Të martën e kaluar kryeministri Edi Rama ishte në Ndroq, një nga zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 për të inauguruar shtëpitë e ndërtuara nga Programi i Rindërtimit, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë Tiranë Erion Veliaj.
Kryeministri foli për problematikat e Programit të Rindërtimit duke “trazuar” kraterin e ri social që ka krijuar klasa politike në lagjen “5 Maj” pasi shqetësimi i tij qendron te fakti se qeveria e tij etiketohet si qeveria e të pasurve.
“Ne jemi akuzuar shpesh si një kompani që mendon për të pasurit, jemi një qeveri që mendon për Oligarkët, etj etj, por vetëm Programi i Rindërtimit, pa llogaritur të tjerat, është prova më kokëfortë për të kundërtën”, deklaroi kryeministri duke folur për problemet në lagjen “5 Maj”.
Kompanitë e oligarkëve në lagjen “5 Maj”
Për Programin e Rindërtimit në lagjen “5 Maj” janë akorduar 74 miliardë lekë ose 61,73 milionë euro për 22 kompani ku disa prej fondeve të akorduara i kanë përfituar si bashkim operatorësh sipas të dhënave nga Open Data Albania.
Shumica e kompanive në listën e lagjes “5 Maj” janë të biznesmenëve të cilësuar si oligarkët pranë qeverive Rama nga opozita. Në listën e kompanive që ka marrë fondin prej 4,69 milionë eurosh nëpërmjet dy kompanive “Mane/TCI” dhe “Manes/S” shpk shfaqet njeriu më i pasur në Shqipëri, Samir Mane. Zoti Mane është akuzuar nga opozita si një ndër oligarkët më të fuqishëm në vend për të cilin aludohet se ka lidhje me politikanë nga të dyja partitë politike më të mëdha në vend, PS dhe PD.
Në krye të listës për vlerën e lartë të fondeve qendron kompania “Alesio 2014” shpk në pronësi të Anton Gjinaj, me kontrata me vlerë 10 milionë euro të përfituara nga Programi i Rindërtimit në “5 Maj” nga të cilat një pjesë janë në bashkëpunim me kompani të tjera. Në 27 janar, Partia Demokratike kallëzoi në SPAK kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë, për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi shkruhej se bashkia e Tiranës ka shpallur fitues në tenderat e rindërtimit, të lagjes “5 Maj” në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milionë euro, kompaninë në pronësi të shtetasit Anton Gjinaj alias Pashk Rapi, person me rekorde të rënda kriminale.
Ligji për prokurimin publik në Shqipëri parashikon përjashtimin nga tenderat dhe kontratat që vijnë nga organet publike të njerëzve që rezultojnë të jenë të dënuar me vendim të formës së prerë për veprimtari në fushën e lëndëve narkotike. Kjo kompani si shumë kompani të tjera është krijuar pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste dhe ka patur rritje eksponenciale nga tenderat e fituar nga qeveritë Rama.
Kompania “Salillari” shpk në pronësi të Pëllumb Salillarit është një tjetër kompani e cila ka përfituar 4,5 milionë euro nga Programi i Rindërtimit vetëm për lagjen “5 Maj”. “Salillari” shpk ka njohur kulmin ekonomik gjatë qeverive Rama duke marrë tendera me vlera të larta monetare. Nga lista e këtyre kompanive, “Salillari” gjendet në krye pasi ka marrë 110 milionë euro pagesa vetëm për periudhën 2015 e në vazhdim sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit. Pa llogaritur faktin që kjo kompani është aksionere kryesore në konçesionin e “Rrugës së Kombit”, pronare e konçesionit të hidrocentralit të Vërtopit si dhe aksionere te shoqëria konçesionare Porti MBM (Multi Buoy Mooring).
