Nga Niall Ferguson “Bloomberg”
Unë kam argumentuar më herët se sot situata globale, i ngjan më shumë viteve 1970 sesa çdo periudhe tjetër të kohëve të fundit. Gjendemi në një Luftë të re të Ftohtë. Ne kishim tashmë një problem me inflacionin e lartë. Lufta në Ukrainë, është si sulmi i shteteve arabe ndaj Izraelit në vitin 1973 apo pushtimi sovjetik i Afganistanit në vitin 1979.
Ndikimi ekonomik i luftës tek çmimet e energjisë dhe ushqimeve, po krijon rrezikun e stagflacionit. Por a mund të supozojmë se nuk është 1979, por 1939, siç ka argumentuar historiani Sean McMeekin ? Por pozita e Ukrainës është shumë më e mirë se ajo e Polonisë në vitin 1939.
Armët perëndimore po arrijnë me shumicë në Ukrainë. Kjo nuk ndodhi me Poloninë pas pushtimit të Gjermanisë naziste. Ukraina përballet vetëm me një kërcënim nga Rusia, ndërsa Polonia u nda midis Hitlerit dhe Stalinit. Nga ana tjetër, nëse dikush e mendon Luftën e Dytë Botërore si një grumbullim luftërash të shumëfishta, paralelizmi nis të duket si më e besueshëm. Ja cilët janë 7 skenarët që mund të shpalosen më tej, si pasojë e luftës në Ukrainë:
A do të arrijnë rusët të marrin Kievin dhe rrëzojnë presidentin Zelenskiy brenda disa javësh apo asnjëherë?
Përgjigja duket të jetë “asnjëherë”. Megjithëse është e mundur që Kremlini të ketë tërhequr vetëm përkohësisht disa nga forcat e tij nga rrethinat e Kievit, tani ka pak dyshime se ka pasur një ndryshim plani. Më 25 mars, gjeneralët rusë deklaruan për mediat se nuk kishte qenë asnjëherë synimi i tyre pushtimi i Kievit apo Kharkiv,dhe se sulmet atje kishin për qëllim vetëm të shpërqendronin dhe dëmtonin forcat ukrainase.
Objektivi i vërtetë rus, ishte kontrolli i plotë i rajonit të Donbasit në lindje të vendit. Kjo tingëllon si një racionalizim i humbjeve shumë të rënda që kanë pësuar rusët që nga fillimi i pushtimit të tyre. Sidoqoftë, tani do të shohim nëse ushtria e Putinit mund ta arrijë këtë qëllim më të kufizuar duke rrethuar forcat ukrainase në Donbas dhe ndoshta siguruar një “urë tokësore” nga Rusia në Krime përgjatë bregut të Detit Azov. E sigurt është se ky do të jetë një proces relativisht i ngadaltë dhe i përgjakshëm, siç e ka bërë të qartë beteja brutale për Mariupolin.
A do të nxisin sanksionet një rënie ekonomike aq të madhe në Rusi, saqë Putini nuk do të mundet të arrijë fitoren?
Sigurisht, ekonomia ruse është goditur rëndë nga sanksionet perëndimore. Por unë mbetem i mendimit se ajo nuk është goditur mjaftueshëm sa për t’i dhënë fund luftës. Për sa kohë që qeveria gjermane i reziston embargos ndaj eksporteve të naftës ruse, Putini është ende duke fituar sasi valute të mjaftueshme për të mbajtur në këmbë ekonominë e tij të luftës.
Dëshmia më e mirë për këtë, është rimëkëmbja e jashtëzakonshme e kursit të këmbimit të rublës në raport me dollarin. Para luftës, 1 dollar blinte 81 rubla. Pas pushtimit, kursi i këmbimit ra në 140. Të enjten ai u kthye në 81, duke reflektuar një kombinim të pagesave të huaja për naftën dhe gazin, dhe kontrollin e Moskës mbi kapitalin.
A do të nxisë kombinimi i krizës ushtarake dhe ekonomike një grusht shteti në Kremlin kundër Putinit?
