NGA FITIM ZEKTHI
Partia Demokratike dhe opozita është zhytur në një krizë të thellë. Ajo po vërtitet brenda krizës në përpjekje që të gjejë mënyra për të dalë, por duket se problemi më i madh është se ajo e kërkon zgjidhjen në çështje jo thelbësore dhe joparimore si bashkimi i pjesëve apo si njohja apo mosnjohja e autoritetet të një pjese. Kjo zhytje dhe vërtitje kaotike në krizë vjen sepse opozita nuk kërkon të kuptojë shkaqet themelore të krizës. Partitë e djathta janë themelore për rendin demokratik në një kuptim shumë të veçantë dhe shumë të ndryshëm nga partitë e majta. Cili është ky rol themelor që kanë luajtur në histori partitë e djathta dhe ku shihet sot ky rol tek partitë në Britani, SHBA, Holandë, Francë dhe etj. Daniel Ziblat, një profesor i shkencave politike në Harvard, thotë se partitë e djathta atje ku arritën të përmbajnë rrymat apo flukset ekstreme politike dhe atje ku nuk reaguan me mospranim ndaj zhvillimeve sociale, ekonomike dhe politike bënë të mundur ndërtimin e një rendi demokratik, ndërsa atje ku bënë të kundërtën ato rrezikuan vendet e tyre dhe sigurisht edhe identitetin e tyre.
Rastet më domethënëse janë ato të Britanisë dhe të Gjermanisë. Gjermania e periudhës së viteve para Luftës së Parë Botërore ishte një vend perandorak, me probleme serioze me demokracinë dhe ku lëvizja socialiste ishte nga më të mëdhatë në botë. Duke qenë një nga vendet më të zhvilluara ekonomikisht, me industri të fuqishme, me arsim dhe urbanizim të lartë që rritej gjithnjë, Gjermania ishte një nga vendet ideale për të forcuar demokracinë, pluralizmin dhe rendin demokratik. Forcat konservatore nuk ishin të gatshme të përballeshin me këtë ndryshim. Ato nuk donin të kundërshtonin pushtetin e vjetër, elitën politike dhe ekonomike që ishte krijuar prej kohësh dhe kësisoj nuk adaptuan dot sjellje politike që të përballej me socialistët dhe me presionin e lartë për ndryshime dhe demokratizim.
Pas Luftës së Parë Botërore, ndonëse Gjermania u zhyt në krizë nga humbja e luftës, ndonëse problemet me ekonominë dhe me çështje të tjera që prodhoi lufta ishin të rënda, sistemi nisi të bëhet më dinamik, më fleksibël. Në republikën e Weimar-it forcat e djathta po dilnin mirë në zgjedhje dhe po themelonin një identitet të fortë politik demokratik për vete dhe vendin. Në vitin 1928, ato humbën në zgjedhje dhe e patën të pamundur të kontrollin krahun radikal të forcave të djathta, krahun që kërkonte të ndalte presionin demokratik, krahun që mbronte elitën e vjetër politike dhe ekonomike. Partia ra në dorën e bosit të medias, Alfred Hugenberg, që e shtyu partinë shumë më djathtas dhe i hapi rrugën partisë naziste, e cila po rritej gradualisht. Kjo gjë solli rrënimin e forcave të djathta dhe rënien e Gjermanisë në një gjendje të rëndë. Erdhi nazizmi.
Pra, forcat politike të djathta në Gjermani nuk mundën të heqin dorë, thotë Daniel Ziblat në librin “Roli qendror i partive të djathta”, në një masë të mjaftueshme nga mbrojtja e elitës dhe e rendit ekonomik dhe politik të kaluar dhe më e rënda nuk iu rezistuan dot forcave ekstreme brenda vetes. Ato nuk ishin në gjendje të ndryshonin dhe të bëheshin mjaftueshëm fleksibël për të përballuar edhe ideologjitë e majta mjaft të forta edhe krahun e djathtë ekstrem po ashtu të fortë.