Kompania “Gjoka Konstruksion sh.a” e cila është në pronësi Rrok Gjokës ka marrë së bashku me kompaninë e panjohur “AL-POINT” shpk kontratën me vlerë 3.4 milionë euro në “5 Maj”, e cila është ngritur si kompani në kohën e qeverive Rama. “Gjoka Konstruksion sh.a” zotëron 4 konçesione, konçesionin e hidrocentralit të lumit “Zalli i Okshtunit”, konçesionin e hidrocentraleve të Lenies, Shalës, Strelcës, konçesionin e hidrocentralit të Grabovë 1 dhe konçesionin e “Rrugës së Arbrit” ku ky i fundit ka patur probleme me afatet dhe cilësinë e ndërtimit. Nga viti 2015 e në vazhdim, kjo kompani ka përfituar prej kontratave me pushtetin qendror dhe lokal me vlerë 43,3 milionë euro sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit.
Kompania “Geci” shpk e cila është në pronësi të Ram Gecit, një nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri ka përfituar nga zona e “5 Majit” 4,7 milionë euro kontratë plus 3,4 milionë euro me kompaninë “Shehu-2AB Konstruksion” shpk, një kompani e panjohur e krijuar gjatë qeverive Rama. Ram Geci është një ndër biznesmenët e akuzuar nga opozita si pjesë e grupit të oligarkëve që qëndrojnë pranë kryeministrit Edi Rama. Vetëm për periudhën 2015 e në vazhdim kompania e tij ka marrë 37 milionë euro pagesa për kontratat e firmosura me pushtetin qendror dhe lokal ndërkohë në bashkëpunim me kompaninë “Albavia” shpk ka përfituar një kontratë me vlerë 13,3 milionë euro.
Kompania “Alba Konstruksion” shpk e cila është në pronësi të Xhavit Ismailit, vëllai i ish-kryetarit të bashkisë Vorë nga Partia Demokratike, ka marrë tender me vlerë 3,6 milionë euro në lagjen “5 Maj” .
Kjo kompani është pronare dhe aksionere në 4 konçesione, pronare e konçesionit të hidrocentraleve Backa 1, Backa 2, Backa A, Backa B, Backa C, aksionere e konçesionit të hidrocentralit Kryezi dhe Kryezi i Epërm, pronare e 50% të aksioneve të konçesionit të hidrocentraleve Prishta 1, Prishta 2 si dhe aksionerja më e madhe e konçesionarit për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në bashkinë e Tiranës për katër objektet arsimore në zonën Tirana 4. Nga viti 2015 e në vazhdim kjo kompani ka marrë transaksione me vlerë 43,7 milionë euro sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, një shifër e cila e vendos në një rang me kompanitë më të mëdha në vend.
Kompani “Alb-Building” shpk në pronësi të Pëllumb Beta dhe Odhise Bresha ka përfituar e vetme kontrata me vlerë 5,5 milionë euro nga Programi i Rindërtimi në lagjen “5 Maj” ndërsa në bashkëpunim me kompaninë “Rafin Company” shpk e cila është një kompani e panjohur e ngritur gjatë kohës së qeverisë Rama ka marrë 3,3 milionë euro po në këtë zonë. “Alb-Building” shpk është pronare dhe aksionere e disa konçesioneve, pronarja kryesore e 74,5% të aksioneve të konçesionarit për ndërtimin, operimin dhe transferimin e hidrocentraleve mbi lumin SETA, pronare e 30% të aksioneve të konçesionit për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e hidrocentraleve Orgjost i Ri; Bele 1, 2; Topojan 1, 2, si dhe pronare kryesore e konçesionit për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e hidrocentraleve Bele 2 dhe Topojan 1. Është një kompani e cila ka përfituar kontrata me vlerë të lartë monetare siç është kontrata e “Ndërtim Rruga mbikalimi Teg dhe rrugët lidhëse të tij” me vlerë 11,6 milionë eurosh nga ARRSH-ja.
Kompania “Bajrami N” shpk në pronësi të Nazif Bajramit e cila ka marrë tenderin me vlerë 3,7 milionë euro në bashkëpunim me “Zdravo” shpk, nga viti 2015 e në vazhdim ka përfituar rreth 21,5 milionë euro nga punët e kryera për pushtetin qendror dhe lokal sipas transaksioneve të degës së thesarit.
