Lokali ku ndodhi dje krimi i rëndë, ku vjehrri qëlloi për vdekje bashkëshortin e së bijës, me të cilin ishin në proces divorci, është një nga më të frekuentuarit në atë zonë, kjo edhe për arsye se ndodhet pranë Gjykatës së Tiranës.
Kryesisht frekuentohet nga avokatët dhe klientët e tyre, por edhe nga gazetarë. E njëjta situatë ka qenë edhe dje. Në lokal ndodhej viktima me avokatin e tij, por edhe autori, ndonëse në një tjetër tavolinë. Ndërsa dëshmitarët kanë qenë të shumtë.
Pas të shtënave, shumë pak persona kanë qëndruar brenda, të tjerët kanë nxituar të dalin nga aty, pasi kanë qëndruar barkas për pak sekonda, derisa nuk kanë dëgjuar më krisma dhe kanë parë autorin të dalë jashtë. Policia ka marrë në pyetje disa prej dëshmitarëve që kanë sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërsa ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë.
Një prej dëshmitarëve të vrasjes së Kudret Saliajt dje në Tiranë ka treguar momentin e ngjarjes që shkaktoi panik në lokalin ku ai po pinte kafe. Dëshmitari, i cili nuk preferon të identifikohet me emër, tregon se viktima ka qenë në tavolinë më burrin që mbeti i plagosur (avokati i tij Adriatik Cama) dhe me një grua, që ishte punonjëse sociale, e cila do merrte pjesë në procesin e divorcit.
Ai thotë se në një tjetër tavolinë ka qenë i ulur edhe autori i ngjarjes (Mexhit Picarit), ndërsa kur e pyesim nëse viktima ka pasur me vete edhe djalin, ashtu siç u raportua dje në media, dëshmitari tregon se nuk ka parë fëmijë në tavolinë, por as në lokal.
“Fëmija mund të ketë qenë jashtë dhe ka ardhur pas ngjarjes, por aty unë nuk kam vënë re të kishte fëmijë”, tregon dëshmitari. Më tej, ai tregon rrethanat se si ndodhi ngjarja.
“Autori është ngritur nga tavolina ku ishte ulur dhe i ka shkuar viktimës nga pas. Nuk e di pse viktima është ngritur në këmbë para se të qëllohej, por fiks në momentin që është dëgjuar krisma e parë viktima ishte në këmbë. Por nuk ka arritur të kthehej përballë autorit, pasi ai e ka qëlluar pas shpine. Kam dëgjuar 5-6 të shtëna dhe kam nxituar të dal jashtë, sapo pashë që krismat pushuan dhe autori po nxitonte të largohej”, tregon dëshmitari.
Ai e përshkruan autorin si polic apo ushtarak, pasi sipas tij ishte shumë këmbëngulës dhe qëlloi disa herë nga afër. Ndërsa tregon se pas të shtënës së tretë viktima u rrëzua në tokë, ndërsa autori u kthye edhe një herë për t’u siguruar që ai kishte vdekur.
“Na kapi paniku të gjithëve sa ishim në lokal dhe disa u shtrinë barkas e të tjerë nxituan të largoheshin. Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Plumbat mund të mos kursenin asnjërin prej nesh”, shprehet dëshmitari.
Përveç deklarimeve që u janë marrë dëshmitarëve nga oficerët e grupit hetimor, janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë.
Përmes tyre dhe dëshmitarëve do të plotësohet dosja e plotë dhe referimi që do të depozitohet në Prokurorinë e Tiranës, për “Vrasje me dashje”./Panorama.al