Reshje intensive shiu dhe shtrëngata pritet të përfshijnë sot disa qarqe të vendit, ndërsa situata më problematike parashikohet në Vlorë dhe Gjirokastër, ku nuk përjashtohen përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave.
Sipas parashikimeve, në qarkun e Vlorës priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Berat, Korçë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.
Në qarqet Elbasan dhe Fier parashikohen reshje mesatare, të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në pjesën tjetër të territorit reshjet do të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare.
Ndërkohë, në verilindje, lindje dhe juglindje të vendit, në lartësitë mbi 500 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formën e dëborës.
Shqetësimi kryesor lidhet me qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, ku intensiteti i lartë i reshjeve mund të shkaktojë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane të këtyre qarqeve ekziston gjithashtu rreziku i përmbytjeve të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.
Reshjet pritet të sjellin edhe rritje të prurjeve në lumenjtë Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Sa u përket temperaturave, ato do të luhaten nga 10 deri në 14 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 8 deri në 14 gradë në zonat e ulëta dhe nga 2 deri në 10 gradë në zonat malore.
Era do të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar, ndërsa në bregdet dhe zonat malore pritet të jetë deri e fortë.










Discussion about this post