Jola P. është ndier çuditshëm në punë ditët e fundit. Për më shumë se dy muaj, 32-vjeçarja ishte ndër të vetmet punonjëse që duhej të mbante maskë në punë, sepse është e pavaksinuar. Ajo shprehet skeptike për faktin se mosvaksinimi e rrezikon të sëmuret rëndë dhe duke i besuar imunitetit natyral vendosi të mos e bënte vaksinën.
Shqetësimi i Jolës momentalisht është se, vendimi për të shmangur vaksinimin, e ka ekspozuar ndaj gjykimit të kolegëve si dhe i ka krijuar stres nga punëmarrësit për t’u vaksinuar. Pyetjes se çfarë do të bëjë tani, i përgjigjet me një: “S’e di, nëse kam shumë presion, do ta lë punën”.
Kur efektet më të këqija të pandemisë COVID-19 filluan të zbehen, në pjesën më të madhe të vendeve, falë përhapjes së vaksinimit, shumë zyra u rihapën globalisht. Punonjësit nisën të kthehen në zyrë. Por pas muajsh pune nga komoditeti i shtëpive, shumë nga punonjësit mund të mos dëshirojnë të kthehen në zyrë dhe një pjesë e tyre e kanë shprehur këtë. Disa kanë dashur të kalojnë dimrin në shtëpi, pranë fëmijëve! Të tjerët mund të jenë vërtet në mëdyshje për t’u vaksinuar për shkak të artikujve që mund të kenë lexuar në internet për vaksina të ndryshme!
Por a mundet një kompani, institucion, të detyrojë punonjësit të vaksinohen? Një numër në rritje i kompanive po dëshmojnë se “i detyrojnë” vaksinat si kusht punësimi, duke i lënë punëtorët e pavaksinuar në rrezik për t’u larguar nga puna.
Në botë, ka shumë kompani të tilla – CNN dhe Google bënë bujë fillimisht, të cilat kërkuan vaksinime të plota për të gjithë punonjësit që punojnë në zyrat e tyre dhe në terren. Vjeshtën e kaluar, ata pushuan nga puna punonjës që hynë në zyrë të pavaksinuar.
Kompani të tjera po miratojnë qasje më pak gjithëpërfshirëse, por ndoshta më të dukshme, edhe në Shqipëri, duke përfshirë detyrimin e vendosjes së maskave për punonjësit e pavaksinuar, ose kërkesën që ata të punojnë nga shtëpia, në rastet kur munden.
Pa një politikë federale të vaksinave, punëdhënësit janë lënë kryesisht t’i kuptojnë vetë udhëzimet – përveç disa udhëzimeve publike, në fund të dhjetorit për vendin tonë, që përfshinë bizneset në qendra tregtare, supermarketet, si dhe administratën publike.
Këta tre sektorë vinin si udhëzim pas atij të dhënë për universitetet. Komiteti Teknik i Ekspertëve sugjeroi vaksinimin me detyrim të studentëve dhe pedagogëve, si kusht për kthimin në auditorë. Deklarata e asaj e dite e kryeministrit Edi Rama për vaksinim me detyrim, shkaktoi jo pak reagime dhe protesta.
I pari institucion publik në vendin tonë që vendosi certifikatën e vaksinës anti-COVID si lejekalim për studentët dhe stafin ishte Shkolla e Magjistraturës. Një vendim i marrë në mënyrë autonome nga ky institucion, pa vendim nga autoritetet shëndetësore.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, Magjistratura vendosi vaksinimin me detyrim. Mbrëmjen e 15 shtatorit, Teatri i Operës dhe Baletit mirëpriti Ermonela Jahon dhe Placido Domingon dhe të gjithë spektatorët duhej të kishin certifikatë vaksinimi, ose testin negativ 48-orësh.
Komiteti Teknik mori vendim që deri më datën 31 dhjetor, të gjithë punonjësit e administratës publike, punonjësit e supermarketeve dhe qendrave tregtare të pavaksinuar, të vaksinohen, pasi më datën 4 janar do të kërkohet certifikata e vaksinimit ose prova e testit PCR negative çdo 5 ditë”.