Në Britani situata rrodhi ndryshe. Forcat konservatore, thotë Ziblat, e pranuan se do të duhet të përballeshin me heqjen dorë nga mbrojtja e plotë e elitës dhe e rendit ekonomik të kaluar dhe se do të duhet të mos lejonin që forcat reaktive brenda vetes t’i kundërviheshin kësaj nevoje. Partia konservatore britanike miratoi Aktin e Reformës së Tretë, miratoi ligje që i hapnin rrugë konkurrencës së lirë, të drejtave të punëtorëve, miratoi reforma për arsimin dhe shëndetin etj. Partia konservatore e kuptoi që nuk mund të përpiqej të ruante përballë presionit demokratik, përballë lëvizjes së fortë socialiste, përballë zhvillimit industrial pushtetin e elitës së vjetër apo pushtetin e vjetër ekonomik. Ajo duhet të ndryshonte dhe duhet të lëshonte pushtet. Kjo gjë prodhoi një Britani me sistem demokratik të fortë dhe i dha shumë e shumë vite në pushtet partisë konservatore. Sigurisht që edhe në Gjermani e në Britani ka edhe shumë faktorë të tjerë për trajektoren që morën gjërat, por roli i forcave të djathta është i dukshëm thotë Ziblat.
Sot, e djathta në SHBA, në Francë, në Gjermani, në Holandë, Greqi, në Britani, në Çeki etj. po bën saktësisht këtë gjë. Ajo po përpiqet të shkëputet, të ndahet, të mos mbrojë elitën e vjetër politike (dhe ekonomike madje), po përpiqet t’u përgjigjet sfidave të ndryshimit që vijnë nga presioni i së majtës radikale apo i paqëndrueshmërive të tjera dhe po përpiqet që të mos bjerë nën kontrollin e krahut radikal të djathtë. kjo gjë ka bërë që qeverisjet e dekadës së fundit (kur sfidat e kësaj natyre u bënë më të mëdha) të kenë qenë të vështira, por të suksesshme dhe roli së djathtës ka qenë vendimtar. Ziblat i sheh këto forca si bartëset bazë të arsyeve pse këto vende i përballuan krizat. E djathta gjithnjë në 150 vitet e fundit kur mund të flitet për pluralizëm dhe demokraci kur ka pasur sukses ka bërë këto gjëra. Në njëfarë mënyre ka qenë bekim siç ka qenë problemi kur gjërat kanë shkuar keq. Nuk po flasim për rolin e majtës në fatkeqësitë që ka pasur bota sepse e majta e ka të brendashkruar mundësinë e sjelljes së pasojave të tilla.
Pra, e djathta që të ketë sukses ka për detyrë bazë të largohet nga pushteti i vjetër, të kufizojë apo të mpakë pushtetin e elitës së vjetër politike, ekonomike dhe kulturore si edhe të përmbajë dhe të kontrollojë krahun radikal. Kur ajo i bën këto, kur ajo pranon të lëshojë pushtet dhe të ndryshojë në mënyrë që të përballet me nevojat dhe sfidat që vijnë nga gjendja e vendit dhe forcat socialiste, atëherë ajo kthehet në garante të demokracisë. Në të kundërt, ajo kthehet në forcën që i hap derën rrëmujës apo rrëmetit dhe sigurisht shkatërron veten dhe veten dhe vendin.
Le të shohim pak edhe në këtë prizëm të djathtën në Shqipëri. Partia Demokratike si forca kryesore e djathtë në Shqipëri sot është në një krizë të plotë, por ajo ka pasur probleme të vazhdueshme që prej shumë vitesh. Natyra e problemeve të Partisë Demokratike shqiptare është e ndryshme dhe realiteti politik dhe social i vendit tonë është i ndryshëm nga vendet Europës, por pavarësisht të gjithave ajo që është sfida dhe roli i partive të djathta kudo, ka qenë dhe është edhe roli dhe sfida e PD-së në Shqipëri.
Partisë Demokratike nuk i kërkohet dhe nuk i është kërkuar që të dalë kundër elitës politike apo kundër rendit dhe pushtetit të klasës apo elitës së vjetër në kuptimin që u është kërkuar partive konservatore në Gjermani apo në Britani, por gjithsesi në njëfarë mënyre i është kërkuar të ndryshojë, të lëshojë pushtet, të distancohet nga klasa që kishte pushtetin apo të bëjë të mundur që të qarkullojë elitat drejtuese në mënyrë bazike. Partisë Demokratike nuk i është kërkuar dhe nuk i kërkohet që të përmbajë krahun radikal si në Britani apo Gjermani (sepse nuk i kemi ato sfida) në kuptimin që nuk i kërkohet ndonjë luftë me ideologjitë ekstreme të djathta, me ideologji reaktive që duan të kthejnë gjendjen që ishte (si rasti kur krahu ekstrem në Gjermani donte rikthimin e perandorit) apo që kundërshtojnë reformat demokratizuese. Gjithsesi, krahu radikal ka qenë aty në një formë tjetër, në formën e krahut që ka një stil politik të vjetër, të vrazhdë, denonciator dhe asgjësues dhe që i kushton rëndësi luftës në terren apo fizike me kundërshtarin, luftës që kërkon dalje nga sistemi.
