Ditën e djeshme, Organizata Together for Life publikoi në Tiranë një raport, sipas të cilit prokurimet emergjente në përballimin e pandemisë nuk ishin transparente. Për këtë edhe “Open Data” ka nxjerrë nje përmbledhje në formë raporti të realizuar nga TFL dhe NED për tenderimet në shëndetësi gjatë periudhës së Covid-19.
COVID-19 veç të tjerash vuri në provë qeveritë dhe sistemet e tyre të prokurimeve në të gjithë botën për mënyrën se si u përdorën fondet për përballimin e një situate jo të zakontë. Ka dëshmi se qeveritë nëpër botë kanë abuzuar me prokurimet emergjente për të nxitur korrupsionin, dhe në këtë mënyrë kanë devijuar fondet, duke lënë shpesh pa mbështetje shtresat e varfra.
Teksa pandemia është në përfundim të vitit të dytë, në shumë vende sistemet e prokurimeve publike rezultuan të vjetruara, doli në pah nevoja për ndryshim të legjislacionit, nevoja për digjitalizimin dhe u vërtetua se shumë zyrtarë nuk hezitojnë për të përfituar padrejtësisht nga fondet e fatkeqësisë. Nga ana tjetër, COVID-19 u bë shkak për praktika novatore të shpejta, efikase, transparente, të cilat duhet të shërbejnë si mësime.
Shumë shtete krijuan portale të dedikuara për përdorimin e fondeve në sektorin shëndetësor gjatë pandemisë, por në Shqipëri entet publike, dhe sidomos ato të shëndetësisë, nuk kanë bërë asnjë transparence për përdorimin e fondeve. Në Shqipëri situata në menaxhimin e fondeve në sektorin e shëndetësisë ka mungesa të theksuara sa i takon transparencës dhe llogaridhënies. Shqipëria është ndër të paktat vende në Evropë dhe rajonin e Ballkanit që nuk ka publikuar të dhëna dhe raporte mbi efektivitetin e përdorimit të fondeve. Institutet Shkencore (ISHP) dhe të tjera si Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm nuk kanë publikuar deri më tani asnjë studim rreth sjelljes së virusit në popullsinë shqiptare. Nuk ka të dhëna mbi suverjancën e pandemisë dhe ndikimin në zona dhe grupmosha të caktuara.
Institucioni më i lartë i auditit në vend, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), e pati mjaft të vështirë të gjurmojë përdorimin e fondeve në sektorin e shëndetësisë gjatë pandemisë për shkak të pa rregullshmërive ligjore, që shoqëruan procesin. Si pasojë e mungesës së konsistencës së kodeve të projekteve të dedikuara për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19 dhe rishikimeve të shumta pas akteve normative me disa VKM, gjurmimi deri në realizimin përfundimtar të fondeve COVID-19 rezultoi i vështirë, thuajse i pamundur
Të gjitha shtesat e fondeve për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të akorduara me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) përgjatë vitit 2020, nuk janë reflektuar në tabelat shoqëruese respektive të Akteve Normative. Për rrjedhojë, fondet që u akorduan për përballimin e pandemisë shkuan për shpenzime të tjera që nuk kishin lidhje me pandeminë.
Mungesa e transparencës në përdorimin e fondeve që shkuan për menaxhimin e pandemisë ishte aq e madhe sa u konsiderua si shqetësim nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili nuk ka në thelb të punës së tij monitorimin e tenderëve. Mirëpo Fondi ka vërejtur se keq menaxhimi i fondeve publike është duke ndikuar negativisht borxhin publik të vendit, i cili është në thelb të punës së Fondit.
FMN informoi se prokurimet emergjente për përballimin e pandemisë nuk ishin transparente dhe i kërkoi Kontrollit të Lartë të Shtetit të intensifikojë kontrollet dhe t’i publikojë ato. Bazuar në metodologjinë e kontrolleve me bazë risku, Kontrolli i Lartë i Shtetit klasifikoi për audit 120 institucione këtë vit, gjysma e të cilave (rreth 50%) u vlerësuan me risk të lartë në procesin e zbatimit të ligjit, e për rrjedhojë edhe në menaxhimin e fondeve publike. Ministria e Shëndetësisë, e cila u ndoq nga Qendra Spitalore “Nënë Tereza”, u renditen në krye të enteve publike për riskun e lartë të zbatimit të ligjit dhe të përdorimit të fondeve publike.
Nga 6440 procedura të publikuara për prokurime (pa përfshirë ankande dhe koncesione) gjatë vitit 2020, për 532 ose për 8.2 % prej tyre janë paraqitur ankesa në Komisionin e Prokurimit Publik. Nga numri total, Ministria e Shëndetësisë u rendit e dyta, pas Agjencisë së Blerjeve, të përqendruara për numrin e madh të ankesave, me 26 gjithsej ose rreth 5 % të totali të ankesave.
