Në fund të korrikut të vitit të kaluar, Gjykata Administrative e Apelit nën drejtimin e gjyqtarëve Rilinda Selimi, Altina Nasufi dhe Blerona Hasa kanë rrëzuar urdhrin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të datës 25 janar 2019, për ndërprerjen e koncesionit Thumanë-Kashar, projekt koncesionar i fituar nga kompania “Gener 2” shpk në pronësi të Bashkim Ulajt. Gjithashtu në vendimin e formës së prerë detyrohej Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës që ta përcjellë vendimin për miratim pranë Këshillit të Ministrave.
Koncesioni është marrë me ofertën fituese 225.8 milionë euro kurse gjatësia e rrugës që përshin projekti është 21 km. Për më tepër, në relacionin e projekt-buxhetit 2019 kostoja në buxhetin e shtetit për 2020, 2021 për këtë kontratë parashikohej të ishte 431 milionë euro. Menjëherë pas anulimit, Partia Demokratike akuzoi ministren e Infrastrukturës Belinda Ballukun se do të hapte garë për ndërtim me koncesion të tipit BOT, që nënkupton ndërtimin e rrugës me kapital privat, ku më pas kompania përfiton fondet nga taksimi i aksit për një periudhë së paku 35 vjeçar gjë e cila është në fuqi me bekimin e qeverisë Rama.
Para disa ditësh, në 26 maj Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nën drejtimin e Belinda Ballukut firmosi marrëveshjen me shoqërinë “Gener 2” sh.p.k., si koncesionari dhe shoqërinë “G2 Infra”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin,ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor “Thumanë–Vorë–Kashar”, vendim i publikuar në Fletoren Zyrtare.
Skandali i Unazës së Madhe implikon kompaninë “Gener 2” shpk
Në 2018 kompania offshore “DH Delaware” hapi degën e saj në Shqipëri në Qendrën Kombëtare të Biznesit nën administrimin e Avdjol Dobit. Disa muaj pas krijimit, “DH Albania” fitoi lotin e parë të Unazës së Re me vlerë 18 milionë euro si dhe kontratën me vlerë 10 milionë euro nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST).
Megjithatë suksesi i firmës nuk zgjati shumë pasi në 6 dhjetor 2018 emisioni “Të Paekspozuarit” në News 24 denoncoi kompaninë anonime pasi kishte falsifikuar dokumentet për të përfituar kontratën nga tenderi i Unazës së Re. Sipas Departamentit të Shtetit të Delawere, dokumentet e dorëzuara në (QKB) ishin të falsifikuara dhe se kompania nuk kishte bilanc të tre viteve të fundit, pasi nuk ishte krijuar para 25 qershorit 2018.
Nga kontrollet në (QKB) implikohet persona që punojnë pranë kompanisë së Bashkim Ulajt, të cilët kanë kryer veprime të ndryshme për degën e kompanisë “fantazmë” në Shqipëri.
Konkretisht Ledi Hyseni, juriste e kompanisë “Gener 2” në 4 dhjetor 2018 ka paguar faturën prej 150 lekës për kompaninë “DH Delaware” te banka “Credins” nën përshkrimin ““Aplikim Gener 2” dhe jo “DH delaware”.
Në atë kohë Prokuroria e Tiranës regjistroi kallëzimin penal nga ARRSH-ja për veprat e “falsifikimit të dokumenteve”, “shpërdorimit të detyrës”, “shkeljes së barazisë në tendera” dhe “mashtrimit”.
Në 27 maj 2020, Gjykata shpalli fajtor 28-vjeçarin Avdjol Dobi, administrator i kompanisë “Dh Albania” për falsifikim në përfitimin e dy tenderave me vlerë totale 3.4 miliardë lekë. Kurse Prokuroria pushoi hetimet për zyrtarët e ARRSH-së, OST-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Avdjol Dobi rezulton akoma në kërkim pasi edhe sot e kësaj dite nuk është arrestuar për vendimin e marrë nga Gjykata e Tiranës.
