Dritan Mehmeti, trajneri i Partizanit, para ndeshjes me Kukësin ka dalë para mediave dhe ka deklaruar: “Përpos ndeshjeve që i kemi shumë të ngjeshura, është dhe një ndeshje që është shumë e rëndësishme. Skuadra shpenzoi shumë energji, sepse luajtëm me inferioritet numerik.
Megjithatë skuadra është përgatitur këto dy ditë, kemi dhe një seancë sot, që do të japim veprimet e fundit kundër Kukësit. Është një ndeshje që ka shumë rëndësi, megjithatë kemi punuar në aspektin psikologjik, që skuadra ta interpretojë ashtu siç duhet dhe mos të marrë më shumë ngarkesë seç duhet”.
“Unë mendoj që e kaluara nuk ndikon shumë. Varet nga mënyra se si do ta interpretojnë lojtarët, si do ta përjetojnë ata. Mendoj se në këtë aspekt jemi të barabartë. Ata luajnë në shtëpinë e tyre, në një stadium të ri, kanë entuziazmin e tifozerisë. Shpresoj që edhe tifozët tanë të na mbështesin.
Mendoj se do jenë shumë faktorë që do të ndikojnë nesër dhe do të jetë një histori ndryshe. Unë mendoj që skuadra ka treguar forcë karakteri në shumë ndeshje. Të gjitha skuadrat që janë në garë, e kanë presionin. Kush do ta menaxhojë më mirë, ajo skuadër do të bëjë diferencën”.
“Vendi i tretë? Më shumë përpiqem që ta përgatis skuadrën dhe mos t’i jap presion për sa i përket renditjes. I jap rëndësi ndeshjes së radhës sepse është shumë e rëndësishme, që lojtarët të fokusohen te stërvitja dhe të mos bëjnë plane afatgjata. Mundohemi të interpretojmë lojën në varësi të kundërshtarit. Futemi për të fituar në çdo ndeshje, kundër çdo kundërshtari. Duhet ta kuptojmë që skuadra e Partizanit është e ndërtuar e tillë, e ka bërë vetë historia që ta kërkojë gjatë gjithë kohës fitoren”.
“Kallaku? Kjo më pëlqen sepse ka karakter, nuk e pranon ndërrimin. Është gjaknxehtë sepse nuk e kupton ndërrimin. Një trajner mund ta dojë ndërrimin sepse mund të ketë qenë një lëvizje taktike, mund ta dojë ndërrimin sepse nuk ka bërë urdhrat që i kam dhënë, mund ta bëjë ndërrimin sepse mund të mos ketë qenë në formën e tij më të mirë. Kallaku e bëri atë, kërkoi falje dhe unë përsëri e kam falur”.
“Skuka? Është hera e parë që prezantohet në Superiore, me një emër të madh si Partizani. Duhet ta kuptojmë dhe Skukën. Ka nevojë për eksperiencë, këto situata i bëjnë mirë. Mbas ndeshjes së Kupës me Vllazninë ai e ka ndjerë shumë peshën e humbjes së penalltisë. Jam munduar në maksimum që t’ia ngrejë entuziazmin, është një djalë me karakter.
Nuk është ai Skuka që kemi parë. Jemi munduar bashkë me skuadrën që ta ndihmojmë, ta kalojë këtë situatë. Megjithatë për mua Skuka është i fituar. Nuk është se Partizani duhet të presë vetëm nga Skuka. Skuka ka nevojë për Partizanin, jo Partizani për Skukën”.
“Lakimi i emrit të Brdaric? Më është bërë shpesh kjo pyetje. Në momentin që kam bërë bisedën me presidentin për të marrë Partizanin, kam bërë një zgjedhje me zemër. Të jem i sinqertë, presidenti nuk më ka dhënë asnjë objektiv. Kemi bërë një bisedë dhe më ka thënë që të dalim nga kjo situatë që jemi. Nuk më ka vënë asnjëherë në presion.
Për të qenë i sinqertë, te Partizani kam qenë me zemër dhe s’i kam parë asnjëherë kontratat. Dua të jem i qetë dhe të punoj i qetë deri sa të mbarojë kampionati. Në një marrëdhënie duhet të kemi të dyja situatat. E rëndësishme është që trajnerët që të vijnë dhe të bëjnë mirë te Partizani dhe të mos shohin kontratat. Unë nuk e kam parë kontratën”, ka përfunduar Mehmeti.
Discussion about this post