Kompania “Inerti shpk” ose “AGI KONS” shpk, e cila është në pronësi të Gentjan Sula ka përfituar tenderin me vlerë 3,4 miliomë euro në lagjen “5 Maj” në bashkëpunim me kompanitë “Alesio-2014” shpk & “Ferro Beton & Construction Co” shpk. Gjithashtu “AGI KONS” shpk (Inerti shpk) është pronarja e konçesionit të hidrocentraleve në Pellgun Ujëmbledhës të Zallit të Bulqizës/Vajkal, aksioneri kryesor i konçesionit për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në bashkinë Tiranë, në zonën Tirana 1. Kjo kompani ka patur zhvillim ekononomik gjatë qeverive Rama dhe për periudhën 2015 e në vazhdim ka marrë pagesa nga kontratat me vlerë 25,5 milionë euro sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit.
“5 Maji” komplekson të gjithë klasën politike
Në fakt drama e lagjes “5 Maj” nuk është një episod i izoluar por një fenomen që ka prekur të gjithë Shqipërinë sepse ndërtime pa leje ka kudo. Por banorët e kësaj lagjeje kanë ngritur shtëpi pa leje nga neglizhenca e politikës por edhe nga mbështetja që i kanë dhënë politikanët për shkak të interesave elektorale në këtë zonë.
“Ju e keni parë besoj dhe shumë e kanë parë, çfarë ndodhi me 5 Majin dhe si politika e shpifjes dhe e përbaltjes, e ushqimit të vazhdueshëm të sherrit dhe konfliktit, duke keqpërdorur dhe njerëz që edhe shpinë e japin por votën kurrë nuk e ndërrojnë se e kanë aty ke fiksimi i vjetër”, tha kryeministri Rama i cili u mundua ta lidhë rezistencën e banorëve të “5 Majit” me opozitën.
Por banorët nuk kanë patur mbështetje politike gjatë rezistencës për të mbrojtur shtëpitë pasi asnjë deputet deri më sot nuk ka denoncuar listën e bizneseve të cilat po marrin kontrata me vlerë disa miliona euro nga Programi i Rindërtimit dhe lista lart me kompanitë e biznesmenëve më të mëdhenj në Shqipëri e shpjegon qartësisht. Në atë listë gjenden biznesmenë të cilët kanë firmosur kontrata publike me të gjitha qeveritë që kanë qënë në Shqipëri dhe kanë mbështetur politikanë nga pozita dhe opozita shqiptare. Ka patur deputetë të cilët kanë mbështetur protestën por në asnjë moment, askush deri më sot nuk i ka përmendur biznesmenët të cilët kanë firmosur kontratat me vlerë miliona euro në lagjen “5 Maj”.
Vetëm në një rast, Partia Demokratike me anë të Sekretarit të Përgjithshëm Gaz Bardhi ka denoncuar kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj për kompaninë “Alesio 2014” shpk pasi është dënuar pronari i kompanisë.
750 milionë euro janë borxhe për Programin e Rindërtimit
Në Ndroq kryeministri Edi Rama deklaroi se Programi i Rindërtimit është një program investimesh falë rritjes së taksave ndaj të pasurve, duke ulur në zero taksat për ata që kanë më pak, për t’ju dhënë shtëpi familjeve falas.
Në fakt, deklarata e Ramës nuk qendron sepse nga Programi i Rindërtimit 750 milionë euro janë borxhe me interes të ulët të cilat do t’i paguajnë taksapaguesit shqiptarë ndërsa 400 milionë euro janë donacione prej Bashkimit Europian dhe vendeve të tjera.
“Rreth 400 milionë euro janë grante, pra që do të thotë se janë para që nuk na i japin borxh, por na i dhurojnë. Pjesa tjetër 750 milionë euro janë kredi e butë, që do të thotë me një kosto shumë të ulët qoftë në aspektin e kostos së parasë dhe kostos së operacionit, pra nuk janë kredi tregtare”, tha ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj në 20 shkurt 2020, fakt i cili rrëzon deklaratën e kryeministrit Rama.
