Deputeti demokrat Flamur Noka ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka komentuar dy ngjarjet e rënda që tronditën opinionin publik mbrëmjen e djeshme ku një efektiv policie i mori jetën kolegut të tij, ndërsa një tjetër plagosi një qytetar.
Noka shprehet se dy ngjarje e mbrëmshme treguan se krimi është fuqizuar përballë policisë dhe është vënë në shërbim të kanabisit apo qeverisë për blerjen e votave duke vendosur në polici militantë partie.
“Policia e shtetit e cila duhet të garantojë me ligj sigurinë e qytetarëve shqiptarë sot është një nga organizatat më të degraduara të shtetit shqiptar. Vrasja e policit mbrëmë në mes të Tiranës, brenda komisariatit si dhe plagosja me armë e një qytetari nga një polic tjetër janë tregues të degradimit që qeveria e Edi Ramës i ka shkaktuar organizatës së policisë së shtetit. Gjatë 9 viteve të Ramës në pushtet policia e shteti është dobësuar, krimi është fuqizuar. Policia e shteti është vendosur në shërbim të trafikut të drogës, në shërbim të mbjelljes së kanabisit dhe në shërbim të çdo grupi të strukturuar kriminal që ndihmonte pushtetin për të vjedhur vota. Vrasja brenda komisariatit është e padëgjuar më parë. Është modeli i qeverisjes së Edi Ramës, i cili ka zëvendësuar Policinë e Shtetit me militantë, që nuk njohin ligjin, nuk respektojnë të drejtat e njeriut dhe kanë degraduar në një pikë të pakthyeshme besimin e qytetarëve tek policia”, shprehet Noka.
Gjithashtu, deputeti demokrat i shprehu ngushëllime familjes për ngjarjen e rëndë dhe kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Bledi Çuçi.
“Duke shprehur keqardhjen familjareve te viktimës dhe duke i uruar shërim të shpejtë të plagosurit, Partia Demokratike dënon me ashpërsi ngjarjet e ndodhura mbrëmë në 2 komisariatet e policisë. Të dyja ngjarjet kanë përgjegjës. Nuk janë vetëm ata që kanë kryer krimin drejtpërsëdrejti. Ata janë pasqyre e një sistemi të kalbur e të degraduar nga eprorët e tyre politikë. Më së paku, sot dorëheqjen duhet ta japë Ministri i Brendshëm. Gjatë drejtimit të tij, në komisariate po vriten policët, po digjen papritur komisariatet me të arrestuar brenda, po gjoja vetëvriten të arrestuar të tjerë. Ministri i Brendshëm nuk ka çfarë të presë më! Ai nuk është në këtë detyrë për të bërë policin e trafikut dhe për të urdhëruar shtetrrethim, kur në Tiranë luhet futboll”, shtoi ai.
Discussion about this post