Pasditen e 21 shtatorit 2019, Shqipëria u trondit nga një tërmet i fortë. Qindra qytetarë në Tiranë, Durrës, Krujë dolën nga shtëpitë e tyre të tmerruar. Situata ishte kaotike. Dëmet materiale mendoheshin të ishin të mëdha, ndërsa në spitalin e Traumës mbërritën të lënduarit e parë. Në dyert e ish-ushtarakut zbarkuan dhjetëra gazetarë e kamera, për të kuptuar më qartë pasojat që mund të kishin sjellë lëkundjet sizmike. Pranë të lënduarve u njoftua se do të mbërrinte edhe kryeministri Edi Rama, i cili sipas njoftimeve atëkohë vendosi të shkurtojë axhendën e tij jashtë vendi.
Por ndërsa pritej eskorta, për të cilën policia dhe punonjësit e Gardës qëndronin në gatishmëri, kamerat fiksuan këto pamje. Dy automjete luksoze u ndaluan në urgjencën e Traumës. Eksponentë të botës së krimit, nxorën nga njëra prej tyre, një të plagosur. Pak minuta më vonë, mbërriti dhe një grua e plagosur rëndë. Pamje të cilat nuk kishin lidhje me fatkeqësinë natyrore që kish goditur vendin, por me një ngjarje kriminale që ishte zhvilluar në Nikël, pak kilometra larg Spitalit të Traumës, ku po zhvillohej e gjithë kjo skenë, ku siç u mësua shpejt dhe siç dallohet edhe në këto imazhe të siguruara nga ajo natë, personazhi që do të mbahej në krah nga shokët e tij do të ishte Marklen Haka. I dyshuar si anëtar i “Bandës së Niklës”, i cili ishte qëlluar me breshëri plumbash pranë fortesës së tij në fshatin Zezë të rrethit Krujë, ku edhe pse vetë i shpëtoi plagëve të rënda, plumbave nuk mundi t’i shpëtonte halla e tij Shpresa Basha.
Por ajo që tronditi më pas, nuk ishte vetëm forca e këtij grupi kriminal për të zhvendosur qoftë edhe axhendën e një kryeministri, por edhe mënyra se si një togë pushkatimi mundi të futej mbrëmjen e 21 shtatorit 2019 në Nikël. E cilësuar si një nga zonat më të fortifikuara të krimit në zonën e Krujës, aty ku edhe vetë shteti shpeshherë është treguar i pafuqishëm për të vepruar, një zonë, ku thuhet se nuk mund të futet askush tjetër pa lejen e bosëve lokalë të lidhur me eksponentë të politikës. Nga ku për të kuptuar në fakt se sa e vështirë ishte të futeshe në këtë zonë, mjafton të shikojmë përshkrimin që raporti policor i bën banesës së Marklen Hakës për të kuptuar masat me të cilat ruheshin bosët e krimit në zonë. Por edhe sesi grupi kriminal me 6 anëtarë kishte mundur të futej në këtë fshat.
Raporti policor
“Më datë 21 shtator 2019, është njoftuar salla operative se në fshatin Zezë, Nikël, janë plagosur Marklen Haka dhe halla e tij Shpresa Basha, e cila më vonë nga plagët e marra ka gjetur vdekjen në spital. Banesa e Marklen Hakës është një banesë dykatëshe, e rrethuar me mure dhe me portë metalike dy kanatëshe, ndërsa ajo njëkanatëshe ndodhet në drejtim të krahut jugor. Në sheshin përpara portës, që të nxjerr në rrugën e asfaltuar që lidh fshatin Nikël me lagjen Zezë, gjithashtu dhe një shesh që ndodhet në anën perëndimore të asfaltit janë gjetur gjithsej 85 gëzhoja model 56 kalibri 7.62 mm.”
