Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, se është nënshtruar përballë korrupsionit të Belinda Ballukut, duke pretenduar se Prokuroria e Posaçme nuk ka kryer një hetim të plotë ndaj saj.
Sipas Bardhit, mosparaqitja e një kërkese të re në Kuvend për heqjen e imunitetit të Ballukut ka penguar kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore, përfshirë kontrollin personal, të telefonit dhe të banesës së saj.
Bardhi deklaroi sot se, nëse prokurorët do të kishin kryer këto kontrolle, mund të kishin zbuluar prova të tjera, përfshirë atë që ai e cilëson si rolin e kryeministrit Edi Rama në çështjen Balluku.
“Hetimi ka qenë i paplotë, se prokuroria nuk kërkoi heqjen e imunitetit të Ballukut në Kuvend. Nëse do t’i hiqte imunitetin, do të kishte në dorë të gjitha mjetet për të kryer hetim të plotë, për kontroll personal të Ballukut, të banesës, që do të gjente kutitë e kuqe me euro, që nuk e dimë ku janë”, deklaroi Bardhi.
Ai shkoi më tej, duke pretenduar se kontrolli i telefonit të Ballukut do të zbulonte edhe personin që, sipas tij, ka dhënë urdhrat për procedurat e tenderimit.
“Çfarë hetimesh kanë thelluar? Hetim është t’i bëjnë kontroll personal telefonit të Ballukut, por nëse e bëjnë, del urdhëruesi, Edi Rama”, u shpreh Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së kritikoi edhe qëndrimin e drejtuesit të SPAK lidhur me mosparaqitjen e një kërkese të re për arrestimin e Ballukut, pas shtimit të akuzave ndaj saj.
“Si mund të dalë një prokuror e të thotë që unë do ta lexoj ligjin me syzet e Taulant Ballës? Si mund të thotë që unë nuk kërkoj arrestimin e Belinda Ballukut, edhe pse zyrtarisht argumentet që Edi Rama ka dhënë në Kuvendin e Shqipërisë nuk kanë qenë ato të raportit të shumicës?”, deklaroi Bardhi.
Ai iu referua deklarimeve të kryeministrit gjatë shqyrtimit të kërkesës për imunitetin e Ballukut, duke pretenduar se Rama kishte argumentuar se ndaj saj nuk kishte akuza për korrupsion.
“Edi Rama ka thënë që nuk ka akuza për korrupsion, se po të kishte, mazhoranca nuk do ta pengonte arrestimin e Belinda Ballukut. Kur shtohet akuza për korrupsion, pse nuk vepron prokuroria?”, ngriti pyetjen Bardhi.
Një tjetër kritikë e tij lidhej me kutitë e kuqe me euro, të përmendura në materialet hetimore për Ballukun. Bardhi kërkoi të dijë nëse paratë janë sekuestruar dhe nëse do t’u kthehen qytetarëve.
“Na thanë që kanë përfunduar hetimet, por nuk na thanë për kutinë e kuqe me euro të Belinda Ballukut. A është konfiskuar, a është sekuestruar, a do t’u kthehen ato para shqiptarëve?”, u shpreh ai.
Sipas Bardhit, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur fotografi të këtyre kutive, por nuk ka sqaruar nëse shumat e pretenduara janë sekuestruar.
“Na i tregon me foto prokuroria, por s’na thotë që i ka sekuestruar ato para. Janë para të shqiptarëve”, deklaroi ai.
Bardhi ngriti pikëpyetje edhe për vlerën e pasurisë së dyshuar të Ballukut, duke e krahasuar me vlerën e procedurave të tenderimit që, sipas tij, janë objekt i hetimeve.
“Po si ka mundësi, me 1 miliard euro që ka paracaktuar tendera sipas prokurorisë Belinda Balluku, vlera e korrupsionit të saj qenka 1.8 milionë euro gjithsej? Kujt ia shesin këto?”, u shpreh ai.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së kundërshtoi gjithashtu pretendimin se hetimet janë thelluar, duke përmendur edhe dy vilat që ai thotë se i kishte denoncuar më parë.
“Kemi thelluar hetimet? Çfarë ka thelluar për dy vila, që ia kam thënë unë?”, deklaroi Bardhi.
Bardhi ngriti pikëpyetje edhe për hetimet lidhur me koncesionin e Aeroportit të Vlorës, duke iu referuar një dëshmie publike të biznesmenit Pacolli që, sipas tij, kishte fituar koncesionin.
“Na folën për hapje çështjeje me fraksion, çështje tjetër për Aeroportin e Vlorës. Aeroporti i Vlorës ka një dëshmi publike të biznesmenit që ka fituar koncesionin, që është thirrur në zyrë nga Balluku, i është komunikuar që do të fitojë tenderin në bashkëpunim me një kompani turke, madje ministrja ka guxuar të ndajë dhe aksionet mes biznesmenëve. Çfarë nevoje ka më shumë kjo për hetime?”, deklaroi ai.
Për Tunelin e Llogarasë, Bardhi kërkoi shpjegime mbi dëmin ekonomik prej 55 milionë eurosh që ai ia atribuoi përllogaritjeve të prokurorisë.
“Na tha prokuroria që ka dëm 55 milionë euro në Tunelin e Llogarasë? Ku shkuan 55 milionë euro, apo ia dha nga bujaria falas kompanive që fituan Belinda Balluku?”, u shpreh ai.
Ai përmendi gjithashtu udhëtimin e Ballukut në Ankara për takimin me kompaninë turke lidhur me projektin e Tunelit të Llogarasë, duke ngritur pyetje për rrethanat e këtij takimi.
Duke iu rikthyer veprimeve hetimore, Bardhi këmbënguli se Prokuroria e Posaçme nuk ka përdorur të gjitha mjetet për të zbardhur çështjen.
“Nuk guxuan të bënin kontroll banese Ballukut”, deklaroi ai.
Sipas tij, një hetim më i thelluar mund të kishte zbuluar edhe vendndodhjen e parave që ai retendon se lidhen me korrupsionin.
“Se po të hetonin, do të dilnin arkat e kuqe me euro, që duhet të jenë plot”, u shpreh Bardhi.
Ai kërkoi gjithashtu të dijë nëse kryeministri Edi Rama është marrë në pyetje nga prokurorët për çështjet e ngritura.
“A e pyetën Edi Ramën? Çfarë hetimesh kanë bërë këta? Apo çfarë u ka dalë përpara?”, deklaroi Bardhi.
Në përfundim, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi zbatimin e të njëjtave standarde hetimore për të gjithë personat, pavarësisht funksioneve të tyre.
“Përrallat t’ua shesin të tjerëve, por jo shqiptarëve. Shqiptarët kanë pritur zbatimin e standardit të njëjtë për të gjithë. Ligji është i barabartë për të gjithë dhe të zbatohet njësoj nga prokuroria”, u shpreh Bardhi.










Discussion about this post