Prokuroria e Vlorës ka kaluar në pronësi të shtetit nëntë pasuri të paluajtshme në zonën e Ujit të Ftohtë, me vlerë të përgjithshme rreth 16 milionë euro, pas hetimeve për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Pasuritë lidheshin me shtetasin P. P., të cilin gjykata e ka dënuar me shtatë vite burg për falsifikim dokumentesh dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 946 të vitit 2015, për njohjen dhe kthimin e një prone me sipërfaqe 32 mijë metra katrorë ishte përdorur një vendim gjyqësor i falsifikuar.
Pas regjistrimit të pronës në vitin 2009, personat e përfshirë kryen veprime juridike për ndarjen dhe tjetërsimin e saj, duke kaluar sipërfaqe të ndryshme në emër të personave të tretë. Sipas Prokurorisë, këto veprime synonin fshehjen e origjinës së paligjshme të pasurive.
Me kërkesë të organit të akuzës, gjykata vendosi konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të nëntë pasurive të paluajtshme, përfshirë pronën fillestare dhe sipërfaqet që rrjedhin prej saj.
Mes pasurive të konfiskuara përfshihen sipërfaqe prej 23.363 metrash katrorë, 7.932 metrash katrorë, 7.637 metrash katrorë, si dhe prona të tjera prej 1.126 dhe 1.000 metrash katrorë.
Njoftimi:
Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 milionë euro pasuri të paluajtshme tek ‘Uji i Ftohtë’, të përfituar me dokumente të falsifikuara
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë u konfiskuan dhe kaluan në pronësi të shtetit 16 milionë euro pasuri të paluajtshme të shtetasit P.P., i akuzuar për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 187/1 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procesimin penal nr.946/2015, rezultoi se në proceset gjyqësore dhe procedurat administrative për njohjen dhe kthimin e një pasurie 32.000m2 në zonën e ‘Ujit të Ftohtë’, Vlorë u përdor një vendim gjyqësor i falsifikuar. Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se pas përfitimit dhe regjistrimit të kësaj pasurie, janë kryer veprime juridike për ndarjen, tjetërsimin dhe kalimin e saj në emër të personave të tretë, me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të saj.
Në përfundim të hetimeve shtetasi P.P. u dënua me 7 vite burgim dhe me kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë dhe vendimin e gjykatës, u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:
– Pasuri e paluajtshme me sipërfaqe 32.000 m2 e regjistruar në vitin 2009 në favor të shtetasve K.Sh., M.Sh. dhe R.Sh. si dhe të gjitha pasurive që rrjedhin dhe derivojnë prej kësaj pasurie, konkretisht:
– Pasuria e paluajtshme nr.431;
– Pasuria e paluajtshme nr.404;
– Pasuria e paluajtshme nr.311;
– Pasuria e paluajtshme nr.312;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263 me sipërfaqe 23.363m2;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.264 me sipërfaqe 1000 m2;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.361 me sipërfaqe 7932 m2;
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.263/1 me sipërfaqe 1126.13 m2; dhe
– Pasuria e paluajtshme e regjistruar me nr.41.108 me sipërfaqe 7637 m2









Discussion about this post