GIJOTINA
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti
Nuk ka rezultat
View All Result
GIJOTINA
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Breaking Views

“Me 2 miliardë lekë nuk ndërtojmë dot as një fushë futbolli”/ Presidenti i FSHF, Armand Duka kundërshton ligjin e sponsorizimit

në Breaking Views, KRYESORE, Sport, Të fundit, Të Gjitha
Kohë leximi: 12 min
A A
“Me 2 miliardë lekë nuk ndërtojmë dot as një fushë futbolli”/ Presidenti i FSHF, Armand Duka kundërshton ligjin e sponsorizimit
Facebook Twitter LinkedIn WhatsApp

Në një intervistë për gazetarin Endi Tufa të Top Channel, kreu i FSHF-së vlerëson punën e trajnerit Rolando Maran, shpreh kënaqësinë për ndryshimin e lojës së kuqezinjve, por evidenton edhe një mangësi në këtë edicion: aktivizimin e pamjaftueshëm të futbollistëve të rinj.

Duka nuk e cilëson vendin e parë në grup si një sukses të jashtëzakonshëm, por si përmbushje të objektivit të vendosur. Ai falënderon futbollistët, stafin dhe tifozët për mbështetjen, duke kujtuar edhe ndeshjen me San Marinon, ku pavarësisht pritshmërive për një interes më të ulët, mbështetja nga tribunat vazhdoi deri në fund. Megjithatë, presidenti i FSHF-së mendon se stafi teknik mund të kishte shfrytëzuar më shumë këtë edicion për të provuar lojtarë të rinj, në mënyrë që Shqipëria të kishte alternativa shtesë për kualifikueset e ardhshme të Europianit.

“Objektiv i realizuar, por jo një sukses i jashtëzakonshëm”

Duka e konsideron Ligën e Kombeve një edicion të suksesshëm, pasi Kombëtarja arriti objektivin për të përfunduar në vendin e parë. Ai falënderon lojtarët, stafin dhe tifozët për përkushtimin, por pranon se mund të ishte bërë më shumë në drejtim të aktivizimit të futbollistëve të rinj.

“Objektiv i realizuar, se sa i mirë, por jo një sukses i jashtëzakonshëm. A ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë? Padyshim. Ajo që mendoj që mund të ishte bërë më mirë, mund të kishte mbase një aktivizim më shumë të futbollistëve më të rinj, më me pak eksperiencë, për të përgatitur një numër më të madh zgjedhjesh për kualifikueset e Europianit.”

“Me fillimin e ndeshjeve zyrtare gjërat ndryshuan”

Emërimi i Rolando Maranit nuk u shoqërua fillimisht me shumë entuziazëm. Dy ndeshjet e para miqësore ngritën pikëpyetje edhe për vetë presidentin e FSHF-së, i cili pranon se në atë moment kishte dyshime nëse trajneri italian do të arrinte ta çonte përpara projektin e tij. Situata ndryshoi me nisjen e ndeshjeve zyrtare, kur Shqipëria tregoi një futboll më të mirë, më agresiv dhe më sulmues.

“Emërimi i trajnerit aktual të ekipit kombëtar, Maran, është menduar mbase jo si zgjedhje duhet në fillim dhe paraqitja e ekipit në dy ndeshjet e para miqësore ka vënë pikëpyetje edhe mbi mua, si edhe mbi të gjithë ata që kanë parë ndeshjen miqësore, mbase dhe mbi vetë trajnerin, nëse vërtet mund ta çojë përpara këtë projekt. Por rezultoi që me fillimin e ndeshjeve zyrtare gjërat ndryshuan. Ekipi vërtet pati një paraqitje të mirë, një futboll më të mirë.”

Duka thekson se besimi te Marani nuk ishte rastësor dhe se ai e kishte shprehur që në ditën e parë bindjen se Shqipëria do të luante një futboll më të bukur dhe më ofensiv.

“E kam thënë që ditën e parë që pavarësisht rezultatit që nuk vjen gjithmonë, jam i sigurt që me këtë trajner ne do shohim një futboll të bukur. Do shohim një Shqipëri më agresive dhe më sulmuese apo ofensive. Dhe besoj këtë e kemi parë gjatë edicionit.”

