetësimin e qindra miliona eurove vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë, të administrojnë fondet publike dhe të nënshkruajnë koncesione e kontrata shtetërore?

Pse nuk hetohet i gjithë zinxhiri komandues, nga drejtorët dhe ministrat deri te kryeministri Edi Rama, për çdo aferë ku ekzistojnë indicie për përgjegjësi penale?

Pse nuk është hetuar deri në fund Blendi Gonxhja, lidhur me pretendimet për përdorimin e më shumë se 4 milionë eurove nga fondet e emergjencave civile për një aktivitet kulturor?

 

Nëse këto fonde janë shpërdoruar, pse nuk janë marrë masa ndaj tij dhe gjithë zinxhirit vendimmarrës?

Sot emergjencat civile përballen me mungesë zjarrfikësesh dhe pajisjesh, ambulancat nuk kanë mjetet e nevojshme dhe spitalet vuajnë mungesën e barnave.

Kur vidhen fondet e shëndetësisë dhe të emergjencave, nuk vidhen vetëm paratë e popullit, por rrezikohet jeta e tij.

Pse nuk hetohen drejtuesit e Policisë së Shtetit? Pse nuk hetohet përgjegjësia e drejtorit të Policisë së Shtetit dhe e drejtuesve që kanë urdhëruar apo toleruar dhunën ndaj protestuesve paqësorë?

Kush i ka autorizuar policët e maskuar, pa shenja identifikimi, dhe personat që dyshohet se veprojnë si militantë partiakë në radhët e policisë?

Kush mban përgjegjësi për qytetarët e dhunuar, për dëmtimet trupore dhe për kërcënimet ndaj familjeve të protestuesve?

Pse nuk hetohen pretendimet për lidhjet e drejtuesve të policisë me grupet kriminale dhe trafikun ndërkombëtar, përfshirë kontrollin e porteve, aeroporteve dhe kufijve shtetërorë?

Uniforma e policisë nuk është licencë për të dhunuar popullin. Policia duhet të mbrojë qytetarët, jo të mbrojë pushtetin nga qytetarët.

Pse nuk goditet mafia e pronave në Durrës?

Pse nuk hetohen deri në fund grupet kriminale që dyshohet se kanë grabitur pronat e shqiptarëve, kanë kërcënuar pronarët dhe familjet e tyre dhe kanë siguruar mbrojtje nga funksionarë të policisë, prokurorisë dhe gjykatave?

Pse nuk hetohen lidhjet e tyre me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrimin e parave?

Pse nuk hetohen paratë e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lidhur me qeverinë Rama, që dyshohet se investohen në biznese amerikane, përdoren në skema fajdeje dhe madje për financimin e individëve politikë dhe ndikimin në zgjedhjet amerikane?

Për këto pretendime kam paraqitur materiale dhe kallëzime. Kërkoj të sqarohet pse çështje të caktuara janë deleguar te prokuroritë e rretheve dhe nëse janë hetuar lidhjet me krimin e organizuar.

Pse nuk hetohet kapja e shtetit nga krimi?

Pse nuk hetohet financimi i partive politike nga grupe kriminale?

Pse nuk hetohen rastet kur ndryshimet ligjore, amnistitë dhe uljet e dënimeve dyshohet se favorizojnë interesat e krimit të organizuar?

Pse nuk hetohen zyrtarët që kanë përfituar pasuri të pajustifikuara nga korrupsioni?

Askush nuk mund ta përdorë parlamentin, policinë, prokurorinë apo gjykatat si mburojë për krimin.

Edhe familja ime është viktimë e këtij sistemi.

 

Zoti Braho,

Unë nuk flas vetëm si përfaqësuese e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, por flas edhe si një qytetare që ka përjetuar personalisht padrejtësinë.

Familja ime ka 5 vite pa furnizim me ujë.

Nëna ime detyrohet të jetojë me qira dhe me frikë, megjithëse ne kemi shtëpinë dhe pronën tonë.

Pronat tona, sipas kallëzimeve të mia, janë përvetësuar nga grupe kriminale të mbrojtura nga funksionarë shtetërorë.

Etiketa: qytetareRamaSpak

Lajme të lidhura

“Irani ka duart në bulevard”, Rama sulmon sërish protestuesit: Nuk ma imponon njeri dorëheqjen!
Aktualitet

“Irani ka duart në bulevard”, Rama sulmon sërish protestuesit: Nuk ma imponon njeri dorëheqjen!

13:34 - 05/11/26
E rëndë në Dibër! Elektricistin e zë shtylla poshtë teksa punonte dhe humb jetën (Emri)
Aktualitet

E rëndë në Dibër! Elektricistin e zë shtylla poshtë teksa punonte dhe humb jetën (Emri)

13:27 - 05/11/26
Komisioni Hetimor për fondet IPARD II, PD dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese
Aktualitet

PD çon në Kushtetuese rrëzimin e kërkesës nga ana e mazhorancës për hetimin e KAYO-s

13:15 - 05/11/26
Para
“Irani ka duart në bulevard”, Rama sulmon sërish protestuesit: Nuk ma imponon njeri dorëheqjen!

“Irani ka duart në bulevard”, Rama sulmon sërish protestuesit: Nuk ma imponon njeri dorëheqjen!

Discussion about this post

TË FUNDIT

“Irani ka duart në bulevard”, Rama sulmon sërish protestuesit: Nuk ma imponon njeri dorëheqjen!
Aktualitet

“Irani ka duart në bulevard”, Rama sulmon sërish protestuesit: Nuk ma imponon njeri dorëheqjen!

13:34 - 05/11/26

Pavarësisht se qytetarët, studentët dhe të rinjtë i kërkojnë dorëheqjen, kryeministri Edi Rama është i vendosur që të mos largohet,...

Lexo më shumë
“Edi Rama dorëzo pushtetin”, shqiptaro-amerikani përballë SPAK: Zbatoni ligjin ose dorëhiquni

“Edi Rama dorëzo pushtetin”, shqiptaro-amerikani përballë SPAK: Zbatoni ligjin ose dorëhiquni

13:29 - 05/11/26
E rëndë në Dibër! Elektricistin e zë shtylla poshtë teksa punonte dhe humb jetën (Emri)

E rëndë në Dibër! Elektricistin e zë shtylla poshtë teksa punonte dhe humb jetën (Emri)

13:27 - 05/11/26
Komisioni Hetimor për fondet IPARD II, PD dërgon çështjen në Gjykatën Kushtetuese

PD çon në Kushtetuese rrëzimin e kërkesës nga ana e mazhorancës për hetimin e KAYO-s

13:15 - 05/11/26
Gazment Bardhi pas shkarkimit të Veliajt: Sot ra simboli i korrupsionit, nesër vjen radha e të tjerëve

A e keni kërcënuar Erion Veliajn? Rama i shmanget pyetjes: Zhurma të parëndësishme…

12:56 - 05/11/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com