Shefi i sigurisë kibernetike në Shtëpinë e Bardhë, Sean Cairncross, është larguar nga detyra, në një moment kur administrata amerikane po përballet me shqetësime të shtuara për sigurinë dhe funksionimin e infrastrukturës kritike teknologjike.
Lajmi është konfirmuar për Reuters nga një burim pranë Shtëpisë së Bardhë, ndërsa më herët Axios raportoi se Cairncross kishte planifikuar largimin e tij, me qëllim që administrata Trump të siguronte konfirmimin në Senat të pasuesit të tij përpara se demokratët të merrnin kontrollin në janar.
Në vend të tij pritet të emërohet Kirsten Davis, e cila deri së fundmi drejtonte sektorin e teknologjisë së informacionit në Pentagon.Largimi i Cairncross ndodh pas një jave të karakterizuar nga një seri problemesh teknologjike që prekën disa prej sistemeve më të rëndësishme në SHBA, përfshirë transportin ajror, sektorin bankar dhe shërbimet qeveritare.
Ndër incidentet më serioze ishte pezullimi i përkohshëm i fluturimeve në shkallë kombëtare, që preku mbi 18 mijë fluturime. Probleme u raportuan gjithashtu në shërbimet e Microsoft dhe në sistemet e bankës JPMorgan Chase.
Shqetësim të veçantë shkaktoi edhe ndërprerja e një rrjeti të klasifikuar komunikimi të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA). Sipas raportimeve, dyshohet se defekti erdhi si pasojë e një problemi teknik gjatë procedurave të planifikuara të mirëmbajtjes.
Megjithatë, pavarësisht numrit të incidenteve, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se deri më tani nuk ka prova që këto probleme të kenë lidhje me njëri-tjetrin apo të jenë shkaktuar nga sulme kibernetike dhe ndërhyrje të shteteve të huaja.
Sean Cairncross mori detyrën e drejtorit kombëtar të sigurisë kibernetike në gusht të vitit 2025. Në këtë funksion, ai ishte përgjegjës për koordinimin e strategjisë federale të sigurisë kibernetike dhe këshillimin e presidentit Donald Trump për çështjet që lidhen me mbrojtjen e sistemeve dixhitale amerikane.









Discussion about this post