Pikëpyetjet mbi tarifën e Koncesionarit që do paguajnë qytetarët
Në kontratën e re kanë ndodhur disa ndryshime të cilat sipas praktikave të mëparshme kanë qenë kosto ekstra për buxhetin e shtetit që bien mbi taksapaguesit shqiptarë. Kontrata e parë ka qenë për 13 vite, ndërsa tani është për 35 vite duke shtuar 22 vite më shumë ku në dy vitet e para do të jetë ndërtim i aksit dhe pjesa tjetër operim dhe mirëmbajtje.
Sipas kontratës së firmosur shteti nuk do të paguajë asgjë por ka disa pyetje të cilat kanë nevojë për përgjigje sepse nuk dihet se sa do të jetë pagesa për kalim në aksin e ri. Te dokumentat e pubklikuar nga Ministria e Infrastrukturës parashikohet se tarifa e cila do të vendoset për rrugën do të jetë e pavarur edhe pse ajo do të duhet të ketë miratimin e autoritetit kontraktor (MIE). Në kontratë jepet një formulë që bazohet te disa tregues të cilët kanë të bëjnë me koeficientin e tipit të automjetit si dhe disa gjëra të tjera. Ngrihet pyetja për të cilën nuk kemi përgjigje, a ka kontrata klauzolë që i garanton kompanisë trafikun e munguar?
Plani i të ardhurave për kontratën e koncesionit Thumanë -Vorë-Kashar parashikon mbi 1.3 miliardë euro pa TVSH, të cilat do të shkojnë për “Gener 2” shpk dhe “G2 INFRA” shpk duke rritur dyshimet për koston që do të përballojnë qytetarët. Në kontratë nuk sqarohet nëse qytetarët që vijnë nga Kukësi dhe Kosova do të paguajnë dy herë apo vetëm njëherë. Gjithashtu nuk parashikohet nëse do të ketë rrugë dytësore falas për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë koston e tarifës së koncesionarit.
Përveç pikëpyetjeve që ka për tarifat, bën përshtypje fakti se për 8 vitet e para të nisjes së operimit, qeveria shqiptare i garanton 22.81 milionë euro koncesionit nëse nuk arrin të ardhurat bazë. Për vitin e parë, shteti do të ofrojë 8 milionë euro, vitin e dytë garancia e shtetit ulet në 5.6 milionë euro dhe vjen duke u zvogëluar deri në vitin 2031 ku shkon 360 mijë euro duke mbaruar dhe garancia.
Në lidhje me lëvizjen në këtë aks, shpejtësia e projektuar për mjetet është 140 kilometra/orë dhe pjesë përbërëse janë 14 nënkalime, 12 ura me gjatësi totale 4 kilometra, 3 mbikalime korsi emergjencash në secilën anë me nga 3 metra.
Koncesioni do të jetë DBFOM duke parashikuar projektimin, ndërtimin, financimin, operimin, mirëmbajtjen dhe më pas kalimin te shteti. Kjo do të thotë se burimet financiare për ndërtimin e rrugës do të sigurohen nga koncesioni dhe ky i fundit do të marrë në kthim të ardhurat nga tarifat që do të vendosen për kalimin në rrugë përgjatë gjithë periudhës së koncesionit.
Specifikimin e financimit kontrata e ka në kreun 2 të nenit 9 ku thuhet se shoqëria koncesionare ndër të tjera ka detyrim që të sigurojë financimin për zbatimin e Projekt-zbatimit. Për të siguruar këtë financim koncesionari mund të vendosë si garanci të drejtat që i jep kjo kontratë.
Vlen të theksohet fakti se kryeministri Edi Rama nuk e çoi vendimin e Gjykatës Administrative për rekurs në Gjykatën e Lartë dhe nuk ka bërë asnjë koment për vendimin, edhe pse nuk i ka kursyer komentet për punën e SPAK-ut.
Discussion about this post