Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistën për gazetën prestigjioze italiane “Corriere dello Sport” shprehet se pritja e një finaleje të UEFA-s në vendin tonë është një rezultat i shkëlqyer përsa i përket imazhit të Shqipërisë.
Nën drejtimin e tij, futbolli shqiptar ka arritur një kualifikim historik në finalet e Kampionatit Evropian “Francë 2016” dhe tashmë ka edhe një stadium modern, Arena Kombëtare, që do të presë ndeshjen e madhe, AS Roma-Feyenoord.
Më poshtë, intervista e plotë e Presidenti Duka për gazetën italiane:
– President, si është atmosfera në qytetin e Tiranës për finalen?
– Ne të gjithë jemi vërtetë të emocionuar. Kjo ndeshje për ne ka nisur që para një viti, me inspektimet e ekspertëve të UEFA-s. E gjithë Shqipëria do të ketë mundësinë të përfitojë nga pritja e një eventi të këtij niveli.
– Si arritët të bindnit UEFA-n që t’ju japë finalen?
– Ne kishim tentuar më parë të merrnim organizimin e Superkupës së Evropës. Në përpjekjen e dytë ia dolëm mbanë.
– Megjithatë, stadiumi është i vogël. Ka pasur pakënaqësi nga tifozët…
– E vërtetë, është i vogël, por është një xhevahir i vërtetë. Edhe përfaqësuesit e klubit të Romës, kur erdhën për ta vizituar u befasuan nga ambientet që të ofron ky impiant. Fatkeqësisht nuk do të ketë vend për të gjithë.
– Duket se një problem tjetër është rritja e çmimeve të hoteleve dhe apartamenteve me qira, me anulime që bëhen me qëllimin për të fituar sa më shumë para.
– Kjo historia e anulimeve të rezervimeve mua më duket si një legjendë urbane. Nga ana tjetër, për çmimet e kuptoj: nëse shkon në Paris për finalen e Champions League ose në Milano për panairet, ndodh e njëjta gjë.
– UEFA ka shpërndarë shumicën e biletave të finales për publikun shqiptar.
– Në fakt ky është një avantazh për Romën, sepse shumë shqiptarë kanë blerë bileta për miqtë e tyre italianë.
– Pra, edhe ju do të bëni tifo për Romën apo jo?
– Sigurisht. Madje, që nga fillimi i edicionit të UEFA Conferenca League. Shpresoj të jetë klubi italian që të fitojë trofeun, ndonëse finalet nuk janë kurrë të parashikueshme. Mjafton të shikojmë se çfarë ndodhi në finalen e Europa League, Eintracht-Rangers. Por Murinjo ka lojtarin më të fortë.
– Cilin?
– Kumbullën, sigurisht. Shpresoj që ai të luajë në këtë finale, është një nga shtyllat e Kombëtares sonë.
– Të ndalemi pak te futbolli shqiptar, cila është arsyeja që prej dhjetë vitesh keni zgjedhur vetëm trajnerë italianë për Kombëtaren?
– Sepse janë të disiplinuar, shumë të përgatitur në aspektin taktik dhe e njohin mirë mentalitetin tonë. Me ta gjithashtu nuk kemi as problemin e gjuhës.
– Pra, do të vazhdoni përpara me Edi Rejën?
– Sigurisht. Ai ka besimin tonë. Është për të ardhur keq nuk u kualifikuam për shumë pak në play-off-in e Kupës së Botës: na penalizoi ajo humbje ndaj Polonisë.
– Në Itali ka një grup të madh futbollistësh shqiptarë që duket se kanë një perspektivë të mirë.
– Tashmë po, por nuk më habit kjo. Në vendin tuaj janë 130 mijë shqiptarë që luajnë futboll, një shifër e ngjashme me ata që luajnë këtu në Shqipëri.
– A ka ndonjë talent shqiptar që pret të shpërthejë?
– Armando Broja, sulmues i Çelsit i vitlindjes 2001. Ai tashmë ka treguar aftësi të shkëlqyera në Sauthemptonin, ku është në huazim dhe tashmë po shënon edhe me kombëtaren shqiptare.
Discussion about this post