“Më shumë të rinj mbase mund të kishin futur”

Një nga pikat ku presidenti i FSHF-së mendon se Kombëtarja mund të kishte bërë më mirë është aktivizimi i futbollistëve të rinj. Shqipëria, sipas tij, ndodhet në një moment tranzicioni, pasi disa prej lojtarëve që për vite me radhë kanë qenë liderë të skuadrës janë në një fazë më të avancuar të karrierës. Për këtë arsye, Duka mendon se duhej t’u jepej më shumë hapësirë alternativave të reja, duke përmendur në mënyrë të veçantë futbollistët e ekipeve U21 dhe U19.

“E thashë dhe në fillim. Më shumë të rinj mbase mund të kishin futur, dhe ne kemi realisht futbollista të rinj vërtet me kualitet shumë të mirë si në ekipin kombëtar të 21-vjeçarëve, po edhe në ekipin kombëtar të 19-vjeçarëve, të cilët bënë një paraqitje shumë të mirë në kualifikuese të Europianit në Qipro me dy fitore nga katër me zero. Kështu që mbase mund të ishin afruar këto emra, po thashë, siç thashë, për të pasur më shumë alternativa për të ardhmen.”

Megjithatë, Duka nuk e sheh si problem moshën e futbollistëve që vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës. Për sa kohë kanë mundësi të kontribuojnë, ata duhet të vazhdojnë të jenë pjesë e Kombëtares.

“Nuk është se më shqetëson fakti që disa nga futbollistët janë në një moshë, mbase domethënë relativisht të madhe për futboll. Por në ekip kombëtar për sa ke mundësi, për sa ke, le të themi, fuqi për të kontribuar, duhet të vazhdosh. Dhe ata pavarësisht moshës, po kontribuojnë në mënyrë fantastike.”

“Kemi pasur rezultate pozitive me të gjitha ekipet kombëtare”

Në fund të intervistës, kreu i FSHF-së ndalet te rezultatet e të gjitha ekipeve kombëtare gjatë muajit nëntor, të cilin e cilëson një periudhë shumë pozitive për futbollin shqiptar. Nga U15, që mori pjesë në Festivalin Botëror në Azerbajxhan, te U17 dhe U19, Duka veçon rezultatet e arritura në këtë periudhë. Përfaqësuesja U15 fitoi tetë nga nëntë ndeshjet dhe u rendit në vendin e 17-të mes 181 skuadrave pjesëmarrëse. Ndërkohë, U19 regjistroi dy fitore bindëse 4-0 ndaj Qipros dhe Armenisë, ndërsa U17 siguroi kualifikimin në Elite Round.

“Jo, jo miqësore, kjo në fakt kemi pasur rezultate pozitive me të gjitha ekipet kombëtare në nëntor. Pothuajse i kemi fituar të gjitha, duke filluar që nga festivali botëror i 15-vjeçarëve në Azerbajxhan, ku ekipi i 15-vjeçarëve nga nëntë ndeshje fitoi tetë dhe nga 181 skuadra u rendit e 17-ta. Ekipi i 19-vjeçarëve fitoi dy ndeshjet e kualifikueseve kundër Qipros dhe Armenisë me rezultat bindës nga 4-0. 17-vjeçarët gjithashtu janë kualifikuar për në Elite Round, kështu që vërtet kanë qenë rezultate të mira që na kanë kënaqur të gjithëve dhe na kanë bërë që të jetojmë një nëntor të bukur.”

Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka,  ka shpalosur kundërshtitë dhe propozimet konkrete të FSHF-së për projektligjin që po diskutohet.

Kreu i futbollit shqiptar e vlerëson si një hap pozitiv faktin që pas më shumë se 10 vitesh diskutimesh, ligji ka mbërritur në tryezën e institucioneve, por kërkon ndërhyrje të rëndësishme përpara miratimit përfundimtar. Sipas tij, kufiri prej 2 miliardë lekësh është shumë i ulët dhe duhet të pesëfishohet, ndërsa kontrolli i sponsorizimeve nga institucionet shtetërore nuk duhet të kthehet në një pengesë paraprake për financimin.

Duka ngre gjithashtu shqetësimin se projektligji nuk garanton se sa para do të shkojnë konkretisht për futbollin dhe infrastrukturën sportive. Për ta ilustruar këtë, ai sjell edhe koston e ndërtimit të një fushe futbolli, që sipas tij arrin në rreth 400 mijë euro. Në argumentet e tij, presidenti i FSHF-së zbulon edhe një shifër domethënëse: ndikimi i sportit në ekonominë shqiptare arrin afërsisht 70 milionë euro në vit. Për këtë arsye, ai kërkon që një pjesë e kësaj vlere t’i rikthehet sportit, nëpërmjet investimeve për fëmijët, fushat dhe palestrat.

