Avokati i Popullit ka zhvilluar tender pa garë për të marrë fuoristradë të re në kohë krize për Shqipërinë.
Tenderi me numër REF-21632-03-10-2022 me qëllim blerjen e një automjeti për institucionin në kohë krize shpalos arrogancën dhe mungesën e empatisë të institucioneve shtetërore për krizën e çmimeve që ka kapur shqiptarët i cili është fituar nga PORSCHE ALBANIA SH.P.K.
Ministria e Financave shkurtoi disa shpenzime duke u përpjekur të tregojë solidaritet me qytetarët por masat për kursim më shumë ishin propagandë qeveritare sepse Avokati i Popullit ka kërkuar një makinë e cila ka konsum të lartë karburanti në një kohë që karburanti është shtrenjtuar ose mund të mos ketë fare siç tha edhe kryeministri Edi Rama.
Tek dokumentat standarte të tenderit specifikohet që makina duhet të jetë fuoristradë 4herë4 që siç e dimë janë makina të konsumit të lartë. Por kërkesat e zyrës së avokatisë nuk mbarojnë me kaq sepse makina duhet të jetë e re dhe e vitit 2021-2022. Kështu, kërkohet që mjeti të jetë me zero kilometra, fuqia minimale e motorit jo më pak se 150 Hp, norma e ndotjes Eur6, marshe automatike me 7 raporte dhe me shpejtësi maksimale jo më pak se 180 km/h.
Përpos arrogancës dhe indiferencës me fondet publike të cilat ushqehen me taksat e shqiptarëve, zyra e Avokatit të Popullit lë dyshime për korrupsion dhe klientelizëm për këtë tender sipas Open Data Albania.
Vetë tenderi rezulton të jetë i dyshimtë, pasi kemi të bëjmë me mungesë totale konkurrence. Në tender ka marrë pjesë vetëm një kompani, PORSCHE ALBANIA SH.P.K e cila administrohet nga Gentian Bushati. Për të qenë më konkretë, bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-21632-03-10-2022 dhe me objekt “Blerje automjet për institucionin”.
Oferta e PORSCHE ALBANIA e cila është shpallur fituese automatikisht është 3,250,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 40 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nga kërkimet tona rezultoi se kompania nuk e ka herën e parë që merr tendera me flamuj të kuq për të cilët ka mungesë konkurrence.
Në listën e tenderave të padyshimtë shfaqet përsëri bashkia e Tiranës e cila i ka dhënë një tender me vlerë 553 milionë lekë të vjetra me TVSH në vitin 2017. Mungesa e konkurrencës nuk është një rast i izoluar por një sëmundje që ka prekur pushtetin qendror dhe vendor dhe kostoja shfaqet në raportet e KLSH-së dhe në paaftësinë e qeverisë për të indeksuar rrogat në kohë krize.
Shteti shqiptar ka buxhet për të përballuar indeksim rrogash por nuk mund ta bëjë sepse duhet të indeksojë keqmenaxhimin e fondeve publike të cilat shkojnë për të njëjtat kompani, me procedura favorizuese.
Discussion about this post