Për më tepër, në një kohë që do paguhen borxhet, numri 2 i qeverisë shqiptare zëvendëskryeministri Ahmetaj edhe sot e kësaj dite nuk ka deklaruar dokumentat për Programin e Rindërtimit sipas KLSH-së.
“-Veprimtaria e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin për ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit ka shfaqur mangësi në drejtim të dokumentimit të saj;
– Mungon në mënyrë të dokumentuar evidentimi i burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe përcaktimin e mënyrës së përdorimit të tyre”, konkludohet në raportin e KLSH për periudhën 10 Janar 2020-30 Prill 2021”, fakt i cili injorohet nga kryeministri Edi Rama.
Shkeljet e bashkisë Tiranë me lagjen “5 Maj”
“Kemi dhënë prova se edhe demokratët i mbajmë mirë se u kemi dhënë nga 2-3 shtëpia se kur janë më shumë se nji kurorë siç ishte kryetari i PD, diku në njësi në Farkë”, tha Rama por harron faktin se bashkia Tiranë për familjet me 2-3 kurorë në “5 Maj” jep vetëm një bonus qeraje me vlerë 180 mijë lekë të vjetra.
Por kjo është vetëm një pjesë e problematikës sepse kontrata e ofruar për shpronësimin është me probleme dhe paraqet njëanshmëri në dëm të banorëve. Ky fakt konstatohet nga deklaratat e Avokatit të Popullit i cili tërhoqi vëmendjen për transparencën e cunguar që ka shoqëruar përpilimin dhe ekzekutimin e këtij vendimi. Sipas Zyrës së Avoktatit të Popullit, kontrata e bashkisë Tiranë nuk ofron garanci të mjaftueshme për qytetarët të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre dhe u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e papërcaktuar në kohë dhe e papërcaktuar individualisht.
“Ndërkohë që ne në respekt të plotë të çdokujt që është anëtar i kësaj bashkie, askujt nuk i kemi ngrënë hakun për arsye politike, për arsye krahinore, apo për çdo lloj arsye tjetër”, deklaron Rama por skandali me numrin e kadastrës na tregon që trajtimi politik është pjesë e strategjisë për pushtet që kanë të gjitha partitë, edhe Partia Socialiste.
Sipas ligjit numri kadastral për 1000 m2 në çdo zonë banimi është i njëjtë pasi në të njëjtën sipërfaqe prej 1000 m2 ku gjenden dy ose tre shtëpi të ndryshme, njëra nuk mund ta marrë legalizimin kurse dy të tjerat jo pasi shkelet ligji. Por në lagjen “5 Maj” kemi shtëpi brenda të njëjtit numër kadastral që janë legalizuar dhe tëë tjera që nuk janë legalizuar. Kjo shkelje e ligjit paraqet trajtimin e diferencuar që është bërë për shkak të fushatave politike sipas banorëve.
Kryeministri Rama duke folur para banorëve me shtëpitë e reja ishte frymëzuar nga arritja e qeverisë së vet dhe e përdori frymëzimin për të politizuar protestën dhe rezistencën e banorëvë të “5 Majit”. Por kryeministri nuk mund të politizojë faktin se banorët janë në rrugë, faktin se kontratat janë të cunguara, faktin se për 2-3 familje ka vetëm një bonus qeraje nga bashkia e Tiranës.
Projekti i Rindërtimit në lagjen “5 Maj” është një orgji ekonomike e klasës politike me njerëzit më të pasur në Shqipëri në rrënojat e shtëpive të shkatërruara. Heshtja e medias për emrat e biznesmenëve që përfitojnë nga “5 Maji”, tregon qartë se pse në raportin e organizatës “Reporterët pa kufij” (RSF) ne zëmë vendin e 103-të ndër 180 vende të botës, duke rënë me 20 vende, në krahasim me vitin 2021 kur renditeshim në vendin 83-të.
Discussion about this post