Një adoleshent 16-vjeçar ka bërë publike pretendimet e tij për dhunë nga efektivët e policisë, pas shoqërimit në komisariat një natë më parë, në kuadër të zhvillimeve gjatë protestës në Tiranë. Në një prononcim për mediat, i mituri tregoi se ndodhej në një lokal pranë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, kur është identifikuar nga një efektiv policie. Sipas dëshmisë së tij, pak më vonë, 4-5 persona me rroba civile e kanë nxjerrë me forcë nga lokali dhe e kanë futur në një automjet policie.
16-vjeçari pretendon se dhuna ka nisur që në momentin kur është futur në makinë, ku efektivët e kanë goditur në kokë dhe e kanë fyer. Ai thotë se goditjet kanë pushuar pasi u ka bërë të ditur policëve se ishte i mitur. Adoleshenti rrëfen gjithashtu se në komisariat është gjobitur me 5 milionë lekë të vjetra, pasi dyshohet se ka hedhur lëndë piroteknike në drejtim të policisë.
Ai e mohon këtë akuzë, duke pranuar se kishte një kapsollë me vete, por këmbëngul se nuk e ka përdorur. Gjatë dëshmisë, 16-vjeçari u shpreh se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga protestat, pavarësisht gjobës dhe asaj që pretendon se ka përjetuar në komisariat.
Djali 16-vjeçar: Më futën në makinë dhe më kanë gjuajtur. Dhe më shanin. Gjuanin në kokë. Edhe shanin shumë. Nuk flisja më pyetën për moshën, i thashë jam 16 vjeç. Gjuajtën dhe një herë dhe nuk më gjuajtën më. Asgjë nuk bëra. Më panë vetëm se kisha pantallona të kuq. Kapsollën e kisha por nuk e hodha. Kapsolli im s’ka plas asgjë. nga ato të kuq. Në komisariat më shanin, nuk më kanë goditur. Edhe herës tjetër kur kapën shokët. I rrahën në makinë. I pashë atje. Dal për të drejtat e mia dhe të gjithë shqiptarëve. Me këtë shtet që vetëm vjedh. Gjysmat e studentëve i kanë bërë kriminelë. Dal për të drejtat e mia për të rrëzuar këtë qeveri. Duam një shtet pa vjedhje, që të mos korruptohet. Baba im punon saldator, nëna nuk punon. Kam tre motra më të vogla. Mundësi nuk kam ta paguaj por edhe nëse do i kisha nuk do paguaja. Nuk frikësohem prandaj kam dalë prapë sot
gijotina.com/










Discussion about this post