Një studim i Qendrës amerikane të kërkimeve Pew, në lidhje me mendimet dhe emocionet e amerikanëve gjatë pandemisë së koronavirusit dhe ngjarjeve të tjera tragjike, zbuloi se burrat dhe gratë u janë përgjigjur ndryshe-ndryshe disa pyetjeve. Pandemia ka ndikim më të madh te gratë në ekonomi, por edhe në obligimet në shtëpi. Gjatë periudhës së trazirave, gratë mund të mbajnë edhe ngarkesë më të madhe emocionale sesa burrat, tregoi studimi.
Pyetjet që iu bënë të anketuarve ishin: Sa shpesh keni menduar për çështje të mëdha jetësore vitin e fundit? Sa keni ndjeshmëri për të tjerët në një situatë të vështirë? A keni nevojë t’i ndihmoni të tjerët? A jeni mirënjohës për gjërat e mira në jetë? A mendoni se ndonjëherë nuk i duroni dot lajmet e këqija? Studimi tregoi se gratë kanë më shumë gjasa të besojnë se “çdo gjë ndodh për një arsye”.
Dy të tretat e grave të anketuara, apo 66 për qind, kanë thënë se kanë menduar “shpesh” ose “ndonjëherë” në vitet e fundit për çështje kryesore të jetës: a ka vuajtja kuptim dhe përse njerëzve u ndodhin gjëra të tmerrshme?
Të anketuarit meshkuj, në 55 për qind të rasteve, kanë dhënë të njëjtat përgjigje, pra kanë thënë se “shpesh” ose “ndonjëherë” mendojnë për këtë. Kur bëhet fjalë për ndjeshmërinë ndaj njerëzve, 71 për qind e grave kanë thënë se e kanë atë, kundrejt 53 për qind të burrave. Gjithashtu, një përqindje më e lartë e grave ka shprehur dëshirën për të ndihmuar: 46 për qind e tyre; ndërsa nga burrat, 34 për qind kanë shprehur gatishmëri të tillë.
Lodhja me lajmet e këqija
Lajmet e këqija i shqetësojnë më shumë gratë dhe ato janë më mirënjohëse se burrat për gjërat pozitive në jetë: 76 për qind kundrejt 67 për qind. Sipas studimit, për gratë në Amerikë, ndjenjat e tilla të mirënjohjes janë “të zakonshme”, ndërsa shumica e burrave kanë thënë se “ndonjëherë” kanë ndjenja të tilla.
Lajmet e këqija, ndërkaq, i lodhin gratë më shpesh se burrat. Përafërsisht një e katërta e grave të anketuara, ose 27 për qind – krahasuar me 20 për qind të burrave – kanë thënë se lodhen “shpesh” nga lajmet e këqija, ose kanë shumë përmbajtje të tillë.
Pew tha se edhe në vitin 2019 ka pasur rezultate të ngjashme, në lidhje me lodhjen nga lajmet e këqija.Gratë janë gjithashtu më të shqetësuara se burrat kur dëgjojnë lajme të këqija dhe frikësohen se diçka e ngjashme mund t’u ndodhë edhe atyre: 65 për qind kundrejt 55 për qind.
Burrat, në anën tjetër, kanë më shumë gjasa të pranojnë se ndjejnë kënaqësi – “shpesh” ose “ndonjëherë” – nëse mendojnë se një person që kalon një përvojë negative, “ka marrë atë që ka merituar”. Ndjenja të tilla kanë 37 për qind e burrave dhe 31 për qind e grave.
Dallimet gjinore në besim
Studimi gjithashtu ka trajtuar besimet për jetën pas vdekjes dhe forcat e mbinatyrshme. Për shembull, tri të katërtat e grave besojnë se çdo gjë në jetë ndodh për një arsye, krahasuar me gjashtë në dhjetë burra që kanë një qëndrim të tillë.
Ngjashëm, gratë besojnë shumë më tepër se burrat në fat – 51 për qind e grave kundrejt 35 për qind e burrave. Tetë nga dhjetë gra amerikane thonë se besojnë në parajsë, apo 78 për qind e tyre, që është dhjetë për qind më shumë se burrat që kanë bindje të njëjtë. Studimi zbuloi gjithashtu se te amerikanët, feja është më e rëndësishme për gratë sesa për burrat. /REL/
Discussion about this post