Ndoshta më shumë sesa lidhjet romantike, në “Big Brother” ra në sy marrëdhënia e veçantë që Iliri dhe Sabiani ndërtuan. Këngë, dedikime, premtime ishin një pjesë e asaj që u pa nga kjo dyshe kaq simpatike. Por duket se gjërat mes tyre kanë ndryshuar, duke pësuar një krisje. Sabiani me deklaratat e tij ka lënë të kuptohet se me Ilirin tashmë raporti ishte krisur.
Teksa të premten e kaluar ishte i ftuar në emisionin “Më lër të flas” në “Top Channel”, Sabi nuk i kurseu deklaratat për “vëllanë” e tij.
“Vëllai im Iliri ka përfituar më shumë, nuk mund të flas nga jashtë, unë nuk do të ndryshoja si karakter, do gjeja një vëlla ose një motër aty”, u shpreh Sabiani.
Ky i fundit festoi një ditë më parë ditëlindjen, ku nuk kanë munguar urimet e shumta nga fansat, familja, kolegët, miqtë dhe ish-banorët e BB VIP. Por ajo që ra më shumë në sy, duke pasur parasysh edhe deklaratat e fundit të Sabianit, ishte fakti që balerini i njohur nuk bëri një urim publik për këngëtarin.
Menjëherë pas deklaratës së këngëtari, ka reaguar edhe fituesi. “Mendoj që ne të dy i kemi dhënë shumë njëri-tjetrit, si brenda, edhe jashtë shtëpisë. Kur dikush bën për mua, di t’ia vlerësoj dhe ta rikëmbej pa ma kërkuar askush. Rëndësi ka kur miqtë dinë çfarë bëjnë dhe flasin në situata të ndryshme, për më tepër kur jemi në qendër të vëmendjes dhe para syve të publikut. Gjithsesi, mendoj që Sabiani është njëri nga ata që, nëse më ka qëndruar më afër një herë, i kam treguar që di ta vlerësoj dhjetë herë, si me fjalë, ashtu dhe me vepra. Pastaj, fjalët e tepërta janë fukarallëk dhe komentet e lagjes tek unë s’kanë asnjë efekt”, është shprehur Iliri.
Balerini tha se aktualisht është angazhuar me disa projekte në Itali, të cilat u shtynë për shkak të pjesëmarrjes në Big Brother VIP. I pyetur për mikun më të mirë pas BB, Iliri tha se ka disa miq të mirë, me të cilët vazhdon që të mbajë marrëdhënie të mira, por pa përmendur emrin e Sabianit.
“Kam disa miq të mirë dhe vazhdoj të mbaj marrëdhënie të mira me ta, sepse dinë çfarë flasin pa kushtëzime dhe pretendime, si gjatë programit, ashtu edhe pas tij. Në miqësi çdo gjë duhet të lindë në mënyrë spontane dhe nga zemra, përndryshe është falsitet dhe hipokrizi”, tha ai.
Më tej fituesi i “Big Brother” u shpreh se madje kishte ndarë me Sabianin edhe një pjesë të parave që kishte fituar. “S’ka mbetur gjë më për investime, sepse gjysma e çmimit u dha për bamirësi, pa asnjë influencim ose detyrim dhe shumë shpejt do merrni lajmin sa gjë e bukur po bëhet. Këtë dhuratë e kisha shkruar vetë në formularin e BBV që kur isha në izolim në hotel, para se të fillonte programi.
Gjëja më e bukur pas një eksperience të tillë është të falënderosh njerëzit që kisha dhe ndjeja pranë meje, prandaj përveç miqësisë, respektit, një pjesë ua dhurova Emanuelës dhe prindërve të mi për gjithë sakrificat e tyre, një pjesë i është dhuruar Sabianit për miqësinë e krijuar në shtëpi dhe për faktin që doja ta kisha me vete në finale E vërteta e sherrit për para të Ilirit dhe Sabianit dhe, sigurisht, një pjesë i është destinuar vëllait tim Olti, që s’e ka marrë akoma.
Për veten, jam i kënaqur dhe më mjafton emri i fituesit. U jam mirënjohës të gjithë njerëzve që më përkrahën. Unë nuk hyra për para në BBV dhe jam shumë mirë kështu”, ka treguar balerini i njohur për “Revista Class”.
Por teksa ai konfirmoi se një pjesë të parave ia kishte dhënë Sabit, askush nga miqtë dhe njerëzit e afërt të dy miqve nuk di që një shumë e tillë të jetë derdhur për Sabianin. Shkak për krisjen e miqësisë së tyre nuk kanë qenë paratë, por tensionet të krijuara ditë pas dite nga dy protagonistët e kësaj historie.