Kryeministri Rama paralajmëroi asokohe se nëse punonjësit e administratës nuk marrin dozat, do të humbasin vendin e punës. Edhe bizneset rrezikojnë të mbyllen, nëse punonjësit nuk vaksinohen.
Së bashku edhe me kërkesat në një tjetër sektor, atë të call center që po kërkojnë në mënyrë të detyruar vaksinimin e punonjësve, u është lënë shteg një tjetër fenomeni që po përflitet nën zë në vendin tonë, atij të blerjes së vaksinimit. Si çdo fenomen informal, ka një zë publik që ta mbështesë, por deklaratat e shumë të rinjve kanë qenë për blerje të certifikatës së vaksinimit.
Kostot për to nisin nga 5 mijë lekë për një dozë dhe arritën në fillim të janarit, në 250 euro për 3 doza. Të rinjtë e kontaktuar nga “Monitor”, që e pohuan blerjen e vaksinës, deklarojnë se e kanë bërë të detyruar për të ndjekur universitetin, për të punuar (kryesisht në call center) ose refuzimi lidhej me arsye shëndetësore, ndër të cilat më kryesori ishte pretendimi për ndikim në fertilitet.
Blerja e vaksinimit
Së bashku edhe me kërkesat në një tjetër sektor, atë të call center që po kërkojnë në mënyrë të detyruar vaksinimin e punonjësve, u është lënë shteg një tjetër fenomeni që po përflitet nën zë në vendin tonë, atij të blerjes së vaksinimit. Si çdo fenomen informal, ka një zë publik që ta mbështesë, por deklaratat e shumë të rinjve kanë qenë për blerje të certifikatës së vaksinimit. Kostot për to nisin nga 5 mijë lekë për një dozë dhe arritën në fillim të janarit, në 250 euro për 3 doza
Ndryshim sektorësh
Disa sektorë e kanë më të lehtë të vijojnë punën nga shtëpia. Kjo u jep mundësi punonjësve që të jenë realisht të lirë në zgjedhjen e të bërit vaksinën ose jo.
Gjergji Robo, drejtues i kompanisë “SmartWork” pohon për “Monitor” se, duke qenë një sektor që ka lehtësi pune nga shtëpia, nuk kanë hasur problematika të cilat lidhen me rikthimin e detyruar në zyrë.
“Nëse mund të flas për fushën e IT, punonjës të profileve si zhvillues, jemi të drejtuar drejt dixhital dhe nuk përbën asnjë problematikë vendi ku punonjësi punë. Arsyet se pse një punonjës mund të ngulë këmbë që të punojë nga shtëpia dhe të mos rikthehet në zyrë, janë të shumta dhe mund të mos lidhen vetëm me vaksinimin. Një arsye është se kanë një punë të dytë dhe nga shtëpia, i menaxhojnë më mirë ngarkesat e tyre.
Një arsye tjetër, për shembull në fushën e programimit, është kreativiteti. Një sjellje të cilën nuk e kufizon dot me orarin e zyrës ndaj dhe ndihen më komodë ta gjejnë këtë kreativitet nga shtëpitë, në orarin që duan vetë. Sepse në vetvete kreativiteti kërkon elasticitet. Një programues mund të zgjidhë një problem brenda 30 minutave por për ta bërë këtë, u duhet e gjithë dita për të menduar e për të hulumtuar. Këtë gjë e bëjnë më mirë nga shtëpia, e kanë më të thjeshtë për ta menaxhuar” – thotë z. Robo.
Megjithatë, ai shton se puna nga shtëpia apo zyra varet nga faktorë të tjerë, çfarë e bën më komode për një punonjës. “Personalisht nuk ndihem mirë të punoj nga shtëpia pasi nuk kam infrastrukturën e krijuar si në zyrë për ta bërë. Ka të rinj që nuk e kanë problem këtë gjë, me një laptop punojnë mirë”- thotë ai,
“Ne personalisht si kompani kërkojmë rikthimin në zyrë vetëm për trajnimet që u bëjnë stafit të ri, por vaksinimi nuk është i detyrueshëm”- thotë në fund z. Robo. Panorama duket ndryshe në fushën e shitjeve me pakicë, sektor i cili hyn në grupin e bizneseve, stafi i të cilave duhet të jetë i vaksinuar.
