Shqipëria e mbylli në mënyrën më të mirë edicionin e Ligës së Kombeve, duke fituar 0-2 ndaj Bjellorusisë në Budapest dhe duke siguruar vendin e parë në grup, ngjitjen në Ligën B dhe kualifikimin në fazën tjetër të kompeticionit.
Pas këtij suksesi ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Përmes një postimi në profilin e tij, kreu i FSHF-së ka përgëzuar futbollistët dhe stafin teknik për paraqitjet, karakterin dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij edicioni.
Duka e cilëson këtë rrugëtim si fantastik, duke veçuar si të vetmin rezultat të pamerituar humbjen në Helsinki ndaj Finlandës. Presidenti i FSHF-së vlerëson gjithashtu ndryshimin e dukshëm të Kombëtares në raport me paraqitjet e muajit qershor, ndërsa shpreh besimin se suksese të tjera do të vijnë në vazhdim.
Në fund të mesazhit, Armand Duka ndalet te arritjet historike të kuqezinjve: vendi i parë në grup, ngjitja në Ligën B, kualifikimi në fazën tjetër të Ligës së Kombeve dhe një rekord i ri prej 15 pikësh të grumbulluara dhe 12 golash të shënuar.
Reagimi
Sonte duhet vetëm të festojmë!
Një edicion fantastik i Nations League! Me përjashtim të humbjes në Helsinki, që për mua ishte e pamerituar, dua të falënderoj dhe të uroj çunat për paraqitjet e tyre, për karakterin e treguar në çdo sfidë, për dëshirën dhe vendosmërinë për të fituar, për dashurinë ndaj fanellës kuqezi dhe për përkushtimin nga minuta e parë deri në vërshëllimën e fundit.
Një falënderim dhe urim i veçantë edhe për stafin teknik, për përkushtimin dhe punën e bërë, që u reflektua në një Kombëtare më të fortë, më bindëse dhe me rezultate krejt të tjera nga ato të qershorit. Nga kjo skuadër presim të njëjtin karakter, të njëjtën dëshirë dhe të tjera suksese në vazhdim.
Sonte duhet vetëm të festojmë! Vendin e parë në grup, kualifikimin në fazën tjetër të Ligës së Kombeve, ngjitjen në Ligën B dhe një rekord të ri për Kombëtaren tonë: 15 pikë të grumbulluara dhe plot 12 gola të shënuar në një edicion të Ligës së Kombeve!
Urime Shqipëri, urime shqiptarë! Sonte duhet vetëm të festojmë!










Discussion about this post