8 Marsi njihet ndërkombëtarisht si Dita e Gruas. Në Shqipëri, ndonëse janë bërë përparime në barazinë gjinore, sërish ka diferenca të mëdha, teksa meshkujt paguhen më shumë sesa femrat dhe dominojnë në pozicionet drejtuese në biznes.
Në të kundërt është rritur pesha e grave në politikë. Teksa femrat po mbizotërojnë gjithnjë e më shumë në Universitete dhe studime pasuniversitare si master apo doktoraturë, në të ardhmen nuk është çudi që dominanca e tyre të rritet.
Burrat paguhen më shumë, por gratë ua kalojnë në pozicionet drejtuese
Një femër u pagua mesatarisht 51.7 mijë lekë në vitin 2020, sipas INSTAT, ose 6.5% më pak sesa burrat. Hendeku gjinor në pagë është reduktuar vitet e fundit.
Nga 36 grup-profesione që raporton INSTAT, vetëm në 4 prej tyre (Drejtues administrativë dhe komercialë; Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë; Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes; Punëtor të punimit të metaleve dhe montimit të makinerive), gratë paguhen më shumë sesa burrat dhe në tre të tjera shpërblimet mujore janë pothuajse të barabarta (Punonjës të ndërtimit; Punëtorë shërbimi dhe ndihmës; Ndihmës në përgatitjen e ushqimit).
Ndonëse në përgjithësi paguhet më pak se meshkujt, kur bëhet fjalë për pozicionet drejtuese, janë femrat ato që dominojnë. Edhe në 2020-n, “drejtueset administrative dhe komerciale” femra kanë vijuar që të jenë më të mirë paguara sesa meshkujt në të njëjtën pozicion. Drejtueset femra marrin pagat më të larta nga të gjitha grup-aktivitetet për të dyja gjinitë. Në 2020-n, ato u paguan mesatarisht bruto në muaj me 166.4 mijë lekë (mbi 1,300 euro), ose 17% më shumë se meshkujt në pozicionet e drejtuesit administrativ dhe komercial.
“Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara” është grup-profesioni i dytë më i paguar për fermat, me 102.7 mijë lekë në muaj, por në këtë kategori meshkujt paguhen 15% më shumë.
Pas nivelit drejtues, më shumë paguhen “Specialistë të teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, me 96 mijë lekë në muaj, ose 4.5% më pak sesa meshkujt.
Në kategorinë e “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë”, i katërti më i shpërblyer, paga mesatare për femrat ishte rreth 87 mijë lekë, pothuajse në nivele të njëjta me meshkujt e po kësaj kategorie.
Diferenca më e lartë në paga mes meshkujve dhe femrave është në sektorin e industrisë (27%) dhe atë të shëndetësisë (20%). Për pagat e detajuara sipas grup-profesioneve dhe gjinisë (shiko grafikun në fund: Paga mesatare mujore bruto sipas grup profesioneve dhe gjinisë, 2020).
Gratë më pak pronare, kush punon më shumë
Biznesi është “punë” për burrat. Gratë që kanë në pronësi sipërmarrjet, ose i administrojnë ato, zënë një peshë të ulët në totalin e subjekteve në vend.
Sipas INSTAT, në vitin 2020, përqindja e grave pronare ose administratore në ndërmarrjet aktive është 25,5 % nga 25,4 % që ishte në vitin 2019. Përqindja e pronareve ose administratoreve gra është më e lartë në ndërmarrjet e vogla (me 1-4 të punësuar) me 25,8 % gra, përqindje kjo e njëjtë, krahasuar me vitin 2019. Në kategoritë e tjera të ndërmarrjeve ( 5-9 të punësuar, 10-49 dhe mbi 50 punonjës) përqindja e pronareve/administratoreve gra është rritur, krahasuar me vitin paraardhës.
Përqindja e pronareve gra ose administratore në vitin 2020, është rritur, krahasuar me vitin 2019, si përsa i përket bizneseve me aktivitet ekonomik prodhues, ashtu dhe sektorit të shërbimeve. Numri i bizneseve me pronare ose administratore gra është më i madh në Sektorin e Shërbimit, sesa në Sektorin Prodhues, përkatësisht 33,7 % dhe 12,6 %.