“Ligji duhet të jetë funksional, nuk duhet të pranojnë nëse ka hile nga burokratët”

Prej më shumë se një dekade, Federata Shqiptare e Futbollit kërkon ndryshime ligjore që do të ndihmonin zhvillimin e sportit në vend. Armand Duka e konsideron pozitiv faktin që projektligji i sponsorizimit dhe donacioneve është tashmë në diskutim parlamentar dhe vlerëson mbështetjen që ka marrë nga përfaqësues të krahëve të ndryshëm politikë.

Megjithatë, ai kërkon që nisma të mos mbetet vetëm një hap formal, por të shndërrohet në një mekanizëm që funksionon realisht për sportin. Në këtë pikë, Duka ngre edhe shqetësimin për ndërhyrjet e mundshme burokratike në draftin aktual.

“Por tashmë ky ligj, nëse kemi sensin pozitiv, duhet ta bëjmë funksional. Ne kemi vërejtje për atë ligj. Edhe ata që kanë sensin pozitiv, që kanë diskutuar në komision parlamentar me shumë dashuri kryesisht për futbollin, duhet të mendojnë se si të jetë funksional dhe jo si përfaqësor. Nuk duhet të pranojnë nëse ka hile në thonjëza nga dikastere, ministri apo burokratë të aparatit shtetëror.”

Një nga kundërshtitë kryesore të presidentit të FSHF-së lidhet me mënyrën se si duhet të funksionojë sponsorizimi. Sipas tij, biznesi duhet të ketë mundësi të financojë sportin në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke e konsideruar këtë financim si një alternativë për pagesën e tatimit dhe jo si një kosto shtesë.

“E para: ligji dhe objektivi është që biznesi dhe sporti, apo biznesi dhe arti, në mënyrë të pavarur të krijojnë një marrëdhënie për të ndihmuar zhvillimin e sportit, por si një pagesë alternative e tatimit dhe jo si një shpenzim për biznesin. Ligji duhet të thotë në mënyrë taksative, eksplicite kështu siç po them, që kjo është një mënyrë alternative e pagesës së tatimit, që biznesi të jetë i sigurt për atë financim që jep.”

Një tjetër pikë ku Duka kërkon ndryshim është kontrolli institucional. Ai nuk kundërshton verifikimin e sponsorizimeve dhe zbatimin e kritereve ligjore, por kërkon që kjo të bëhet pasi financimi të jetë kryer dhe jo përpara tij. Sipas tij, klubet dhe bizneset nuk duhet të detyrohen të marrin autorizime paraprake nga ministria.

“Unë nuk them që të ketë anarshi; padyshim që këto duhen kontrolluar sipas kritereve që do vendosen, por pasi të ndodhi. Dhe jo më parë që të ketë nevojë për të shkuar për të marrë autorizim. Çfarë autorizimi do të kërkojë një klub futbolli që ky është një aktivitet publik? Dihet që Partizani është klub futbolli dhe aktivitet publik. Pse duhet të shkojë tek ministria sponsorizuesi dhe i sponsorizuari?”

Duka e argumenton kundërshtimin e tij duke sjellë si shembull edhe mënyrën se si kontrollohen transaksionet në biznes, ku verifikimi bëhet pasi ato kryhen.

“Domethënë t’i heqim këto burokraci dhe të kontrollojmë zbatimin e ligjit në momentin që ndodh, siç kontrollojmë në çdo aktivitet tjetër. Edhe biznesi nuk kontrollohet para se të kryejë transaksionin financiar, por kontrollohet mbasi kryhet transaksioni financiar, nëse është në përputhje me ligjin apo jo. Kjo është shumë e rëndësishme. Se nëse kjo do jetë një gjë e komanduar dhe e kontrolluar nga aparati burokratik shtetëror, nuk kemi bërë asgjë.”

“2 miliardë lekë janë shumë pak”, FSHF kërkon pesëfishimin e fondit

Kritika më e fortë e presidentit të FSHF-së lidhet me kufirin financiar të parashikuar në projektligj. Duka e konsideron shumën prej 2 miliardë lekësh të pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e sportit dhe artit në Shqipëri. Ai thekson se ky fond duhet të jetë pesë herë më i lartë dhe sjell si shembull edhe klubet e vogla, të cilat mund të mbeten pa mundësi financimi nëse shuma e parashikuar shterohet.