MARKLEN HAKA
“Më datë 20 shtator 2019, rreth orës 22:00, kam qenë vetëm tek kalçeto në Nikël, në pronësi të Ylli Çangut. Më ka telefonuar nipi im Ervis Basha dhe më ka thënë se janë 4 persona me uniformë policie, te porta kryesore e banesës time. I kam thënë po shkoj të shoh, ndërsa ai ka vazhduar me këmbë drejt shtëpisë së tij. 5 apo 7 minuta më vonë kam mbërritur te shtëpia, por nuk kam parë asnjë person. Kam menduar se është policia dhe nuk kam njoftuar askënd për këtë ngjarje. Kam kontrolluar vendin përreth dhe kam parë se në skarpatin e lumit, kishte shenja dheu të rrëshqitshme dhe degë pemësh të thyera.”
Siç thotë dosja hetimore, mbrëmjen e ngjarjes, Marklen Haka mbërriti në shtëpinë e tij rreth orës 21:00. Mbrëmja po kalonte qetë për të dhe familjarët. Por gjithçka do të ndryshonte pikërisht në momentin kur kushëriri i tij që kishte dalë për të parë një ndeshje futbolli i rrëfen i shqetësuar se tek lumi, shumë pranë shtëpisë, kishte dëgjuar zhurmë. Marklen Haka, mesa duket shqetësohet. Sepse një ditë më parë, nipi e kishte informuar se pranë shtëpisë kishte parë persona të armatosur e të veshur me antiplumb. Markleni nuk kishte reaguar një ditë përpara dhe as kishte marrë masa për t’u mbrojtur, sepse kishte besuar se ishte policia. E me këtë të fundit punët s’i kishte fort mirë. Kishte vetëm dy muaj që kishte dalë nga burgu, e me gjasë nuk donte telashe të reja.
Por, pas rrëfimit të kushëririt, ai vendos të “hedhë një sy rreth e përqark, pasi siç duket po ndjente frikë e shqetësim. Siç rezulton nga hetimi, kushëriri dhe nipi i Marklen Hakës dalin me elektrikë në dorë të kontrollonin zonën përreth. Pas tyre, del Markleni dhe halla e tij Shpresa Basha. Në këtë moment, 3 persona të armatosur hapin zjarr drejt tyre. Siç del hetimi dy qitës qëlluan në drejtim të Shpresa Bashës, ndërsa një tjetër drejt Marklenit. Mesa duket errësira, bëri që ata të mos e shquanin objektivin e tyre, sepse Marklen Hakën e kapën plumba vetëm në krah, ndërsa halla u qëllua me disa të tillë. Në vendin e krimit, policia mblodhi 85 gëzhoja, që ishin qitur nga 3 armë të ndryshme. Ja si e shpjegon këtë moment, shënjestra e atentatit të mirëorganizuar, por që mundi të mbijetonte.
MARKLEN HAKA
“Më datë 21 shtator 2019, kam shkuar rreth orës 2100 në shtëpi, ku kishin ardhur për vizitë motra ime dhe halla ime Shpresa Basha. Kemi qëndruar të gjithë së bashku për darkë, aty ishte dhe djali i xhaxhait tim Egustian Haka. Gusti doli për të parë ndeshjen Inter-Milan. Ai është kthyer rreth orës 2300, dhe ka parkuar automjetin para shtëpisë time. Erdhi tek unë dhe më tha se tek skarpati e lumit, kishte dëgjuar zhurmë. Më ka thënë hajde të dalim të shikojmë njëherë. I kam thënë Gustit dhe nipit Ervis Basha të marrin nga një elektrik dhe të kontrollonim skarpatin e lumit. Të dy kanë dalë nga banesa duke kontrolluar, ndërsa unë me hallën Shpresën kemi dalë tek porta kryesore. I kam thënë Shpresës të kthehet në shtëpi, por ajo nuk më dëgjoi. Pasi kam bërë 4-5 hapa nga porta kryesore, kam dëgjuar breshëri automatiku, po qëllohej drejt meje. Kam ndjerë që u plagosa te krahu i djathtë.”
