Në një kohë kur prej muajsh studentë dhe të rinj kërkojnë largimin e tij, Edi Rama ka publikuar një video nga një takim me një grup të rinjsh, të cilët i prezanton si studentë që kanë rënë dakord të dialogojnë me të.
Në postimin e tij, Rama pretendon se ka zhvilluar një dialog me ta, por se kanë rënë dakord që debati të mos publikohet për momentin dhe të ndahen vetëm pamjet nga takimi.
Dukshëm një tjetër manovër manipulimi e Ramës, kjo pasi studentët e protestës kanë shprehur vazhdimisht se nuk ka dialog me kreun e qeverisë, vetëm dorëheqjen e tij të panegociueshme, madje ata kanë njoftuar dhe mbajtjen e një tjetër proteste më 28 nëntor në Tiranë.
Mbetet për t’u parë nëse ky takim do të ndikojë në qëndrimin e lëvizjes studentore apo do të mbetet thjesht një episod i veçuar, i propaganduar nga Rama si një hap drejt dialogut.
Studentët kanë protestuar prej muajsh dhe kanë refuzuar ftesat e mëparshme të kryeministrit për dialog. Në këto kushte, është e rëndësishme të sqarohet nëse grupi i takuar nga Rama kishte një mandat për të përcjellë kërkesat e protestës apo nëse pjesëmarrësit shprehën vetëm qëndrimet e tyre individuale.
Edhe përmbajtja e bisedës mbetet e panjohur. Çfarë u diskutua konkretisht në Pallatin e Brigadave? Cilat kërkesa u parashtruan dhe çfarë përgjigjesh apo zotimesh morën studentët? Rama shkruan se ishte dakord me “jo pak” nga shqetësimet e tyre, por nuk ka dhënë detaje se për cilat çështje bëhej fjalë.










Discussion about this post