“E dyta dhe shumë e rëndësishme: ligji parashikon që të vërë një limit, dhe limiti është jashtëzakonisht shumë i vogël, 2 miliardë lekë. Ç’do bëjë i gjithë sporti dhe arti me 2 miliardë lekë? Dhe pastaj, kur ky 2 miliardë lekë fillon dhe shpërndahet, kur të shkojë klubi i Ersekës për t’u sponsorizuar, do ta gjejë zero. Nuk është e rëndësishme vetëm një klub profesionist, Tirana, Partizani, Dinamo apo Teuta; është i rëndësishëm i gjithë futbolli shqiptar, të gjitha akademitë.”

Krahas rritjes së fondit, Duka kërkon që ligji të përcaktojë qartë edhe një pjesë të garantuar të sponsorizimeve për infrastrukturën sportive. Ai sjell si shembull koston e ndërtimit të një fushe futbolli dhe ngre pikëpyetjen se çfarë investimesh konkrete mund të realizohen me shumën aktuale.

“Kështu që ne kërkojmë që të ketë një limit shumë më të lartë, pesë herë më të lartë. Dhe ligji duhet të parashikojë që një pjesë e mirë e këtyre sponsorizimeve duhet të shkojnë për infrastrukturë. Çfarë infrastrukture sportive mund të bëjmë ne me 2 miliardë lekë gjithsej, kur nëse do t’i, sa do shkojnë te arti, sa do shkojnë te sportet e tjera? Me ato që do ngelen për futbollin nuk bëjnë dot një fushë futbolli, se një fushë futbolli kushton 400.000 euro.”

Presidenti i FSHF-së kërkon që futbolli të ketë një pjesë të sigurt të këtij mekanizmi dhe paralajmëron se, nëse nuk përcaktohen qartë destinacionet e fondeve, ato mund të përfundojnë në aktivitete të tjera.

“Kështu që futbolli duhet të ketë një gjë të sigurt. Sa nga ky ligj, nga ky mekanizëm do të shkojnë për futbollin? Sepse po i lamë kështu, mbase do shkojnë për koncerte, për fushata elektorale e të tjera me radhë. Dhe ligji duhet të mendojë se si të funksionojë dhe jo se si të kontrollohet.”

“Një pjesë duhet t’i kthehet sportit”, ndikimi ekonomik arrin 70 milionë euro

Një tjetër argument i rëndësishëm që presidenti i FSHF-së përdor në mbështetje të kërkesave të tij është ndikimi ekonomik i sportit. Sipas shifrave që ai prezanton, aktiviteti sportiv gjeneron rreth 70 milionë euro ndikim në ekonominë shqiptare gjatë një viti. Duka kundërshton perceptimin se sporti kërkon thjesht të përfitojë para nga buxheti i shtetit dhe thekson se kërkesa është që një pjesë e kontributit të tij ekonomik të rikthehet për zhvillimin e sektorit.

“Ndikimi i sportit në ekonominë e vendit në një vit është afërsisht 70 milionë euro. Dhe unë nuk po kërkoj që futbolli t’i marrë nga buxheti këto 70 milionë euro, po të kthejë një pjesë të tyre. Dhe jo ta kthejë as për luks, as për kënaqësitë e kërkujt, po për të ardhmen, për futbollin e fëmijëve, për fushat, për palestrat e për gjithçka tjetër.”

Në këtë pikë, Duka i drejton edhe një thirrje Ministrisë së Financave që ta shohë sportin si një aktivitet me kontribut të konsiderueshëm ekonomik dhe jo si një sektor që kërkon të përfitojë nga buxheti i shtetit.

“Draftet janë ndryshe nga propozimet që ramë dakord në tavolinë”

Në fund të intervistës, kreu i FSHF-së konfirmon se Federata ka paraqitur propozime konkrete për ndryshimin e projektligjit, duke angazhuar ekspertë vendas dhe të huaj për përshtatjen e tij. Megjithatë, Duka shpreh shqetësimin se drafti aktual nuk përputhet me propozimet për të cilat palët kishin diskutuar dhe rënë dakord gjatë konsultimeve.

“Padyshim që kemi kërkuar, kemi çuar ekspertët më të mirë të vendit dhe jashtë vendit për ta përshtatur ligjin. Draftet janë ndryshe nga propozimet që ramë dakord në tavolinë. Uroj që mos shkojë kështu deri në fund dhe të bëhet çfarë është më e mira për sportin.”

