Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti në një takim me përfaqësues të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) shqetësime për dhunën e policisë ndaj protestuesve dhe për trajtimin e qytetarëve në komisariate.
Në qendër të diskutimit ishin përdorimi i tepruar i forcës, shoqërimet në polici dhe respektimi i të drejtave të të miturve e të personave me aftësi të kufizuara.
Tabaku paraqiti shqetësimet pas vizitave në bllokun e sigurisë për ditë me radhë gjatë protestave të studentëve ku ajo dhe kolegët e PD-së kanë konstatuar drejtpërdrejt gjatë vizitave, ku kanë takuar protestues të arrestuar. Ajo e lidhi diskutimin për të drejtat e njeriut me rastet konkrete të trajtimit të tyre në ambientet policore.
Sipas deputetes, mbi 1 000 persona janë shoqëruar në polici, mes të cilëve 250 të mitur. Ajo tha se, në shumicën e rasteve, të miturit janë detyruar të firmosin një dokument pa praninë e prindërve apo të psikologut, duke e ngritur këtë praktikë si një shqetësim të veçantë për respektimin e të drejtave të tyre.
Një tjetër çështje që Tabaku parashtroi ishte trajtimi i personave me aftësi të kufizuara. Sipas saj, ka pasur raste kur këta persona janë arrestuar dhe mbajtur në qeli në kundërshtim me ligjin.
Për përdorimin e forcës gjatë protestave, Tabaku denoncoi përdorimin e plumbave të gomës në lartësinë e fytyrës së protestuesve. Ajo ngriti shqetësimin edhe për përdorimin e tepruar të gazit ndaj qytetarëve, duke theksuar se, sipas saj, ai është përdorur pa dallim.
Ajo theksoi se ligji i qeverisë kundër tubimeve është kundër konventave për të drejtat e njeriut dhe Kushtetutës së Shqipërisë!









Discussion about this post