Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon me forcë incidentet e përsëritura ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, këtë të diel, 29 nëntor.
Sipas raportimeve të marra nga AGSH, gjatë ditës së sotme janë evidentuar të paktën tri raste shqetësuese:
Izmir Akulli, gazetar dhe kryeredaktor i Dosja.al, është përballur me dhunë verbale dhe fizike nga efektivët e Policisë së Shtetit në sheshin “Skënderbej”, të cilët e kanë penguar të filmojë veprimet e policisë ndaj protestuesve. Ky është rasti i dytë në të cilin gazetarit i cenohet ushtrimi i detyrës profesionale.
Xhoi Malësia, gazetar i Top News, është goditur nga efektivët e policisë me spraj me piper nga një distancë e afërt, gjatë ushtrimit të detyrës.
Një grup përfaqësuesish të mediave janë penguar nga Policia e Shtetit të aksesojnë zona të caktuara të protestës, duke kufizuar mundësinë e tyre për të raportuar mbi zhvillimet në terren.
AGSH shpreh shqetësim të thellë për përsëritjen e incidenteve ndaj gazetarëve, veçanërisht pas rasteve të shumta të dhunës ndaj punonjësve të medias gjatë protestës së një dite më parë.
Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe të krijojë kushtet për ushtrimin e lirë të detyrës së tyre, jo të pengojë, intimidojë apo dhunojë përfaqësuesit e medias.
AGSH i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të hetojnë menjëherë këto incidente, të identifikojnë efektivët përgjegjës dhe të marrin masat përkatëse disiplinore dhe ligjore.
E drejta e gazetarëve për të dokumentuar veprimet e policisë gjatë protestave është pjesë thelbësore e lirisë së medias, transparencës institucionale dhe së drejtës së publikut për t’u informuar.









Discussion about this post