Administrata Biden, shpreson tek ndryshimi i regjimit në Moskë. Qeveria amerikane e ka cilësuar Putinin jo vetëm si një kriminel lufte, dhe ka nisur procedurat për ndjekjen penale të ushtarakëve rusë për krimet e luftës në Ukrainë. Por fund të fjalimit të tij në Varshavë, Joe Biden tha hapur:”Për hir të Zotit, ky njeri s’mund të qëndrojë në pushtet!”. Unë s’kam asnjë dyshim se SHBA (dhe të paktën disa nga aleatët e saj evropianë), po synojnë ta heqin qafe Putinin.
A po e çon dështimi Putinin drejt rrezikut të ndërmarrjës së hapave të dëshpëruara, si për shembull përdorimit të armëve bërthamore?
Biden dhe këshilltarët e tij duken shumë të sigurt se kombinimi i dështimit të fushatës në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë, do të shkaktojnë në Moskë një krizë politike të krahasueshme me atë që e shpërbëu Bashkimin Sovjetik 31 vjet më parë.
Por Putin nuk është si despotët e Lindjes së Mesme, që u rrëzuan nga pushteti gjatë Luftës së Irakut dhe Pranverës Arabe. Ai ka armë të shkatërrimit në masë, përfshirë arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë, si dhe armë kimike dhe biologjike.
Ata që shpallin para kohe fitoren e Ukrainës, duket se harrojnë se sa më keq të shkojnë gjërat për Rusinë në luftën konvencionale, aq më i madh bëhet probabiliteti që Putin të përdorë armë kimike ose armë të vogla bërthamore.
A mund ta shpëtojnë Putinin kinezët, me kushtin që ai të pranojë një paqe kompromisi që i ofron Pekini si ndërmjetës?
Tashmë është shumë e qartë se qeveria kineze do të jetë në anën e Rusisë, por jo në masën që do të shkaktonte vendosjen e sanksioneve dytësore të SHBA-së ndaj kompanive kineze. Unë nuk pres më që Kina të luajë rolin e ndërmjetësit të paqes. Këtë e konfirmoi edhe samiti virtual i të premtes midis liderëve të Bashkimit Evropian dhe Kinës.
A do të nisë të shfokusohet vëmendja e publikut nga kjo luftë?
Në muajt e ardhshëm, mbështetja e publikut perëndimor për kauzën ukrainase, do të testohet jo pak nga rritja e vazhdueshme e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve, e kombinuar me një perceptim të gabuar se Ukraina po e fiton luftën.
Cili është dëmi anësor i luftës në Ukrainë?
Bota ka një problem serioz me inflacionin në rritje. Sa më gjatë të vazhdojë kjo luftë, aq më serioz është kërcënimi i stagflacionit (inflacion i lartë, por me një rritje ekonomike të ulët, pa rritje fare, ose edhe negative). Ky problem do të jetë më serioz tek vendet që mbështeten shumë tek Ukraina dhe Rusia jo vetëm për energjinë dhe grurin, por edhe për plehrat kimike, çmimet e të cilave janë dyfishuar si rezultat i luftës.
“Atëherë, çfarë do të ndodh më pas?”- është pyetja që më bëhet vazhdimisht. Për këtë, le t’i kthehemi shkencës politike, duke filluar me skenarin optimist. Shumica e luftërave janë të shkurtra. Sipas një artikulli të vitit 1996 nga D.Scott Bennett dhe Allan C. Stam III, luftërat mesatare që janë zhvilluar midis vitve 1816-1985, kanë zgjatur vetëm 15 muaj.
Më shumë se gjysma e luftërave të marra në analizë (60 për qind) zgjatën më pak se 6 muaj, dhe gati një e katërta (23 për qind) më pak se 2 vite. Më pak se një e katërta (19 për qind) zgjatën më shumë se 2 vjet. Prandaj, ekziston një shans i mirë që lufta në Ukrainë të përfundojë relativisht shpejt.
Marrë me shkurtime
Shënim:Niall Ferguson, anëtar i Institutit Huver në Universitetin e Stenfordit, SHBA. Më herët ka qenë profesor i historisë në Univesitetet e Harvardit, Nju Jorkut dhe Oksfordit.
Discussion about this post