Nisur nga numri total i ankesave të shqyrtuara pranë Komisionit të Prokurimit Publik, rezulton se 42,7 % (317) prej tyre janë ankesa të procedurave të prokurimit të llojit “mall”. Ministria e Shëndetësisë u rendit e dyta me 20 ankesa nga operatorët që kishin marrë pjesë në tenderët e zhvilluar me blerje mallrash.
Janë gjetur mospërputhje të të dhënave të kontratave të nënshkruara të publikuara nga Agjencia e Prokurimit Publik me ato të regjistruara në SIFQ (në sistemin e thesarit të Ministrisë së Financave). Ministria e Shëndetësisë u rendit e para për këtë shkelje, ku sipas APP, janë zhvilluar 601 procedura prokurimi, ndërkohë në SIFQ rezultojnë vetëm 5 kontrata.
Prokurimet në shëndetësi, më shumë se gjysma me 1 operatorë në garë
Në tenderët e sektorit të shëndetësisë gara është shumë e kufizuar. Nga tenderët e zhvilluar nga viti 2016 deri në dhjetor të vitit 2021, në 55.4% e tyre kishin vetëm një operator pjesëmarrës në garë, 35% kishin më shumë se dy operatorë në garë.
Nga viti 2016 në vitin 2021 për vetëm 47% të tenderëve të zhvilluar pati kontrata të lidhura. 8.4% fituesve përfituan shtesa kontrate, ndërkohë 15.8% të procedurave të tenderëve u anuluan. Ndërsa më shumë se 2% e tenderëve të rishpallur janë anuluar sërish. Për 16% të tenderëve të e zhvilluara ndërmjet 2016-2021 është shpallur fituesi por nuk është lidhur kontrata11.
Duke i klasifikuar sipas procedurës, shihet se gara e hapur u përdor vetëm në 31% të shpalljeve, teksa 17% e tenderëve u bënë sipas procedurës me negocimin. Kjo procedurë mbizotëroi gjatë pandemisë, ndërsa 32% e shpalljeve u bënë sipas procedurës kërkesë për propozim. Ndërsa për pjesën e tenderëve në sektorin e shëndetësisë që janë bërë me garë të hapur, ka një seri ankesash për autoritetet kontraktuese, të cilat përpilojnë kritere teknike përjashtuese duke favorizuar në mënyrë indirekte kompanitë e lidhur me autoritetin kontraktor.
Tenderët për mallra dhe shërbime dedikuar pandemisë Covid-19
Që nga fillimi i pandemisë e deri në fillim të dhjetorit 2021 , autoritet shëndetësore publike në të gjithë vendin zhvilluan 198 procedura prokurimi që kishin lidhje me përballimin e krizës shëndetësore COVID-19. Vlera e fondit limit në dispozicion ishte 5.3 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e shpallur fituese ishte 4,4 miliardë lekë pa TVSH. 90 tenderë u bënë vetëm me një operator konkurrues, të cilët përfituan një vlerë 2,3 miliardë lekësh nga 2.5 miliardë që ishte fondi limit.
14 Nga marsi 2020 deri në maj 2021, institucionet e shëndetësisë kontraktuan 60 kompani për furnizime materiale që kishin lidhje me COVID-19. 11 nga kompanitë ose 18% e totalit të kontratave ishin sekrete. Gjithashtu 11 kontrata të treta ose 18% e operatorëve fitues kishin vetëm vlerën e çmimit për njësi dhe jo shumen totale15 . Në Renditje, sipas Vlerës së Kontratës së Fituar në Shëndetësi, për kontraktim blerje, investim apo porosi për COVID-19, Mars 2020 – Maj 2021, biznesi i parë më i kontraktuar në vlerë është shoqëria GTS-Gazra Teknike Shqiptare shpk, e cili siguroi mbi 2,4 miliardë lekë fonde publik, ose 47% të fondeve totale të gjetura në listën e Agjencisë së Prokurimeve Publike.
GTS-Gazra Teknike Shqiptare ishte burimi kryesor i furnizimit të spitaleve COVID-19 me oksigjen. Kontraktuesi i dytë më i madh ishte kompania Evita me 627 milionë lekë dhe e treta Intermed me 384 milionë lekë. Të 59 kompanitë u kontraktuan nga institucionet e shëndetësisë për furnizimin e furniturës mjekësore për COVID (pajisje për spitale, oksigjen dhe barna konform protokolleve anti-COVID, etj)40. Nga 59 kompanitë që u kontraktuan, rezulton se vetëm 39 prej tyre ose 66% morën pagesat gjatë periudhës mars 2020-maj 2021.
Të dhënat vlejnë për kompanitë që i kanë kontratat me vlera të publikuara. Nga 2.4 miliardë lekë pagesa që u bënë nga thesari gjatë mars 2020-maj 2021, mbi 1 miliard lekë, ose 41 % e totalit iu dhanë kompanisë GTS, që siguroi furnizimin me oksigjen të spitaleve. Kompania Evita ishte e dytë për sasinë më të madhe të disbursimeve me 281 milionë lekë dhe Euromed e treta me 137 milionë lekë.
Discussion about this post