Me urdhër të Prokurorisë, Policia ka shpallur në kërkim një 54-vjeçar që dyshohet se ka lidhje me ekzekutimin mafioz të Behar Sofisë. Sipas të dhënave hetimore, pretendohet se është ai konkretisht personi që ka urdhëruar atë ekzekutim që tronditi Tiranën 1 vit më parë, teksa një i ri iu afrua shënjestrës së vet, në orët e para të ditës, duke e ekzekutuar në sy të disa kalimtarëve dhe të punonjësve të Policisë, të cilët ishin në rrugë me qëllimin për të gjobitur qytetarët që lëviznin pa maska.
Ndërkohë ditët e fundit bëhet me dije se SPAK-u ka lëshuar një urdhërarrest për Jemin Sherën, 54 vjeç, me banim në Kamzë, i cili në dosjen hetimore emërtohet edhe si personi që ka kërkuar eliminimin fizik të biznesmenit Sofia. Prokuroria i ka kërkuar Policisë arrestimin e këtij personi për llogari të hetimeve për zbardhjen e atentatit por Policia, si gjithnjë në raste të tilla, nuk e ka gjetur të kërkuarin në banesë dhe në asnjë vend ku ata pretendonin se ai mund të ishte. Edhe pse emri i Sherës doli herët, gjatë fazës hetimore, por SPAK- ka vendosur vetëm tani ta akuzojë atë person për ekzekutimin e Sofisë.
Referuar të dhënave zyrtare të dala nga SPAK-u, bëhet me dije se është Jemin Shera i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së biznesmenit Behar Sofia. Dhe për këtë fakt, SPAK-u ka nxjerrë një urdhërarrest ndaj tij pikërisht në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, që ka rezultuar si pjesëmarrës në vrasjen e Sofisë. Duke iu referuar dosjes hetimore bëhet me dije se nga kamerat e sigurisë është parë dhe fiksuar fakti se Shera është i ulur në një tavolinë me Skënder Vathin, personin e dyshuar si organizator i vrasjes dhe më pas i jep një letër.
Më herët, teksa dolën të dhënat e kësaj dosjeje, Prokuroria theksoi se është bërë këqyrja e pjesshme e pamjeve filmike të DVR-së sekuestruar te bar “Komiteti”, i cili gjendet në kryqëzimin e rrugës “Fatmir Haxhiu” me rrugën “Papa Gjon Pali II”. Kjo këqyrje është kryer me objekt konstatimin e lëvizjeve të personit të ndaluar Skënder Vathi për datën 25.2.2021.
Gjatë këqyrjes, është konstatuar se ky person është shfaqur në lokalin në fjalë rreth orës 08:26:48, sipas orës së shënuar në DVR, e cila mësohet se është një orë para orës lokale. Në orën 08:27:03 shtetasi i dyshuar ulet në tavolinë në prani të një personi tjetër i njohur si Jemin Shera.
Pas 11 minutash, pra në orën 08:38:20, shtetasi Jemin Sheraj duket se i jep diçka, në dukje letër, shtetasit të dyshuar Skënder Vathi, i cili largohet nga lokali. Është bërë paraqitja për njohje nga ana e shtetasit Ernejt Shyti të personave që ai njeh me emrin “Daja” dhe personi, i cili i ka dhënë foton e viktimës.
Gjatë seancës së zhvilluar të paraqitjes për njohje ky shtetas ka njohur menjëherë shtetasin Leonardo Xhixha si personi me të cilin ka komunikuar në telefon dhe i ka dhënë foton e viktimës, si dhe shtetasin Skënder Vathi të njohur si “Daja”, i cili ka qenë i angazhuar me vëzhgimin e viktimës.
Sipas të dhënave në kërkesën e paraqitur nga akuza, theksohet ndër të tjera se në analizë të rezultateve hetimore, duke marrë në konsideratë aktet e administruara deri më tani, provat shkencore dhe deklarimet rezulton se në ngjarjen e datës 25.02.2021 ku ka mbetur i vrarë shtetasi Behar Sofia, deri më tani, kanë qenë protagonistë shtetasit e ndaluar me këto role konkrete: Ernejt Shyti në rolin e ekzekutorit, i cili ka kryer vrasjen.
Për këtë fakt ai është kontaktuar dhe bindur nga ana e shtetasit Xhuljano Visha, i cili e ka shtyrë të bëjë këtë vrasje kundrejt shpërblimit, si dhe ka siguruar armën dhe mjetin biçikletë me të cilën ka lëvizur ekzekutori ditën e ngjarjes së rëndë.
Organizator i vrasjes, deri në këtë fazë të hetimit është konsideruar shtetasi Skënder Vathi, në bashkëpunim dhe i ndihmuar edhe nga shtetasi Leonard Xhixha, të cilët kanë kontaktuar shtetasin Xhuljano Visha dhe ky ka gjetur edhe ekzekutorin që tashmë është i prangosur.
SPAK pretendon se me arrestimin e Sherës do të mundësohet edhe gjetja e motivit të asaj vrasjeje, pasi deri më tani ende prokuroria nuk ka një version të saktë se përse u vra ai person. Madje në kohën e vrasjes, u dhanë versione të shumta, por që asnjë nuk është konkretizuar nga ana e grupit hetimor./Panorama.al.
Discussion about this post