Prej disa ditësh ka hyrë në fuqi akti normativ i qeverisë Rama, i cili mbron fitimet e kompanive që kanë kontrata për Programin e Rindërtimit dhe projekte publike pasi me financim nga buxheti i shtetit do të kompensohen nga 5% deri në 30% të vlerës që zënë materialet e ndërtimit si hekur, çimento, tuba plastikë, alumin, bitum, bakër dhe zink për shkak të shtrenjtimit të këtyre produkteve.
Kryeministri Rama ka shprehur në media shqetësimin e tij se pse etiketohet “si qeveria e të pasurve” duke deklaruar se asnjë qeveri nuk i jep qytetarëve shtëpi falas. Kryeministri ka të drejtë për shtëpitë falas por ligjet që kanë miratuar qeveritë Rama 1, Rama 2 dhe Rama 3 vërtetojnë se reputacioni si qeveri e të pasurve ka fakte të pakundërshtueshme. Rama mundohet me anë të kaosit që ka mbërthyer opozitën apo me anë të ironisë të relativizojë këto fakte, por raportet e FMN-së dhe organizatave ndërkombëtare i legjitimojnë këto fakte.
Ligji e nxjerr zbuluar Shqipërinë e Rilindjes sepse janë ngjizur 3 mënyra nëpërmjet ligjit ose duke e shmangur atë, të cilat mbrojnë fitimet e Oligarkëve dhe njerëzve pranë kësaj çete qeveritare e cila ngjan me kalorësit e apokalipsit biblik që mesa duket janë rrënimi i ekonomisë shqiptare.
Kompanitë e mëdha që përfitojnë nga Akti Normativ
Për të gjithë ata që nuk e dinë Aktin Normativ, i cili ka hyrë në fuqi para disa ditëve kujdeset për fitimet e biznesmenëve, të cilët qëndrojnë pranë qeverisë, ndërkohë që familjet shqiptare kanë humbur fuqinë blerëse, çmimet janë ngritur dhe rrogat nuk kanë ndryshuar.
Sipas këtij akti, parashikohet që paratë publike të vëna në dispozicion për këto kompani të jenë 58 milionë euro ose 7 miliardë lekë. Akti Normativ për kompensimin financiar të çmimeve të ndërtimit për shkak të rritjes së çmimeve është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ai mbron kompanitë e fuqishme të cilat kanë gllabëruar kontratat e Rindërtimit.
Shumica e kompanive janë të biznesmenëve, të cilësuar si oligarkët pranë qeverive Rama nga opozita dhe një pjesë e tyre janë ata që Gijotina.com ka publikuar për Rindërtimin në lagjen “5 Maj”. Sipas Birn përfituesit e mëdhenj të procesit të Rindërtimit janë kompani të lidhura me zyrtarë të Partisë Socialiste, fitues të mëparshëm të koncesioneve apo licencave apo kompani me financime të dyshimta.
Kompania që përfiton nga Akti Normativ është kompania “Kevin Construksion” e krijuar në 2006 nga Safet Gjici të cilën ia ka kaluar vëllait të tij në vitin 2014, kur Gjici u emërua prefekt dhe më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit.
Kompania “Dajti Park 2007” me aksioner Lulëzim Qefalia, vëllai i deputetit socialist Xhemal Qefalia ka fituar si pjesë e një bashkimi tre tendera me vlerë 1.3 miliardë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si dhe një tender tjetër prej 545 milionë lekësh nga Bashkia e Tiranës për ndërtime në zonën e Kombinatit.
Në listën e përfituesve nga kompensimi gjenden edhe kompanitë “Ante Group”, “Gjikuria”, “G.P.G Company” apo “Salillari”, të cilët kontraktorë të mëdhenj të qeverisë shqiptare.
Bashkimi i kompanive nga “Ante Group” dhe “Ferro Beton & Construction Co” kanë fituar katër kontrata nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një vlerë prej 2.2 miliardë lekësh. “Ante Group” udhëheq gjithashtu bashkime operatorësh që fituan 5 kontrata të tjera nga bashkitë me një vlerë totale prej 1.7 miliardë lekësh të cilat do të nënshtrohen kompensimit nga fondi prej 58 milionë eurosh vetëm për vitin 2022.
Kompania “Gjikuria” është gjithashtu mes përfituesve të mëdhenj të programit me pesë kontrata me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe dy kontrata të tjera me bashkitë e Tiranës dhe atë të Kurbinit.
Mbajtësja e koncesionit të rrugës Orikum- Llogara ka fituar në total kontrata me vlerë rreth 2.8 miliardë lekësh, fitimet e të cilave do të mbrohen kompensimi i qeverisë Rama.
