Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Këshilli i Legjislacionit ka miratuar kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Pas diskutimeve, kryetari i Këshillit, Damian Gjiknuri propozoi që relacioni përkatës t’i përcillet kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që procedura të vijojë në Konferencën e Kryetarëve, ku do të përcaktohen hapat e mëtejshëm për ngritjen e komisionit.
“Besoj se këtu mund t’i japim fund diskutimeve duke propozuar përcjelljen e relacionit te kryetari i Kuvendit, për të vazhduar më tej në Konferencën e Kryetarëve dhe për të përcaktuar hapat për ngritjen e komisionit hetimor, sipas një procedure të konsoliduar, për caktimin e anëtarëve, përcaktimin e seancës dhe afatet e komisionit hetimor”, u shpreh Gjiknuri.
Kujtojmë që në qershor të këtij viti Gjykata Kushtetuese urdhëroi Kuvendin të ngrejë komision hetimor për zgjedhjet e 11 majit, të kërkuar nga Partia Demokratike. Njëzëri, anëtarët e Kushtetueses thonë se kërkesa e demokratëve ‘plotëson kriteret kushtetuese të ngritjes së komisionit hetimor’.










Discussion about this post