Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka vizituar pas mesnate në spital të riun nga Vlora i cili është goditur me plumb gome në sy nga policia gjatë protestës së 28 nëntorit.
I riu tregon nga shtrati i spitalit se mjekët pas testit provë që kanë kryer, nuk i kanë dhënë dot një përgjigje për situatën që ndodhet.
Ai i ka rrëfyer deputetit Kapri se në ato pak momente që ka mundur ta hapë qepallën e syrit të dëmtuar, ka parë vetëm dritë të bardhë dhe jo imazhe.
Në rrjetet sociale, deputeti Kapri shprehet se protestuesi rrezikon shikimin dhe duke e quajtur goditjen e tij një akt kriminal, paralajmëron se autorët do të mbajnë përgjegjësi për dhunën ndaj protestuesve.
“Saimiri sapo kishte mbyllur telefonin me të ëmën kur, siç më tregoi sot nga shtrati i spitalit, e goditën me plumb gome në sy. Tani rrezikon të humbasë shikimin. Sapo e vizitova në Spitalin Ushtarak ku i duhet të presë edhe 4 ditë për ndërhyrjen. Përgjegjësit e këtij akti kriminal kanë emra dhe do mbajnë përgjegjësi”, shprehet Kapri.
Ky është rasti i dytë i protestuesve që janë gjuajtur nga policia në sy gjatë protestave, ndërsa më i rëndë ishte ai për Erion Vishkullin.
Gjatë protestës së 28 nëntorit ka pasur me dhjetra raste të tjera të dokumentuara përmes pamjeve në rrjete sociale të protestuesve të qëlluar në zonën e kokës dhe të fytyrës me plumba gome apo me zare nga ana e policisë.
Janë me dhjetra të lënduarit që janë paraqitur në spital dje, ndërsa shumë raste të tjera kanë kërkuar ndihmë nga mjekë privatisht për t’i shpëtuar arrestimit të policisë në spital.










Discussion about this post