Ndonëse ka emigruar nga Tirana në Berlin që prej vitit 1990, Angjelina Haxhija nuk e ka harruar traditën shqiptare, mikpritjen, por ka hapur dyert për 6 ukrainas të cilët u larguan për t’i shpëtuar tmerrit të luftës. Prej datës 6 mars, Haxhija ka strehuar ukrainasit, ndërsa tregon për Report Tv se si ra në kontakt me ta. Përmes një grupi në WhatsApp që kanë hapur mikeshat e saj, Haxhija mori njoftimin për një ukrainase që së bashku me djalin kishte mbetur në stacionin e trenit në Berlin.
Plani i saj ishte që të strehonte vetëm dy refugjatë nga Ukraina, por shqiptarët iu gjendjen gjithmonë pranë njerëzve në nevojë, e kështu Haxhija tregon se strehoi edhe katër refugjatë të tjerë. Haxhija nuk i ka të bijat në shtëpi pasi janë martuar, por zemra e saj u mbush plot gjallëri nga këta mysafirë.
“Kemi 6 veta, kemi shtëpinë tonë private në Berlin, jam nëna e tre vajza, fëmijët janë martuar, shtëpia jonë kishte hapësirë për t’i dhënë një çati. Prandaj vendosëm t’i marrim menjëherë. Shumë vajza kanë hapur grup për të ndihmua refugjatët që vijnë nga stacioni kryesor i trenit në Berlin. Kishin shkruajtur ju lutem ndihëm sa më shpejt se ka mbetur një grua me një fëmijë. Dikush me shkruajti që ka mbetur tek stacioni i trenit dhe s’ka kush ta marri. Telefonova vajzën dhe shkoi e mori. Doli një lajm të nesërmen se kërkoheshin sanduiçë. Ditët e para Berlini dhe njerëzit u majtën me ndihma private. Përgatitëm 250 sanduiçë. Natalinës iu luta të vinte tek unë, ajo tha kam mamin djalin dhe mbesën rrugëve. I thash nuk është problem i marr unë. I kam marrë që në datën 6, me datë 9 ka ardhur e ëma ka marrë dhe mbesën, 6 kjo tjetra me vajzën”, shprehet Haxhija.
Në ‘Studio Live’ tregon se me këtë situatë janë solidarizuar të gjithë shqiptarët në Berlin. Ata i janë gjendur pranë familjes Haxhija me ndihma ushqimore e veshmbathje për refugjatët nga Ukraina.
“Gjithë rrobat tona, i çuam në Ukrainë, nuk isha shumë rroba kur erdhën, shqiptarë e Berlinit më sollën shumë rroba shumë lodra për fëmijë”, vijon ajo.
Në shtëpinë e saj private në Berlin, Haxhija po strehon një ukrainase me vajzën, dhe një familje me katër anëtarë. Dy gratë ukrainase i kanë bashkëshortët në luftë.
“Këto dy gratë i kanë të dy burrat në Ukrainë në luftë. Zonja ka nusen dhe djalin në luftë. Ato e duan vendin e tyre. Ato janë krenare që janë ukrainase”, tregon ajo.
Njëra nga ukrainaset tregon për Report Tv sesi ndihet nga mikpritja e një familje shqiptare. Ajo thotë se bashkëshorti i saj po trajnohet për të luftuar.
“Nga Kiev, situata është e vështirë. Shumë viktima, i lexoj lajmet çdo ditë me shumë shqetësim. Unë po marr ndihmë nga Perëndimi, sepse jam këtu tani. Bashkëshorti? Ai u largua nga Kievi, sepse nuk mësoi sesi të luftonte dhe shko në një kamp që po trajnohet, po jem ndihmë financiare për ushtrinë ukrainase. Është shumë mirë, ndihem shumë mirë sidomos pasi u largova nga. Shumë njerëz pavarësisht se janë ndihmuar nga gjermanët ndihen ende të përhumbur për shkak të situatës që është ende në Ukrainë. Ne po jetojmë për një ditë, nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e ardhmja”, tha ukrainasja në Report Tv.
Pavarësisht se lufta ua ktheu jetën përmbys, kjo familje shqiptare u solli shpresë ukrainaseve se jeta vazhdon. Ato po integrohen në Berlin, tre gratë ukrainase kanë nisur një kurs për gjuhën gjermane, të ofruar nga një kompani për vetëm 25 centë vetëm për refugjatët që vijnë nga Ukraina. Ndërsa tre fëmijët ukrainas do të fillojnë shkollën. Pavarësisht se Haxhia po përballon këtë situatë me shpenzimet e saj, ajo nuk do ua mbyllë derën refugjatëve, por thotë se do t’i mbështesë ata deri në momentin e fundit kur të jenë gati për t’u larguar.
“Ka hapur një program për gratë nga Ukraina, 25 centë në muaj, mësojnë dy orë. 17-vjecari nis shkollën me 28, të hënën dhe dy vajzat fillojnë shkollën. Asnjë fëtigë nga shteti, të gjitha vijnë nga bamirësitë, nga shoqëria, shoqet e punës, vajzat, kunatat. Sjellin rroba, patate, mund të jetë gjë e vogël, por për mua është shumë në këtë moment. Iu them kam nevojë për këpucë për djalin, nesër do sjellin dy palë këpucë”, tha ajo.
Në fund ajo kishte edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët: “Hapni dyert edhe zemrën”./ shqiptarja.com
Discussion about this post