“G.P.G Company” e Paqsor Buzit, ka fituar tendera me vlerë rreth 2,3 miliardë lekë nga programi i Rindërtimit si operator i vetëm apo si bashkim operatorësh. Kompania “Salillari”, një përfitues i madh i punëve publike, ka përfituar tendera me vlerë 1.9 miliardë lekë nga Programi i Rindërtimit.
Të pasurit paguan më pak në vitin 2021 nga ulja e taksave
Në vitin 2018 mazhoranca e kryesuar nga kryeministri Rama miratoi me 76 vota ligjin i cili uli taksat për fitimet nga 15% në 8% bizneseve të oligarkëve. Vlen të theksohet se është i vetmi ligj në histori që ka fuqi paravepruese ku miliona euro i merren shtetit dhe i jepen biznesit të madh.
Asokohe presidenti Ilir Meta e ktheu ligjin në Kuvend, duke e cilësuar antikushtetues pasi do të krijonte pabarazi dhe “amnisti” vetëm për një pjesë të bizneseve duke diskriminuar pjesën tjetër por ligji u votuar gjithsesi.
Prej këtij ligji, Oligarkët paguajnë më pak në 3 vitet e fundit dhe këtë fakt e vërtetojmë nëpërmjet të dhënave të marra nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë.
Sipas këtyre të dhënave, kontributi i të pasurve në buxhet nga tatimi i dividentit për vitin e kaluar është i papërfillshëm, vetëm 123 mijë euro tatim në arkën e shtetit ndërkohë për vitin 2020 janë arkëtuar 2.2 milionë euro nga kjo taksë.
Ajo që vërehet është fakti se taksat në buxhet nga të ardhurat personale janë 325 milion euro në 2021, ndërsa bizneset kanë paguar 294 milion euro.
Korporatat e mëdha e shpërndajnë fitimin për aksionerët në formën e dividentit, i cili tatohet në masën 8% kundrejt taksës progresive 0,13% dhe 23% që është mbi pagat. Vitin e kaluar rezulton që kompanitë kanë shpërndarë në total 1.5 milion euro fitim.
Këto janë shifrat më të ulëta në vendin tonë pasi para 7 vitesh të ardhurat në buxhet nga tatimi i dividentit ishin mesatarisht 10 milion euro në vit.
Burimi: Ministria e Financave
Mashtrimi me TVSH-në favorizon kompanitë e mëdha
Sikur të mos mjaftonte fakti që qeveria shqiptare po lehtëson bizneset e mëdha të cilat nuk kanë probleme me falimentin por se sa fitojnë, Rama harron që këto biznese shmangin dhe TVSH-në dhe këtë e deklaron Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e fundit për Shqipërinë.
Shqetësimet më të mëdha në sistemin fiskal janë në sektorin e kontraktimit të punëve publike dhe në sektorin e shfrytëzimit të minierave të kromit.
Këto dy sektorë, të cilët kontrollohen nga një numër biznesmenësh të lidhur politikisht, raportohen nga FMN si “burime madhore të mashtrimit me TVSH-në”.
Ndërtimi, shkruhet në raport, është sektor me shmangie të mëdha në pagimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Dhe për rrjedhojë, raporti këshillon “fokusimin në sektorin e ndërtimit”.
“Ndërsa nënraportimi i TVSH-së është i shtrirë në të gjithë ekonominë shqiptare, ndërtimi qëndron më vete si veçanërisht problematik,” thotë FMN.
“Shënjestro sektorin e ndërtimit për vëmendje të veçantë dhe shqyrto mundësinë e vendosjes së një regjimi “përgjegjësie të përmbysur” për të parandaluar humbjet e taksave në zinxhirin e furnizimit nga nënkontraktorët,” shton raporti.
FMN e ka analizuar saktë situatën, por jo mjaftueshëm sepse skemat të cilave ajo u referohet nuk janë thjesht shmangie fiskale, janë mashtrim fiskal sipas Birn.
Zgjidhja për këtë situatë, sipas FMN-së, është që të zbatohet ngarkesa e përmbysur e TVSH-së, në të cilën, kompania kontraktore mban detyrimin për pagimin e TVSH-së, kur nënkontraktorët e saj dështojnë ta paguajnë.
“Kjo skemë mbron përkundrejt nën-kontraktorëve poshtë në zinxhirin e furnizimit, të cilët supozohet se faturojnë TVSH, por pastaj zhduken,” thotë FMN. Por kryeministri Rama paralajmëroi se ndryshimet fiskale të pritshme do të shënjestrojnë klasën e profesionistëve dhe jo njerëzit që qarkullojnë kapitalin më të madh në Shqipëri sepse kjo qeveri nuk ka moralin dhe forcën t’i kundërvihet bizneseve të cilat i ka rritur me dorën e saj.
Discussion about this post