Dalja e tezave të Maturës Shtetërore përpara se maturantët të dilnin nga ambientet e provimit përgjatë viteve të fundit u kthye në fenomen krejt të zakontë, pavarësisht qindra-mijëra administruesve e pajisjeve për bllokimin e valëve në çdo mjedis provimi.
Kombinuar kjo me pyetjet e kontestuara vit pas viti e revoltën e të rinjve, bënë që Ministria e Arsimit të reformojë procesin, duke nisur që nga burimet njerëzore (gafa me “Turin” i kushtoi ish-drejtoreshës Rezana Vrapi vendin e punës) e deri te rregullorja e Maturës Shtetërore. Në të janë shtuar elemente të forta që në hartimin e testit, përzgjedhjen e tezës finale e deri te shpërndarja.
Risi e këtij viti është mënyra se si do të përzgjidhet teza finale që do të bjerë në duart e maturantëve. Kjo bëhet pasi QSHA ka ngritur grupet me specia1listë të lëndëve që do të jepen provim, të cilët hartojnë një fond pyetjesh sipas shkallës së vështirësive. Ndryshe nga vitet e kaluara, sasia e pyetjeve, nga të cilat do të përzgjidhet teza në mënyrë elektronike, do të jetë më pak. Specialistët që kanë hartuar rregulloren, janë të prirur më tepër drejt cilësisë, sesa sasisë.
Nuk kërkojnë 20-fish më tepër pyetje nga çka teza (siç është bërë për vite të tëra), por 10- fish. Më konkretisht, nëse për një tezë provimi me 15 pyetje, nevojitej më parë hartimi i 300 pyetjeve, nga të cilat kompjuteri do të përzgjidhte në mënyrë rastësore 15-shen finale, tanimë nevojiten vetëm 150 pyetje për secilin profil (kujtojmë që janë disa profile gjimnazesh). Në kushte izolimi, një grup i paracaktuar zgjedhin testet përfundimtare duke e çuar për shumëfishim e paketim. Kjo procedurë do të zbatohet vetëm me disa provime këtë vit, sipas dokumentit në fjalë: Gjuhë shqipe dhe letërsi, Matematikë, Kimi, Biologji e Fizikë.
Për lëndët e tjera, procesi do të jetë më i reduktuar, njëjtë si vitet e kaluara, i thjeshtëzuar. Për maturantët, asgjë e re në rregullore, si në kuadër të detyrimeve, ashtu edhe të të drejtave. Ata duhet të marrin së paku 25% të pikëve në test për t’u konsideruar kalues, ndërkohë që edhe në rast se kanë kundërshti, nuk mund të bëhet rivlerësim i tezës. Mësuesit dhe drejtuesit që abuzojnë, do të kenë vërejtje, paralajmërim për largim nga puna e deri te pushimi i menjëhershëm, varësisht nga shkelja e kryer.
“Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve përfundimtare të provimeve të Maturës Shtetërore të bëhet përmes teknologjisë dixhitale nga specialistë të caktuar me urdhër të QSHA-së. Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve të bëhet në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit brenda ambienteve të izoluara të QSHA-së. Të drejtën e përzgjedhjes dhe hartimit të testit përfundimtar të provimeve të maturës e kanë vetëm PTP-të. Specialistët e QSHA-së në periudhën e KOEPS nuk kanë të drejtë të përzgjedhin, sugjerojnë, ndryshojnë testet e hartuara”.
Discussion about this post