Florida Tufa, menaxhere e zinxhirit të dyqaneve “Intersport”, thotë për “Monitor” se, stafi i dyqaneve duhet të jetë i vaksinuar i gjithi. Sipas saj, kjo vjen si udhëzim fillimisht qeveritar dhe duke qenë se pjesa më e madhe e dyqaneve ndodhen në qendra tregtare, e bën situatën e tillë detyruese.
“Ne nuk punësojmë më persona të pavaksinuar. Udhëzimet janë të qarta dhe ne duhet t’i zbatojmë duke qenë se jemi segment tregu që prekemi. Kjo ka nxitur një problematikë tjetër, atë të gjetjes të stafit. Grupi që është i vaksinuar i gjithi janë studentët, por për ne nuk përbën një potencial punësimi pasi të rinjtë që kanë angazhimin e shkollës nuk janë të disponueshëm në oraret fikse që kërkon puna. Kjo e bën të vështirë gjetjen e punonjësve, krahas edhe emigrimit në masë të të rinjve” – pohon znj. Tufa.
Mendësia
Një pjesë e kompanive “justifikohen” se punonjësit që nuk rikthehen në zyra, nuk janë efektivë dhe se mjetet për matjen e produktivitetit janë të vështira. “Periudhat e krizave të tilla nuk kanë tipar dallues produktivitetin”, thotë Erald Pashaj, drejtues i EPPC Albania and Kosovo. Kjo ka bërë që, eficienca në punë ulet dhe shqetësimet nga kriza ndikojnë më shumë mendjen dhe punën e kujtdo.
Për këtë arsye, një pjesë e kompanive, duke përfshirë edhe ato call center, prej mesit të vitit të shkuar kanë kërkuar rikthim e punonjësve në zyrë, me pretendimet që lidheshin me rënien e produktivitetit me punën ende on-remote. Rikthimi në zyra u shoqërua me vaksinim të detyruar.
Alma K., 33 vjeç, punonjëse prej një dekade në sektorin e call center, pohon për “Monitor” se braktisi punën e saj të katër viteve të fundit në momentin që vaksinimi iu kërkua si detyrim për rikthimin në zyrë. Ajo, tashmë e punësuar në një sektor tjetër, thotë se vendimi për të lënë punën mbështetej nga arsye shëndetësore që e bëjnë skeptike për kryerjen e vaksinimit dhe gjithashtu, e sheh si një cenim të të drejtave të njeriut, për diçka që duhet të ketë zgjedhje të lirë.
Psikologët: Rritet ankthi te të rinjtë
Vaksina duhet të jetë një zgjedhje – shprehen ekspertët e shëndetit mendor. “Si dikush që është plotësisht e vaksinuar, mendoj se është e rëndësishme që të gjithë të marrin vaksinën. Megjithëse, mendoj se duhet patjetër të jetë sipas kushteve tuaja. Çdo individ e gjykon këtë zgjedhje vetë. Nëse nuk jeni të kënaqur me faktin e vaksinimit për shumë arsye, atëherë kjo është e kuptueshme” – shprehet Arjana Rreli, mjeke psikiatër.
Sidoqoftë, shton ajo, nëse vaksina është udhëzuar për një grupmoshë të caktuar, atëherë duhet ta konsideroni me pozitivitet vaksinimin.
“Vaksina ju ndihmon të keni më pak rrezik për t’u prekur nga COVID dhe përhapja e COVID te njerëzit e tjerë. Ndërsa mendoj se marrja e vaksinës është zgjidhja e duhur, bërja e vaksinës së detyrueshme për shkollat mund të detyrojë dikë që t’i bëjë diçka trupit të tij që nuk i vjen rehat, dhe kjo nuk është në rregull. Po ashtu, sikurse po më thoni për kompanitë që e kërkojnë me detyrim për punonjësit. Nuk jam dakord me detyrimin, nuk i bën mirë shëndetit mendor të atyre individëve dhe kjo më shumë prish punë, se sa e përmirëson situatën”- përfundon Dr. Rreli.