Në fillim, kur u krijua Partia Demokratike ajo edhe për shkak të kohës dhe nevojës imediate për ndryshim të sistemit, kundërshtoi fort elitën e vjetër politike dhe pushtetin që ishte atëherë. Gjithashtu, ajo po në atë moment mund të thuhet se e përmbajti krahun radikal, duke mos iu dorëzuar thirrjeve për revolucion apo për veprime radikale.
Me kalimin e kohës, Partia Demokratike nisi t’i humbë këto dy tipare. Në vitin 1996 dhe 1997, ajo i humbi këto tipare totalisht. Ajo jo vetëm që nuk lëshoi pushtet, jo vetëm që nuk pati dëshirë të ndryshojë elitën e saj, por ajo iu nënshtrua krahut radikal. Si pasojë e këtyre dy aspekteve, ajo shkoi me kokëfortësi në veprime që shkaktuan një turbullirë ekstreme kombëtare dhe shkatërruan tërë vendin. Sigurisht që nuk është PD përgjegjëse për atë që ndodhi, por PD nuk bëri atë që i takonte një partie të djathtë.
Më pas, në vitet 1997-2001, Partia Demokratike vijoi të mbetet e ngurtë, të mos distancohet nga elita e vjetër politike, të mos kundërshtojë pushtetin e kësaj elite brenda partisë dhe të mos kontrollojë krahun radikal. Ajo mund të thuhet se ishte plotësisht në kontroll prej krahut radikal. Në vitet 2001-2005, ajo nisi formalisht të distancohet lehtë nga elita, ose të bëjë propagandë sikur po distancohej nga elita e vjetër. Gjithashtu, ajo me propagandë u përpoq të thotë se pushteti i elitës së vjetër po kufizohej dhe se ajo do të sulmonte apo luftonte pushtetin ekonomik të krijuar gjatë viteve. Krahu radikal si pasojë e ardhjeve të reja u duk sikur u tërhoq dhe nuk kontrollonte më PDnë. PD erdhi në pushtet dhe ndihmoi në trajektoren demokratike të vendit dhe në zhvillimin ekonomik.
Pas vitit 2009, PD-ja hyri në një fazë ringurtësimi të plotë të elitës politike, të fuqizimit të pushtetit të kësaj elite dhe të mos lëshimit të pushtetit prej saj. Krahu radikal mori tërë pushtetin dhe kjo u pa në tërë zhvillimet e mëpasshme.
Rënia në opozitë në vend që të sillte ndryshimin e PD-së në të dyja aspektet që i kërkohen një force të djathtë, bëri të kundërtën. PD-ja në opozitë vetëm se ruajti pushtetin e elitës së saj, nuk e preku fare këtë elitë dhe nga ana tjetër nuk i kontrolloi aspak forcat radikale të cilat duket se e kishin tërësisht në kontroll PD-në. Kjo gjë solli qëndrimin e saj të gjatë në opozitë dhe hapjen e derës që socialistët të rrinë në pushtet të patrazuar, të shkatërrojnë atë pak demokraci që kishim, të shkatërrojnë zgjedhjet dhe ta kthejnë vendin plotësisht në autokraci. PD bëri nga viti 2009 çdo gjë ndryshe nga çdo duhet të bënte një parti e djathtë. Që nga ajo kohë, PD vetëm se i ka thelluar këto sjellje, vetëm se e ka forcuar pa ndalur mosndryshimin, mosshkëputjen nga elita e vjetër dhe vetëm se e ka forcuar vënien e saj nën kontroll të krahut radikal. Shpallja e ish-Kryeministrit Berisha non grata nga SHBA.
PD sot ka vetëm një krizë që është kriza e mosndryshimit, e ruajtjes së pushtetit të elitës së vjetër dhe e rënies së saj në kontroll të krahut radikal. Të tjerat duke nisur ndarja apo bashkimi, nga grata apo non grata, nga aplikimi i primareve apo sanskionimi i dorëheqjes së kryetarit, nga kthimi i të përjashtuarve apo nga mos rikthimi janë detaje të kota, gjëra pa asnjë rëndësi. Ato vetëm kërkojnë të thellojnë krizën.
Discussion about this post