Në përgjithësi, sipas anketës së forcave të punës, gratë kanë më pak gjasa të marrin pjesë në tregun e punës. Përsa i përket popullsisë 15-64 vjeç, pjesëmarrja e grave në forcat e punës, ka një rënie të lehtë në vitin 2020, me 61,2 % nga 61,6 % që ishte në vitin 2019.
Sipas arsyeve së inaktivitetit, gratë mbesin jashtë forcës së punës kryesisht pasi janë nxënës, studentë, në trajnim të mëtejshëm, përvojë pune pa pagesë (20,9 %) ose duke përmbushur detyrat shtëpiake (18,8 %). Vetëm 0,6 % e burrave kanë si arsye të inaktivitetit të tyre përmbushjen e detyrave shtëpiake dhe 25,7 % e tyre janë studentë ose nxënës.
Gratë janë më pak të prirura edhe të marrin kredi. Në vitit 2020, numri i huamarrësve në bankat tregtare ishte 338.871, prej të cilëve 56,8 % ishin burra dhe 43,2 % ishin gra. Ato janë dhe më pak “kursimtare” sesa burrat. Numri i depozituesve në bankat tregtare, në vitin 2020 ishte 2.512,365, prej të cilëve 56,5 % janë burra dhe 43.5 % janë gra.
Arsimi, tashmë janë femrat që mbizotërojnë në Universitete, master e doktoraturë
Gjithnjë e më shumë femra, në raport me meshkujt po zgjedhin që të ndjekin shkollën e lartë. Vitet e fundit. Sipas INSTAT, 38.7% e femrave të grup moshës 25-39 vjeç janë me arsim të lartë, përkundrejt 26.4% që është kjo peshë për meshkujt e të njëjtës grupmoshë.
Nuk ka qenë gjithnjë kështu. Diferenca vjen e ngushtohet me rritjen e grup moshës. Për 40-64 vjeçarët, 12.1% e femrave janë me arsim të lartë, përkundrejt 10.8% të meshkujve. Raporti përmbyset për grupmoshën mbi 65 vjeç, ku vetëm 6.1% e femrave janë më arsim të lartë, përkundrejt 10.8% te meshkujt.
Numri i femrave që ndjekin programet master dhe doktoraturë në vitin akademik 2020-2021 ishte gati dy herë më i lartë se i meshkujve, sipas të dhënave të INSTAT.
Burrat dominojnë në Kuvend, gratë në qeveri
Në periudhën 2018-2020, rreth 30% e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ishin gra. Por, rekordin ato e kanë mbajtur para viteve ’90. Sipas të dhënave të INSTAT, që e raporton treguesin e pjesëmarrjes në Parlament sipas gjinisë, që nga viti 1920, pesha më e lartë e tyre raportohet në 1974, me 33.2% të totalit.
Gratë filluan të përfaqësohen në Kuvend për herë të parë në vitin 1945 dhe deri në 1990-n përbënin gati një të tretën e tij. Në fillim të viteve 1990, pesha e tyre ra dukshëm, në 6-7%, ndërsa më pas filloi të rritej gradualisht, duke e kaluar 20%.
Në Europë, sipas Eurostat, peshën më të lartë te grave në Parlament e ka Suedia, me afër 50%, e ndjekur nga Finlanda me 46%, Belgjika me 43%, ndërsa më të ulëtën, Hungaria dhe Malta me nga 13% secila.
Në Qeverinë aktuale nga 15 anëtarë të Kabinetit, 12 prej tyre janë gra, duke u renditur ndër një nga vendet që ka peshën më të madhe të grave ministre në botë. Deri në vitin 2020, rekordin e mbante Spanja me rreth 67% të kabinetit me gra, sipas Visual Capitalist.
Gratë jetojnë më shumë se burrat, Covid shkurtoi jetëgjatësinë e meshkujve me 2.4 vjet
Gratë përgjithësisht pritet që të jetojnë më shumë sesa burrat, për shkak të stilit më të kujdesshëm të jetesës. Deri në vitin 2019, pritshmëria për jetëgjatësinë e grave ishte 80.6 vjeç dhe e burrave 3 vjet më pak (77.6 vjeç).