Ndërkohë edhe këngëtari ka folur për çmimin e madh 100 mijë euro që Iliri fitoi. Duke qenë se shpesh në shtëpi balerini kishte deklaruar se do ta ndante çmimin e tij, pyetjet rreth parave nuk kanë munguar pas përfundimit të lojës për të dy personazhet. I pyetur nga gazetari i “Shqipëria Live” në lidhje me fitoren e mikut të tij, Sabiani u përgjigj: “Fitoi Iliri, fitoi Sabiani. Akoma nuk kemi bërë plane”.
Ndërsa kur u pyet nëse i dha ndonjë lek, këngëtari u shpreh: “Pyetja më fal për shprehjen, më ordinere. Unë ia kam falur 100 mijë euroshin brenda nuk dua lek nga askush”.
Duket se dy djemtë nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët pas përfundimit të lojës. Ndonëse shpeshherë kanë udhëtuar njëri në Itali e tjetri në Shqipëri për t’u takuar, diskutimet mes tyre kanë sjellë ftohjen e marrëdhënieve. Megjithatë, nga ajo që kemi mundur të mësojmë, bëhet me dije se Sabi dhe Iliri nuk kanë pasur një sherr mes tyre, por një distancim pas disa këndvështrimeve të ndryshmeve që kanë pasur për tema të caktuara.
Pas gjithë zhurmës së krijuar së fundmi për ata të dy, Sabiani ka reaguar sërish, duke u përpjekur të sqarojë se me Ilirin vijojnë të jenë miq të mirë. Mes gjithë dyshimeve se mes shoqërisë së ngushtë të Ilirit dhe Sabianit ky i fundit ka vendosur që të sqarojë gjithçka me një postim. Ai ka publikuar një “InstaStory” ku shkruan: Qentë le të lehin, karvani ecën përpara.
Me një foto të vjetër me fituesin e “Big Brother”, ai ka vendosur të shuajë zërat, por që duket se nuk ia ka dalë.
Ndërkohë edhe ish-banorët e kanë ironizuar prishjen e miqësisë, duke nxjerrë në pah se fajtor është pikërisht Iliri. Iliri, Monika, Arjola dhe Sabiani që në javët e parë të “Big Brother VIP” u bënë shumë miq. Shpesh, Sabiani është përfshirë në debatet e Ilirit dhe madje ka prishur miqësitë e krijuara në shtëpi për hatër të ‘vëllait’ të tij. Të gjithë e mbajnë mend skenën e famshme te krevatet kur ata bënin plane rreth nominimeve dhe i quanin banorët e tjerë “dele”.
Apo pemën e famshme të Ilirit në Siçili që është referencë për Donaldin, Semin dhe Kledin. Pakkush mund ta mendohet atëherë se marrëdhëniet mes tyre do kriseshin. Ishin Monika dhe Iliri ata që gradualisht filluan të kishin grindja duke arritur më pas te debatet me tone të ashpra, akuza të rënda e shaka fyese. Megjithatë, ata e balanconin raportin e tyre pasi në “Prime” debatonin, e gjatë javës afroheshin e shkëmbenin ironi.
Mirëpo, prishja e raporteve me Ilirin duket se ka sjellë përplasje për Monikën edhe me Arjolën dhe Sabianin. Ky i fundit e quajti aktoren “tradhtare” nga studio e “Big Brother” pak javë më parë, sepse ajo zgjodhi të shpëtonte në zinxhir Beatrix dhe jo Ilirin.
Ndërkohë, me Arjolën që ka qenë shumë e lidhur brenda shtëpisë, teksa ishin të ftuara pas daljes në “Fan Club” u vu re edhe një krisje mes tyre. Monika i tha Arjolës “Të dua”, por nuk mori asnjë reagim prej saj, qoftë edhe një mimikë. E ftuar në emisionin “Ftesë në 5”, Monika tregoi se flet me Arjolën, ndërsa Sabianit i ka bërë bllok.
“Dje kemi folur me Arjolën. I kam thënë “Si je” dhe e kam pyetur për fëmijët. Është bërë një keqkuptim. Jo se nuk flasim apo kemi mëri. Përkundrazi, tek ajo kam gjetur mbështetje sepse ka qenë pranë meje në shumë momente të vështira. E vetmja gjë që mua më ka lënduar ka qenë ajo që më tha Sabiani, ‘tradhtare’, gjë që përkeqësoi lidhjen tonë dhe dha një mesazh shumë të keq për mua. Sabianit i kam bërë bllok dhe me Sabianin që kam ndenjur pafund e më ka thënë pafund fjalë të mira, të vijë të më thotë këto fjalë? Nuk i takonte. Sot nuk i them asgjë”, tha ajo.
Por pas kësaj deklarate dy ish-banorët u përballën të ftuar në emisionin e binjakëve Veshaj, ku duket se nisën të rimëkëmbnin miqësinë e tyre, tanimë pa ndërhyrjen e Ilirit. PANORAMAPLUS
Discussion about this post