Nga ana tjetër, psikologët janë gjithashtu kundër detyrimit. Sipas tyre, gjithkush ka të drejtë të vendosë nëse dëshiron të bëjë vaksinën apo jo, dhe duke e kërkuar atë me detyrim në shkollë ose punë, kjo do t’i hiqte të drejtën e lirisë së individit, do t’i shkaktonte stres dhe ankth për zgjedhjen që po bëjnë.
Arjola Manreka, psikologe, shprehet për “Monitor” se, vihet re një rritje e ankthit te të rinjtë që u është dashur me detyrim të bëjnë vaksinën.
“Skemat e detyrueshme gjatë një krize janë gjithmonë kundërproduktive. Kur njerëzit kanë atë që ne e quajmë teori konspirative, ose kanë keqbesim ose keqkuptime, vetëm sa do të forcojnë opinionet e tyre. Në këtë rast, vendosja e vaksinave si detyruese, veçse shton ankthin mbi teori konspiracioni, mbi shqetësime shëndetësore që individët kanë dhe kjo i bën më pak produktivë.
Të paktë janë ata që kanë mundësi të zgjedhin një punë tjetër, kur në punën aktuale u kërkohet vaksina me patjetër, ashtu sikurse të rinjtë s’duan të humbin shkollimin. Kjo veçse përkeqëson nivelin e stresit tek to”- thotë znj. Manreka.
Google detyron punonjësit të vaksinohen ose…
Google u ka thënë punonjësve se do të humbasin pagën – dhe përfundimisht do të pushohen nga puna – nëse nuk respektojnë politikën e vaksinimit të kompanisë kundër COVID-19, sipas dokumenteve të brendshme të sjella nga CNBC.
Një memo e drejtuesve thoshte se punonjësit kishin kohë deri më 3 dhjetor për të deklaruar statusin e vaksinimit dhe për të ngarkuar dokumentacionin që tregon provën e vaksinimit, ose për të aplikuar për një përjashtim mjekësor. Kompania tha pas kësaj date se do të nisin të kontaktojë punonjësit që nuk e kishin ngarkuar statusin e tyre ose ishin të pavaksinuar, si dhe me ata, kërkesat e përjashtimit të të cilëve nuk u miratuan.
Dokumenti thoshte se punonjësit që nuk kanë respektuar rregullat e vaksinimit deri në afatin e 18 janarit do të vendosen në “leje administrative me pagesë” për 30 ditë. Pas kësaj, kompania do t’i vendosë ata në “leje pa pagesë” deri në gjashtë muaj, e ndjekur nga përfundimi: pushimi nga puna.
Një zëdhënës i Google tha në një deklaratë se, “kërkesat tona për vaksinim janë një nga mënyrat më të rëndësishme se si mund ta mbajmë fuqinë tonë punëtore të sigurt dhe të mbajmë shërbimet tona në funksion” duke shtuar se kompania i përmbahet “politikës kombëtare të vaksinimit”.
Ndërsa pjesa më e madhe e industrisë së teknologjisë vazhdon të shtyjë planet e kthimit në punë dhe kompanitë e mëdha e të vogla përgatiten për një të ardhme fleksibël, Google po kërkon që fuqia e saj punëtore të hyjë përfundimisht në zyrat fizike tre ditë në javë në fillim të muajit shkurt. Dhe po tregon durim të kufizuar për ata që refuzojnë të marrin vaksinat, të cilat janë të disponueshme gjerësisht prej muajsh.
Administrata e presidentit të SHBA Biden ka urdhëruar kompanitë amerikane me 100 ose më shumë punonjës që të sigurohen se punonjësit e tyre të vaksinohen plotësisht, ose të testohen rregullisht për COVID-19 deri më 18 janar./Monitor
Discussion about this post