Mazhoranca socialiste ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2027, pas një seance maratonë të shoqëruar me debate të ashpra mes përfaqësuesve të PS dhe opozitës.
Projektbuxheti mori 80 vota pro dhe 25 kundër, duke kaluar fazën e parë të shqyrtimit parlamentar.
Gjatë diskutimeve, deputetët e shumicës socialiste mbrojtën projektbuxhetin e hartuar nga qeveria, ndërsa përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan mënyrën e shpërndarjes së fondeve publike dhe prioritetet ekonomike për vitin e ardhshëm.
Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projektbuxhetit, deklaroi se masat e parashikuara synojnë uljen e kostos së jetesës, lehtësimin e barrës fiskale për shtresën e mesme dhe rritjen e mbështetjes për pensionistët dhe familjet në nevojë.
Nga ana tjetër, opozita e drejtuar nga Sali Berisha e kundërshtoi projektbuxhetin, duke pretenduar se ai është hartuar pa konsultime të mjaftueshme me qytetarët dhe bizneset dhe se nuk u përgjigjet nevojave të ekonomisë.
Në qendër të diskutimeve ishte edhe paketa fiskale që shoqëron projektbuxhetin, ku përfshihen ndryshime në tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Seanca parlamentare u zhvillua në një klimë të tensionuar politike, ndërsa një pjesë e deputetëve demokratë nuk morën pjesë në punime për shkak të masave disiplinore të përjashtimit.
Pas miratimit në parim, projektbuxheti i vitit 2027 do të rikthehet në komisionet parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara votimit përfundimtar në Kuvend.










Discussion about this post