Lidhja mes Ergys Agasit dhe ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, sipas dyshimeve të Prokurorisë së Posaçme, nuk kufizohet vetëm te marrja apo dhënia e informacioneve, por mund të ketë edhe një komponent financiar.
Për këtë dyshim, burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se hetuesit kanë dërguar letërporosi në Kosovë dhe në Gjermani.
Sa i përket Gjermanisë, SPAK dyshon se vëllai i Vlora Hysenit, i cili dyshohet se përdor një identitet tjetër, ka kryer disa transferta të dyshimta, të cilat aktualisht po vlerësohen nga hetuesit.
Më konkretisht, prokurorët dhe agjentët e BKH-së kanë zbuluar një transfertë prej 450 mijë eurosh nga shoqëria “Fortis Beton” sh.p.k., e cila është anuluar më 27.02.2024. Transferta kishte si destinacion shoqërinë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH” dhe ishte kryer me përshkrimin “pagesë për kontratë huaje”, datë 26.02.2024.
Nga hetimet rezulton se përfaqësuesi i shoqërisë gjermane është Izet Dingler, vëllai i Vlora Hysenit.
Për këto transferta dhe marrëdhëniet e shoqërisë “Fortis Beton” sh.p.k., e përfshirë në dosjen e AKSHI-t, me shoqëritë gjermane, janë pyetur Ardit Sota dhe Genci Shima. Të dy kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për punimet dhe se nuk i njohin përfaqësuesit e shoqërive gjermane.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme parashtron se krijohen dyshime të arsyeshme se Ergys Agasi ka përdorur fondet e AKSHI-t për të korruptuar Vlora Hysenin.
Sipas SPAK-ut, anulimi i transfertës prej 450 mijë eurosh, më 27.02.2024, nuk e përjashton dyshimin për premtimin dhe pranimin e përfitimit të parregullt nga ish-drejtoresha e SHISH-it, në këmbim të dhënies së informacioneve sekrete të institucionit ndaj Agasit.
Më tej, Prokuroria e Posaçme parashtron se kjo skemë dyshohet se është përdorur nga personat nën hetim për të fshehur origjinën dhe natyrën kriminale të produkteve të veprës penale të korrupsionit, si dhe të përfitimeve të paligjshme nga prokurimet publike të AKSHI-t.
gijotina.com/










Discussion about this post