Gjatë takimit në Fier, ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur sërish akuza ndaj ambasadores Yuri Kim duke e cilësuar si guvernatore ndërsa theksoi se ajo nuk mund të ndërhyjë në procese gjyqësore, referuar ankimimit në Apel të statutit të PD-së. Mes të tjerash, Berisha tha se i ka kërkuar Presidentit Joe Biden që të mos lejojë që kjo të ndodh pasi është gjëja më e rëndë që mund të bësh në një vend demokratik. Ashtu siç ka bërë edhe herë tjetër, Berisha u shpreh kundër Reformës në Drejtësi duke theksuar se u bë për të çuar drejtësinë në duar të kryeministrit Edi Rama apo ambasadores Yuri Kim.
“Guvernatorja apo ambasadorja. Shkeli kushtetutën e SHBA dhe Shqipërisë. Nuk mund të ndërhysh kurrë në një proces gjyqësor. Është gjëja më e rëndë që mund të bësh. Ndaj unë i kam kërkuar qeverisë së SHBA dhe Biden që të mos lejojë që përfaqësuesja e saj të ndërhy në procese gjyqësore. Ai është shkatërrim i pavarësisë së sistemit gjyqësore. Kjo tregon se Reforma në Drejtësi ishte për ta vënë drejtësinë në kontroll të Ramës apo ndonjë tjetri si puna e saj Guvernatores. Reforma nuk mund të ketë qëllime të tilla. Ata përfitojnë nga kjo situatë. Por harrojnë se e tregojnë vetën si kolaboracioanist” – u shpreh Berisha.
Kujtojmë se pas akuzave të ripërsëritura të Sali Berishës se ambasadorja amerikane Yuri Kim, po ndërhyn në proceset zgjedhore, ka ardhur edhe përgjigja e kryediplomates amerikane në vendin tonë, e cila i është përgjigjur qartë ish-kryeministrit, tashmë të shpallur ‘non grata’ nga SHBA.
“Nëse ndërhyrja në procesin gjyqësor, nënkupton inkurajimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të bëjnë punën e tyre, duke nënvizuar se askush nuk është mbi ligjin, atëherë ‘PO’,’ shkruante ambasadorja, ‘SHBA do të vijojë që të bëjë pikërisht këtë gjë”.
Sipas Yuri Kim, SHBA do të vazhdojë të mbështesë reformën në drejtësi, sepse lufta kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë përbëjnë një interes thelbësor të sigurisë kombëtarë të SHBA-së.
Sakaq Berisha nuk la pa thumbuar edhe Enkelejd Alibeaj duke thënë se kontrollohet nga Edi Rama.
“Edi Rama shfrytëzon elementë si Lulzim Basha, Enkelejdi apo ky Kapllani këtu. Asgjë nuk na ndal ne se kjo lëvizje është e pandalshme. Ata që u përpoqën ta ndalojnë dështuan. Dhe kjo do bëhet uragan të vërtetë. Kjo ka mision shpëtimin e Shqipërisë” – tha Sali Berisha.
Discussion about this post