Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është pajtuar në parim për një samit me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë ditëve të ardhshme, derisa lideri amerikan po kërkon që ta pengojë udhëheqësin e Kremlinit që ta pushtojë Ukrainën. Biden do të takohej me Putinin pas bisedimeve të 24 shkurtit midis sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, “nëse nuk ka ndodhur një pushtim”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki përmes një deklarate të lëshuar më 20 shkurt.
Ideja e një takimi dypalësh është propozuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka zhvilluar bisedime të ndara me dy liderët më 20 shkurt. Nuk është bërë e ditur se në cilën datë apo në cilin lokacion do të mbahej ky samit. Biden dhe Putin u takuan për herë të parë në Gjenevë në muajin qershor. Ai samit u nxit pas një grumbullimi më të vogël të ushtrisë ruse pranë Ukrainës, që ndodhi gjatë pranverës.
Para samitit, Biden do të marrë pjesë në takimin virtual me liderët e Grupit të Shtatëve (G7), që do të mbahet më 24 shkurt. Në këtë takim do të bisedohet për krizën e shkaktuar nga grumbullimi ushtarak i Rusisë.
Pse Rusia e Putinit është kaq e fokusuar në Ukrainë?
Në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Japonia.
Më 18 shkurt, presidenti Biden tha se ishte “i bindur” se Putini kishte marrë vendimin për pushtimin e Ukrainës dhe se kjo mund të ndodhte në ditët në vijim. Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë do të vendosnin sanksione të ashpra ndaj Rusisë, nëse Putini vendos që ta sulmojë Ukrainën.
Rusia aktualisht ka pozicionuar mbi 150,000 trupa luftarake përreth Ukrainën. Kremlini po kërkon që t’ia ndalojë Ukrainës anëtarësimin e NATO-s dhe ta tërheqë këtë shtet sërish brenda sferës së ndikimit të tij.
Rusia vazhdimisht ka mohuar se po planifikon që ta pushtojë Ukrainën dhe ka pretenduar se ka nisur tërheqjen e disa forcave. Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë thënë se nuk ka sinjale se po ndodh tërheqja e trupave. Në deklaratën e lëshuar nga Psaki u përsërit qëndrimi se “Rusia duket se po vazhdon përgatitjet për të kryer shumë shpejt një sulm të shkallës së gjerë ndaj Ukrainës”. SHBA-ja po ashtu ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë ndonjë operacion në lindje të Ukrainës, si pretekst për ta justifikuar pushtimin e vendit.
Separatistë pro-rusë në rajonin Donbas, në lindje të Ukrainës. Edhe pse të dyja palët janë pajtuar për një sërë armëpushimesh, monituesuest evropianë kanë thënë se kanë regjistruar një rritje të bombardimeve gjatë ditëve të fundit në lindje të Ukrainës. Për rritjen e dhunës, zyrtarët perëndimorë fajësojnë separatistët e mbështetur nga Rusia, të cilët që nga viti 2014 luftojnë në lindje të Ukrainës me forcat qeveritare. Ndërkaq, Putin ka fajësuar Ukrainën për intensifikim të luftimeve, duke rritur shqetësimet se ai mund ta përdorë këtë gjë si shkas për ta pushtuar shtetin fqinj./REL
Discussion about this post