Mesazhi i presidentit të FSHF-së është i qartë: miratimi i ligjit është një hap pozitiv, por suksesi i tij do të matet nga mundësitë reale që do t’i japë sportit shqiptar për t’u financuar dhe zhvilluar, jo nga mekanizmat burokratikë që do ta shoqërojnë.

Nderkaq, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zbuluar preferencat e Shqipërisë për të dyja shortet. Për përfaqësuesen U21, ai nuk sheh një kundërshtar më të favorshëm, duke vlerësuar nivelin e lartë të skuadrave pjesëmarrëse.

“Unë kam parë skuadrat edhe, edhe pozicionimin se ku do të jetë skuadra jonë, dhe është shumë e vështirë që të zgjedh se kë nga ata mund të mendosh që mund ta kemi më të lehtë. Janë të gjitha skuadra në një nivel shumë të lartë sportiv, me, me eksperiencë dhe histori rezultatesh shumë të mirë, kështu që ajo që duhet të uroj është që të përgatitet dhe ekipi sa më mirë për çdo lloj kundërshtari që do sjellë shorti. Nuk mund të shpreh ndonjë dëshirë që mund të sjelli ai shorti i 21-vjeçarëve”, u shpreh Duka.

Ndryshe është situata për Kombëtaren A. Shqipëria ndodhet në vazon e tretë dhe, mes mundësisë për të qenë pjesë e një grupi me katër ose pesë skuadra, preferon variantin e parë. Një grup me katër ekipe do të niste kualifikueset në muajin shtator, duke i dhënë kuqezinjve mundësinë të shfrytëzojnë periudhën e mëparshme për përgatitje dhe katër ndeshje miqësore.

Duka shpjegon se kjo mundësi lidhet edhe me faktin që Shqipëria nuk do të luajë në mars ndeshje play-off të Ligës së Kombeve, pas vendit të parë të siguruar në grup.

“Do jenë gjysma e grupeve me pesë ekipe dhe gjysma me katër. Katër ekipet më të forta do jenë me katër skuadra dhe ato që janë me katër skuadra do i fillojnë kualifikueset në shtator. I thashë këto për me thënë që mbase, nëse do jemi me katër skuadra dhe fillojmë në shtator, është diçka më mirë sepse kemi kohë, duke qenë që ne nuk kemi për të luajtur ndeshje play-off-i në mars për Nations League si rezultat i renditjes së parë, kemi kohë për të zhvilluar katër ndeshje miqësore deri në shtator”, deklaroi presidenti i FSHF-së.

Megjithatë, ky skenar ka edhe një kosto sportive. Në grupet me katër skuadra do të jetë një prej përfaqësueseve më të forta të Europës, çka e bën më të vështirë rrugëtimin drejt fazës finale. Pavarësisht kësaj, Duka e shpreh qartë dëshirën e tij për shortin në Belfast: “Kështu që i uroj të bimë me katër skuadra, po kjo me katër skuadra ka një të keqe tjetër sepse një nga ato të katërta është nga top skuadrat e Europës”.

Armand Duka, ka zbuluar detaje për përpjekjet e Federatës për ta bindur Brajan Grudën te luaje me Kombetaren tone, duke theksuar se dëshira për ta pasur në radhët e kuqezinjve ka qenë e madhe.

Duka vlerëson cilësitë e futbollistit dhe kujton se Gruda ka spikatur prej kohësh me përfaqësueset e moshave të Gjermanisë, përfshirë edhe atë U21. Kreu i FSHF-së konfirmon se Shqipëria ka tentuar ta afrojë, por zgjedhja e tij ka qenë e qartë.

“Padyshim që duke qenë shqiptar me prindër shqiptarë, pavarësisht se i lindur në Gjermani, kemi pasur shumë dëshirë ta kemi në skuadër, kemi provëzuar, por zgjedhja e tij ka qenë, ka qenë Gjermania dhe tashmë ky është një kapitull i mbyllur. Ai është paraqitur me Gjermaninë dhe s’mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese në karrierën e tij sportive”, u shpreh Duka.

Presidenti i FSHF-së theksoi gjithashtu se interesimi për Grudën nuk ka qenë një reagim i momentit, pas paraqitjeve të tij të fundit, por një përpjekje që ka zgjatur në kohë. I pyetur nëse Federata e kishte kontaktuar lojtarin që më herët, Duka konfirmoi:

“Po, po, në çdo kohë i kemi ofruar, po vendimi i tij ka qenë që të përfaqësojë Gjermaninë”.

