Sanksionet e perëndimit i kanë prishur qetësinë manjatit rus, Roman Abramovich. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters njoftoi se jahti i Abramoviç, “Solaris” kishte ndezur motorët në brigjet e Shqipërisë të martën në mëngjes me statusin “në pritje të urdhrave”. Po për këtë lajm ka reaguar edhe qeveria shqiptare e cila e ka hedhur poshtë lajmin e Reuters, duke shpjeguar se si qëndron e vërteta.
Ministria e Mbrojtjes dhe asaj të Infrastrukturës, përmes një komunikimi zyrtar thekson se mjeti lundrues aktualisht është duke lundruar në ujërat ndërkombëtare, midis Italisë dhe Shqipërisë.
“Lidhur me lajmin e publikuar sot në media, për hyrjen në ujërat territorialë të Republikës së Shqipërisë, të një mjeti lundrues në pronësi të shtetasit rus, Roman Abramovich, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se: Nga verifikimet e kryera në sistemet e monitorimit të trafikut detar “Marine Traffic” rezulton se mjeti lundrues “Solaris” është nisur nga Porti turistik Marina Montenegro në Tivat, Mali i Zi dhe po lëviz për në jug drejt Detit Mesdhe. Jahti i Abramoviç aktualisht është duke lundruar në ujërat ndërkombëtare, midis Italisë dhe Shqipërisë, në drejtim të Jugut dhe nuk ka ndaluar apo hyrë në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë” – thuhet në reagim.
Discussion about this post