Megjithatë, për të dy gjinitë jetëgjatësia është shkurtuar në vitin 2020, duke reflektuar pasojat që dha në shëndetin e popullatës pandemia e Covid-19. Në linjë me tendencën në gjithë botën, janë burrat ata që u goditën më shumë.
Totali i jetëve të humbura në vend arriti në një rekord prej 27.6 mijë personash, me një rritje prej 25.8%, ose gati 5.7 mijë persona më shumë.
Por, të dhënat e detajuara të publikuara nga INSTAT për shkaqet e vdekjeve tregojnë se meshkujt kanë qenë më të goditur nga Covid-19. Vdekjet e burrave u rritën me 31.6% në 2020-n, përkundrejt 19.2% të grave.
Si rrjedhojë, jetëgjatësia e meshkujve u shkurtua me 2.4 vjet, duke zbritur në 75.2 vjeç, ndërsa e femrave ra me 1 vit, në 79.6 vjeç. Diferenca mes meshkujve e femrave arriti në rekordin e 4.4 viteve, duke reflektuar vdekshmërinë më të lartë të burrave nga pandemia.
Në vitin 2020, gratë përbënin 50,2% të popullsisë gjithsej.
Mosha mediane për burrat, në fund të vitit 2020 është 36,8 vjeç ndërsa për gratë është 38,6 vjeç. Mosha mediane më e lartë tek gratë shpjegohet, sipas INSTAT me jetëgjatësinë më të lartë të tyre.
Mosha e martesës rritet për femrat, ulet lehtë për meshkujt
Femrat martohen më të reja sesa meshkujt, megjithatë mosha e tyre ka ardhur në rritje, duke reflektuar dhe ndryshimin e stilit të jetesës vitet e fundit. Sipas INSTAT, nga 27 vjeç, që ishte në vitin 2016, mosha mesatare e martesës për femra u rrit në 27.7 në 2020-n.
E kundërta ka ndodhur me meshkujt, që po vendosin të martohen pak më të rinj. Në vitin 2016, burrat martoheshin mesatarisht 31.3 vjeç, ndërsa në 2019-n zbriti në 30.9 vjeç, për tu rritur sërish lehtë në 31.1 vjeç në 2020-n.
Norma e martesave të grave sipas grup moshave ndër vite tregon se ka një rënie të normës së martesës deri në moshën 24 vjeç. Kjo shpjegon dhe rritjen e moshës mesatare në martesë të vajzave, sipas INSTAT.
Paditë për divorc: Janë gratë që po lënë burrat
Gratë janë ato që ndërmarrin më së shumti hapin e parë për të zgjidhur një martesë të palumtur.
Sipas të dhënave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në vitin 2018, rreth 3,600 kërkesa për divorc, ose 54% u bënë nga bashkëshortet. Në 2019-n, rreth 4300 gra iu drejtuan Gjykatës për të kërkuar zgjidhje martese, ose gati 56% e kërkesave.
Arjola Manreka, psikologe, pohon për Monitor se, në vendin tonë janë kryesisht këto arsye që kontribuojnë në divorc: abuzimi fizik, problemet financiare, infertiliteti, pabesia apo tradhtia dhe konfliktet mes tyre ose me familjarë të përfshirë. Sipas saj, fuqizimi i grave ka çuar në një rritje të divorceve sepse nuk e kanë më të vështirë ekonomikisht të ‘mbijetojnë’ pas martese, ashtu sikurse edhe opinioni që dikur i rëndonte, tani nuk përbën problem madhor.
Viti 2019 shënoi dhe numrin rekord të divorceve në vend, me gati 8 mijë të tilla, me një rritje prej 17.3% në krahasim me vitin e mëparshëm. Emigracioni, pavarësia ekonomike e grave, mosmarrëveshjet financiare kryesojnë listën si arsyet kryesore pse po divorcohen shqiptarët. Shifrat treguan për 2019 se kishim 26.1 divorce për 100 martesa.
Në vitin 2020, sipas Ministrisë së Drejtësisë, numri i divorceve ka rënë ndjeshëm, duke zbritur në rreth 6 mijë, me një tkurrje prej 26.45 me vitin e mëparshëm. Kjo rënie reflekton situatën e krijuar nga pandemia, që çoi ndër të tjera dhe në mbylljen e Gjykatave dhe shtyu shqyrtimin e kërkesave për divorc./MONITOR
Discussion about this post