Eksperti mjedisor, Abdulla Diku ka publikuar foto nga lumi Shkumbin, shtrati i të cili shihet tërësisht i thatë, si pasojë e digës.
Në një status në Facebook, në kuadër të 5-Qershorit që është dita botërore e Mjedisit, Diku shkruan se sasia e ujit që ka mbetur në shtratin e lumit është ajo që i ka shpëtuar digës së koncensionarit, të cilin e quan ‘thithës të gjakut të akosistemeve tona’.
Diku ngre alarmin teksa shton se çdo ditë e më tepër, dhjetëra koncnsione janë në radhë për të marrë dritën jeshile për të vijuar me projektet dhe për të shkatërruar lumenjtë e përronjtë tanë, që është një pasuri Kombëtar e cila u duhet lënë pasardhësve. Për Dikun, 5-Qershori në Shqipëri është thjesht një fasadë.
Statusi i plotë:
Sot është dita botërore e mjedisit! Ky është lumi i Shkumbinit, afër kanioneve të Llëngës, zanafilla e lumit pak a shumë. Rrjedhja ekologjike duhet të jetë 30-40% në lum, në letra bëhet fjalë, gjithnjë. Në realitet sasia e ujit që ka mbetur në shtratin e lumit është kjo që shihni. Gjykojeni vetë përqindjen e ujit që i është vjedhur digës…për të udhëtuar në shtratin natyral. Në fakt, ajo që rrjedh në shtratin e lumit është vetëm ajo pikë uji që i ka ikur digës së betonit pa lejen e pronarit. Pronari është privat, nuk i intereson uji në shtratin e lumit, as e mira publike, as biodiversiteti e peizazhi. Atij i interesojnë vetëm fitimet e tija. Përveçse nuk mirëmban asnjë rrugë a të ofrojë ndonjë shërbim për komunitetin, prish edhe ato ekzistueset. Sa veta dhe sa institucione paguhen për ta monitoruar?! Sa për “vetë-monitorimin” e shihni vetë ju.
Është fillimi i verës dhe konçensionari nuk lejon asnjë pikë uji në lum. Njëlloj është situata në 850 konçensionet e dhëna në vend. Kemi konçensionarë që vjedhin ujin pa u shqetësuar nga askush, kemi institucione anemike, të paafta e që nuk do ta kuptojnë kurrë përse ekzistojnë. Rezultati për të mirën publike mbeten lumenjtë e shkretuar nga gjithçka. Uji është jetë edhe për ekosistemin, jo vetëm për njeriun. Ne kemi zgjedhur ta përdhunojmë ujin e ekosistemeve tona lumore, me vetëdije dhe vetëm në përfitim të privatit. Nuk është e vështirë për të pyetur a kuptuar përse! Data 5 Qershor simbolizon ditën botërore të mjedisit, e nisur nga Kombet e Bashkuara si një fushatë ndërgjegjësimi dhe veprimi për mjedisin. Sot në këtë ditë të shënuar mjedisore, kjo është gjendja e fotografuar në njërin prej 850 HEC-et tona të dhëna me konçension, që po shkatërrojnë 850 lumenj e përrenj kudo nëpër Shqipëri.
Ndaj ne 5 Qershorin e kemi vetëm fasadë, një ditë e cila synon të fshehë 364 ditët e përdhunimit që i bëjmë mjedist, shtëpisë tonë të përbashkët. Nuk mbulohet Dielli me shoshë thotë sovrani, ndërsa konçensionari që …’thith gjakun e ekosistemeve tona…’ vazhdon të fitojë paligjshmërisht prej pasurisë tonë publike. E ndërsa unë ju lexoni këtë status, me dhjetra e qindra kërkesa konçensionesh presin semaforin e gjelbër që të nisin maskaradën e radhës ndaj burimeve tona ujore. “Bota, ajri, toka dhe uji nuk janë një trashëgimi nga të parët tanë por janë hua që janë marrë ndaj fëmijëve tanë. Kështu që ne duhet t’jua lëmë atyre të paktën ashtu siç na u lanë neve nga të parët tanë…”- Gandi. Tashmë jemi shekuj larg kësaj thëne të Gandit, dhe vetëm sa hyjmë gjithnjë e më shumë në borxhe ndaj fëmijëve, për të mos ju lënë asgjë atyre dhe çdo pasardhësi që do lindë në këto troje. Në Shqipëri, si për çdo gjë të keqe, politika dhe shkatërruesit e burimeve tona natyrore “përputhen”!