Pak orë më parë një 39-vjeçar i quajtur Arsen Qose ka akuzuar policinë se i theu duart. Ai pranoi se pasi festoi ditëlindjen e tij, i dehur nuk ka kontrolluar veten dhe ka dalë i zhveshur në hollin e hotelit. Në këtë shkelje pronari i hotelit ka lajmëruar policinë për të larguar 39-vjeçarin nga aty. Por, siç ka treguar më tej i riu, efektivët e kanë dhunuar kur e shoqëruan për në komisariat saqë i kanë thyer të dyja duart.
Në lidhje më këtë ngjarje ka reaguar policia, e cila hedh poshtë akuzat e të riut. Përmes një postimi në faqen zyrtare uniformat blu shprehen se, ka qenë 39-vjeçari ai i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë për të paraqitur mjetet e identifikimit. Madje pretendohet se ai ka ofenduar dhe goditur efektivët e policisë.
“Sqarojmë se me datë 13.04.2022, shtetasi A. H., pronar i një hoteli në rrugën e Dajtit, ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të Policisë, sepse kishte konflikt me një shtetas, pasi ky i fundit kishte dalë i zhveshur nga dhoma e hotelit. Shërbimet e Policisë shkuan hotelit, dhe pasi kanë marrë kontakt me palët e konfliktit, i kanë kërkuar shtetasit A. Q. 39-vjeç, që të identifikohej.
Shtetasi A. Q., nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë për të treguar dokumentin e identifikimit dhe ka kundërshtuar me dhunë dy punonjësit e Policisë, duke i ofenduar, goditur e duke iu shkaktuar fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Në ato momente, shërbimet e Policisë, duke vlerësuar situatën dhe rrezikun për shkak të dhunës që po përdorte ky shtetas, kanë kërkuar ndihmën e patrullave të tjera, të cilat kanë kaluar në ndihmë të kolegëve, për shkak të situatës së krijuar nga dhuna që shtetasi A. Q. po përdorte”, thuhet në njoftim.
Më tutje, blutë shprehen se gjatë rrugës për në komisariat ai është shfaqur tepër agresivë dhe i dhunshëm, prandaj është vendosur që të dërgohet në spital. Ku, sipas njoftimit mjekët kanë konstatuar se 39-vjeçari kishte përdorur drogë dhe kishte disa dëmtime në krah. Madje, thuhet se efektivët që shoqëruan atë kanë marrë dëmtime nga sjellja agresive dhe dhuna që ka ushtruar i riu.
Nuk dimë akoma se cili version është i vërtetë, por mbetet të zbulohet se si një i ri me pranga në duar mund të dhunojë i vetëm disa efektivë policisë që e shoqërojnë. Për të zbardhur të vërtetën do na duhet të presim vendimin e gjykatës.
Discussion about this post