Ndonëse i plagosur lehtë, Markleni nuk u ngjit në makinë, të nisej drejt spitalit. Duket se frika se mos binte sërish në pritën e grupit të armatosur, bëri që ai të kërkonte ndihmën e xhaxhait, por ky i fundit kishte dalë në kërkim të birit. Ndaj, ai vendos të kërkojë ndihmën e mikut të tij, Indrit Rrajës. Ky i fundit nuk vonoi, bashkë me Valter Bamin dhe miq te tjerë eskortuan të plagosurin drejt spitalit të Traumës.
MARKLEN HAKA
“Kam ikur me vrap dhe kam hyrë tek shtëpia e xhaxhait dhe i kam kërkuar atij të më dërgonte në spital, pasi po humbisja shumë gjak. Familjarët ishin të hutuar, pasi po kërkonin Ervisin dhe Gustin. Unë kam telefonuar shokun tim, Indrit Rraja që të vinte me makinë dhe të më dërgonte në spital.”
Por a i shqoi Marklen Haka personat që qëlluan mbi të dhe hallën? Dhe ky dyshonte ai? A kishte ai konflikte dhe nëse po tek kush dyshonte?
Por këtyre pyetjeve të hetuesve, shënjestra e atentatit nuk ia dha asnjë përgjigje.
MARKLEN HAKA
“Nuk i kam parë personat që më qëlluan, pasi ishte errësirë. Dua të sqaroj se unë nuk kam asnjë konflikt dhe nuk dyshoj tek askush”.
Po përse heshti ai? Cfarë po ndodhte atëkohë në Nikël? Emisioni “Në Shenjestër” do të ndalet tek pistat ku po heton prokuroria, në lidhje me këtë ngjarje, që lidhen me të paktën dy ngjatrje, njera në Lezhë e tjetra në Durrës, por këtë do ta bëjë në vijim.
Në këtë pjesë, do zbardhim edhe dëshminë e Egustian Hakës, djali i xhaxhait të Marklen Hakës, rrëfim që nxjerr në dritë edhe faktin, se si komandot që po përgatisnin atentatin, e kishin nisur punën shumë më herët se ajo natë për eleminimin e Marklen Hakës. Kjo sepse, sikurse vlerësojnë hetuesit ata kanë punuar për një kohë të gjatë për të shmangur të gjitha kamerat në zonë, duke mos lënë asnjë gjurmë pas.
EGUSTIAN HAKA
“Më 21 shtator 2019, rreth orës 23:30, jam ndodhur në oborrin e banesës së djalit të xhaxhait tim, Marklen Hakës. Aty ishim unë, babai im, halla Shpresa Basha dhe nipi Ervis Basha. Pasi kemi ngrënë darkë, kemi dëgjuar zhurma që vinin nga lumi. Dëgjova se nga bregu i lumit që është pranë portave të banesave tona, po rrëshqiste zhavorr, duke na lënë përshtypjen se dikush po kalonte aty. Meqenëse kishim dijeni se një natë më parë, më datë 20 shtator 2019, rreth orës 21.00 nipi Ervis Basha përballë portës së banesës së Marklenit kishte parë gjashtë persona të armatosur (ata nuk e kishin parë Ervisin) kemi vendosur të dilnim dhe të verifikonim se kush po e shkaktonte këtë zhurmë”.
Po si shpëtuan kushëriri dhe nipi Marklen Hakës, nga breshëria e armëve. Egustiani, që e thërrasin shkurt Gusti, jep këtë version…
EGUSTIAN HAKA
“Meqenëse vendi është i ndriçuar nga prozhektorët unë kam marrë një elektrik makine dhe së bashku me nipin Ervis Basha, kemi dalë sipër urës së lumit për të parë faqen e bregut të lumit nga po vinte zhurma përballë banesës së Marklenit. Sapo kemi mbërritur tek ura nga porta e oborrit të banesës, kanë dalë halla Shpresa, motra e Marklenit dhe vetë Markleni. Në këtë moment, unë kam lëshuar dritën e elektrikut dhe ai është nisur për të ardhur për nga ne, duke u shkëputur 5 metra nga porta e banesës në drejtim rrugës. Sapo kemi hedhur elektrikun i cili ndriçoi komplet faqen e bregut të lumit, aty është filluar të qëllohet me armë zjarri.”
