Pas pushtimit të tmerrshëm rus të Ukrainës, në Perëndim ka shumë pendesë dhe ndjesa kryesisht në rrethe private. Në fakt, gati të gjithë kemi gabuar në diçka në lidhje me Rusinë dhe planin e saj djallëzor. Dhe në disa raste në mënyrë katastrofike.
1. Ata nga ne që menduan se Putini mund të ishte duke luajtur bllofin, e kishin gabim. CIA dhe agjencitë e tjera të inteligjencës, dhe qeveritë që ishin dakord me gjykimin e saj, kishin të drejtë.
2. Besimi se Putini mund të frenohej nga kërcënimi me sanksione ekonomike, ishte gjithashtu i gabuar. Megjithatë, pasi u përjashtua përfshirja ushtarake,nuk kishte asnjë alternativë tjetër. Nëse sanksionet ekonomike nuk janë vërtet gjithëpërfshirëse dhe efektive në frenimin dhe rrëzimin e Putinit, Perëndimi do të shihet si një “tigër prej letre”.
3. Shpresa se diplomacia dhe negociatat mund ta detyronin Putinin të hiqte dorë nga sulmi ndaj Ukrainës, ishin tepër optimiste. Por sidomos Makron, duhej të ishte përpjekur më shumënë këtë front, qoftë edhe për të treguar se ishte bërë gjithçka e mundshme për të shmangur luftën.
4. Llogaritja e gabuar më katastrofike (fillimisht nga Xhorxh Bush në vitin 2008), ishte mohimi i perspektivës së anëtarësimit të Ukrainës në NATO, dhe më pas rihapja e kësaj mundësie, por vetëm kaq. Rezultati ishte më i keqi i mundshëm: Rusia u provokua dhe Ukraina mbeti e pambrojtur.
5. “Zhvendosja e vëmendjes drejt Azisë”, rezultoi të ishte një tjetër llogaritje e gabuar, pasi e shpërqendroi vëmendjen nga kërcënimi i menjëhershëm ushtarak nga Rusia, për t’u fokusuar tek sfida ekonomike, teknologjike, dhe në planin afatgjatë edhe ushtarake nga ana e Kinës. Ishte qesharake që Britania e dërgoi marinën e saj të vogël në Detin e Kinës Jugore dhe në Gjirin Persik, dhe jo në Detin e Zi apo atë Baltik.
6. Ideologët që mendonin se rrëzimi i komunizmit do ta stabilizonte botën, po gënjenin veten. Putini dhe miqtë e tij e kanë de–komunistizuar tërësisht Rusinë, duke vjedhur asetet publike,dhe duke përqafuar Krishterimin. Por një shtet i privatizuar dhe një doktrinë e nacionalizmit ekstrem, po rezulton të jetë më i rrezikshëm sesa komunizmi sovjetik.
7. Elita ruse dhe shtresa e mesme e arsimuar, gabuan kur besuan në pashmangshmërinë e liberalizimit politik, kur Rusia u bë një ekonomi më moderne. Një shtet i korruptuar, mafioz është bërë më i fuqishëm, dhe përmbysja e tij do të jetë ndoshta e dhunshme dhe jo demokratike.
8. Donald Trump,një nxitës i fansave amerikanë të Putinit, ishte një katastrofë edhe më e madhe nga sa e mendonim. Putini ndihet komod kur mendon se miku i tij mund të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
9. Gjermanët e kuptojnë se i kushtuan një vëmendje të pamjaftueshme sigurisë së energjisë. Ata do të investojnë tani më shumë në impiantet e importit të gazit natyror të lëngshëm, burimet e rinovueshme, dhe ndoshta do t’i rikthehen centraleve bërthamore.
10. Për momentin, bota perëndimore është e bashkuar mbi sanksionet. Por refreni i vazhdueshëm britanik për “udhëheqjen”, dhe sulmi ndaj gjermanëve dhe francezëve si “të dobët” i dërgoi një mesazh të fuqishëm Moskës, se Evropa është shumë e përçarë. Brexit, ashtu si Trump, ishte një sukses i Putinit.
Kjo i përket tashmë së kaluarës. Shpresojmë që gabimet e së shkuarës, të sjellin vendime më të mira në të ardhmen. Ka disa punë të mëdha përpara. Së pari, për sa i përket sanksioneve, nuk mund të përjashtohet sektori i energjisë. Kjo do të thotë çmime më të larta të karburantit për shoferët amerikanë dhe mungesë gazit në Evropë.
Nëse votuesit tanë nuk mund të binden të jetojnë me pasojat e sanksioneve, atëherë loja ka mbaruar. Shtypja e nevojshme dhe e vonuar e interesave financiare dhe pronësore ruse në Britani, duhet të thellohet dhe të zgjerohet në territore dhe vende si Zvicra, ku pastrohen dhe fshihen shumë para.
Një vendim i dytë, është se si duhet të sillemi me vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, India dhe Izraeli, që kanë marrëdhënie të mira biznesi me Rusinë. Problemi më i madh do të jetë Kina. Pekini e ka mbështetur narrativën e Moskës për agresionin e NATO-s, por ka qenë e kujdesshme që të mos e mbështesë hapur pushtimin.
Një aleancë e ngushtë dhe e zgjatur me një Putin jo të besueshëm dhe nevojtar, është absolutisht një pozitë ku Kina nuk dëshiron të ndodhet. Qeveritë perëndimore, duhet të gjejnë mënyrat se si ta dobësojnë lidhjen Rusi-Kinë duke rivendosur një marrëdhënie që ka më nëfokus biznesin me Pekinin.
Së treti, është edhe problemi nëse dhe si t’i përgjigjemi kërkesave të Ukrainës për furnizime ushtarake, për ta forcuar rezistencën e saj. Ndoshta është tepër vonë për të ndihmuar forcat e armatosura të Ukrainës, megjithatë duhet të përpiqemi. Një çështje më e vështirë, është ajo nëse duhet mbështetur një rezistencë e armatosur guerile.
Në aspektin emocional, kjo gjë do të ishte e vështirë të refuzohej, por mund të thellonte dhe zgjeronte konfliktin:do kishim një Siri tjetër në Evropë. Rusia mund të hakmerret duke e sjellë konfliktin në territorin e NATO-s, ose do të përshkallëzojë kërcënimin e saj bërthamor. Tmerret që po shohim sot, mund të jenë vetëm fillimi.
Shënim:Sër Vince Cable, është ish-udhëheqësi i Liberal Demokratëve në Britaninë e Madhe. Gjatë viteve 2010-2015, ka qenë Sekretar i Shtetit për Biznesin, Inovacionin dhe Aftësitë.
Discussion about this post