Kështu, pavarësisht dëshirës së FSHF-së për ta pasur në Kombëtare, kapitulli i Brajan Grudës me Shqipërinë është mbyllur. Sulmuesi ka zgjedhur Gjermaninë, me të cilën ka përfaqësuar ekipet e moshave deri te U21./ Top Channel

Etiketa: Armand DukaKryesore1ligji per sponsorizimet

Lajme të lidhura

Dhuna ulet këmbëkryq në Kategorinë e Parë, fiken kamerat e stadiumit dhe goditen lojtarët
Breaking Views

Dhuna ulet këmbëkryq në Kategorinë e Parë, fiken kamerat e stadiumit dhe goditen lojtarët

20:30 - 22/11/26
Tri pikë për katër skuadra, Teuta, Skënderbeu, AF Elbasani dhe Vllaznia triumfojnë në javën e 12-të
Breaking Views

Tri pikë për katër skuadra, Teuta, Skënderbeu, AF Elbasani dhe Vllaznia triumfojnë në javën e 12-të

20:15 - 22/11/26
“Më goditën në kokë dhe më shanin”/ 16-vjeçari denoncon dhunën në polici: Më gjobitën 5 milionë lekë, nuk tërhiqem nga protestat
Breaking Views

“Më goditën në kokë dhe më shanin”/ 16-vjeçari denoncon dhunën në polici: Më gjobitën 5 milionë lekë, nuk tërhiqem nga protestat

20:11 - 22/11/26

Discussion about this post

TË FUNDIT

“Me 2 miliardë lekë nuk ndërtojmë dot as një fushë futbolli”/ Presidenti i FSHF, Armand Duka kundërshton ligjin e sponsorizimit
Breaking Views

“Me 2 miliardë lekë nuk ndërtojmë dot as një fushë futbolli”/ Presidenti i FSHF, Armand Duka kundërshton ligjin e sponsorizimit

20:31 - 22/11/26

Në një intervistë për gazetarin Endi Tufa të Top Channel, kreu i FSHF-së vlerëson punën e trajnerit Rolando Maran, shpreh...

Lexo më shumë
Dhuna ulet këmbëkryq në Kategorinë e Parë, fiken kamerat e stadiumit dhe goditen lojtarët

Dhuna ulet këmbëkryq në Kategorinë e Parë, fiken kamerat e stadiumit dhe goditen lojtarët

20:30 - 22/11/26
Tri pikë për katër skuadra, Teuta, Skënderbeu, AF Elbasani dhe Vllaznia triumfojnë në javën e 12-të

Tri pikë për katër skuadra, Teuta, Skënderbeu, AF Elbasani dhe Vllaznia triumfojnë në javën e 12-të

20:15 - 22/11/26
“Më goditën në kokë dhe më shanin”/ 16-vjeçari denoncon dhunën në polici: Më gjobitën 5 milionë lekë, nuk tërhiqem nga protestat

“Më goditën në kokë dhe më shanin”/ 16-vjeçari denoncon dhunën në polici: Më gjobitën 5 milionë lekë, nuk tërhiqem nga protestat

20:11 - 22/11/26
Bilanci i gjobave në protesta/ 338 masa me vlerë rreth 3.17 mln lekë të reja, gjysma 3 dënime 500 mijë lekëshe

Bilanci i gjobave në protesta/ 338 masa me vlerë rreth 3.17 mln lekë të reja, gjysma 3 dënime 500 mijë lekëshe

19:55 - 22/11/26

GIJOTINA

Gijotina është media e pavarur, e iniciuar nga gazetarë profesionistë dhe të rinj, të karakterizuar nga paanshmëria, që sjellin tek ju gjithçka ndodh në Shqipëri, me lajme të shpejta, cilësore, investigime, fact-checking dhe analiza, duke denoncuar çdo shkelje apo abuzim ndaj qytetarëve shqiptarë.

KONTAKT

  • Contact page
  • [email protected]
  • [email protected]
  • [email protected]

Harta e Faqes

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Lajme
    • Politikë
    • Aktualitet
    • Ekonomi & Sociale
    • Kosovë & Rajon
    • Botë
  • Fact-Checking & Analize
  • OP-ED
    • Opinion
    • Editorial
    • Sondazh
  • Intervista
  • Sport
  • Të tjera
    • Art & Kulturë
    • Teknologji
    • Shëndet & Fitness
    • Kuriozitete
    • Show Biz
    • Lifestyle
    • Horoskopi
    • Moti

© 2022 Gijotina Dev By Techzero1.com