Kreu i PD, Sali Berisha, akuzoi institucionet e drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë (ILD), se sipas tij nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për të garantuar zbatimin e ligjit në rastin e gjyqtares Irena Gjoka.
Pasi doli nga SPAK, ku u pyet mbi kallëzimin ndaj Irena Gjokës, Berisha paralajmëroi padi edhe ndaj Ilir Rusit dhe Naureda Llagamit, ish-drejtues të KLGJ-së, si dhe drejtuesin e ILD-së.
“Pas Irenës çështje penale do të ngrihen ndaj Ilir Rusit, ose Llagamit kush ka qenë kryetar KLGJ, ndaj kreut të ILD, që bëjnë ping pong me njëri tjetrin. Dumani e ka të garantuar dhe unë vazhdoj këtë përpjekje. Kur ky sistem i ngritur me kushtetutë degradon në këtë shkallë, kjo është një praktikë pengmarrje”, tha kreu i PD.
Berisha ngriti akuza të forta ndaj Irena Gjokës, duke pretenduar se ajo ka pasur dy dëbime nga një vend fqinj, dy falsifikime dhe një dënim penal, të cilat, sipas tij, nuk janë pasqyruar në formularët përkatës.
“Ky kallëzim nuk ka asgjë personale, por ky kallëzim synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e njeriut. Që përbën turpin e zyrtarit. Që përbën turpin e juristit.
Turpin e gjykatësit. Ndëshkimin e një njeriu që arriti t’u bëjë në qafë kukumalen të gjitha institucioneve të drejtësisë të këtij vendi, të cilat u garantoj se njëlloj si Irena do të paditen për papërgjegjshmërinë e tyre në rastin e Irenës me 5 mbiemra.
Po pse Irena përbën turpin e njeriut, turpin e zyrtarit dhe punonjësit, turpin e juristit, të gjyqtarit e me radhë? Sepse Irena me katër mbiemra është person i cili ka të vërtetuara dy dëbime nga vendi fqinj. Ka të vërtetuara dy falsifikime. Ka të vërtetuar një dënim penal.
Ka të vërtetuar falsifikimet e të gjitha formularëve në të cilët kjo nuk i ka pasqyruar këto dënime. Formularit të dekriminalizimit, formularit të vetingut dhe formularit të emërimit si kryetare e gjykatës”, deklaroi Berisha.
Reagimi për emërimin e Esmeralda Hasanit në krye të SHISH
Berisha komentoi edhe emërimin e Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), duke e cilësuar atë si një figurë të ngjashme me ish-drejtoreshën Vlora Hyseni.
“Personalisht emrin e Esmeralda Hasanit e kam dëgjuar ditën që u emërua në krye të SHISH. Në këtë kuadër nuk e di se çfarë funksioni ka pasur. Ajo kur emërohet nga Edi Rama, është Vlora Bis, është simotra e Vlorës”, deklaroi Berisha.










Discussion about this post