Sipas dëshmisë së Eugestin Hakës, nuk kishte dyshime për ta, se objektivi i atentatit ishte djali i xhaxhait të tij.
Ai shpjegon se ndaj Marklenit dhe familjarëve të tjerë u qëlluan me dhjetëra plumba, çka dëshmon se autorët ishin të vendosur ta eliminonin me çdo kusht, objektivin, e mbase i frikësoheshin edhe një kundërpërgjigje me armë.
EGUSTIAN HAKA
“Nga sa më kujtohet kam parë rreth 4 persona të cilët kanë qenë të shtrirë në pozicion zjarri në breg të lumit dhe njëri ka qëlluar në drejtim të Marklenit dhe 2 të tjerë kanë qëlluar në drejtim të portave ku ndodheshin gratë. Ata kanë qëlluar për afro një minutë pa ndërprerë. Nga pozicioni ku ndodhesha kam parë që dy prej tyre kanë ndjekur me vrap duke qëlluar Marklenin dhe se një tjetër person kishte qenë në pritë disa metra më tej tek makina që ka qenë e parkuar tek avllia e shtëpisë. Nga ana e tyre është qëlluar fillimisht për rreth një minutë tek e tek dhe më breshëri dhe më pas janë kthyer duke qëlluar në drejtimin tonë, ku po mbanin elektrikun.”
Tashmë nuk kishte më dyshime se atentati ndaj emrit të njohur të botës së krimit ishte një pritë e mirëorganizuar, ku komandot të kamufluar si Policia e Shtetit, kishin mundur të përvetësonin të gjitha informacionet mbi zonën, sikurse dhe lëvizjet e objektivit të atentatit. Por grupi i armatosur hyri dhe doli si hije prej andej, duke mos lënë pas asnjë gjurmë, veç dyshimit se dikush i fuqishëm në zonë mund t’i kishte ndihmuar.
EUGUSTIAN HAKA
“Nga pozicioni ku ne ndodheshim nuk kemi dalluar ndonjë karakteristikë fizike të personave. Një natë më parë Ervisi ka parë dritat e një makine, e cila ka zbritur nga rruga e Kamenasit, e cila të lidh me rrugën e burgut të Fushë-Krujës dhe atë të 4 rrugëshit të fshatit Larushk, që ndodhet rreth 2 km poshtë banesës së djalit të xhaxhait, Marklen Hakës. Makina pothuajse ka zbritur në shtratin e lumit, ku ka qëndruar pak dhe ka ikur. Nga kjo makinë kanë dalë gjashtë persona, të cilët kanë ecur për në shtratin e lumit që të nxjerr te shtëpia e Marklenit. Gjatë kësaj kohe Ervisi është nisur për tek shtëpia e Marklenit dhe për 5 minuta ka parë gjashtë persona të armatosur me armë kallashnikov duke kaluar përballë portës së rrethimit të banesës. Ata janë hedhur nga bregu në lumë, të cilët kanë qenë pa maska, me antiplumba, veshur me ngjyrë të zezë, dhe me trupa të mëdhenj. Ai nuk ka njohur asnjë prej tyre. Personat janë futur në shtratin e lumit dhe kanë ikur në drejtim të urës së Seleve, vendin ku ishin lënë nga makina. Ajo që dua të them është se personat të cilët qëlluan me armë zjarri, kanë ikur shtratit të lumit, në drejtim të vendit ku ishin lënë një natë më parë nga makina. Për shkak të distancës së largët nuk kemi dalluar se çfarë lloj makine, por vetëm dritat e makinës.”
Marrë nga BalkanWeb
Discussion about this post