Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), i ka dorëzuar menaxhimin e sistemit të përgjimeve një kompanie private, mbi të cilën rëndojnë dyshime zyrtare për mos-përmbushje të detyrimeve kontraktore. SPAK njofton se ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare, me vlerë 50 milionë lekë të reja, me shoqërinë “TBS-96”, me objekt “Shërbime për mirëmbajtjen e sistemit të përgjimit në Prokurorinë e Posaçme”.
Tenderi është zhvilluar pa garë, nëpërmjet procedurës së “negocimit, pa shpallje paraprake”.
Kodi i Procedurës Penale parashikon që SPAK kryen vetë përgjimet për veprat penale në kompetencë të saj. Në mesin e vitit 2021, Prokuroria Speciale përfundoi ndërtimin e Njësisë së Përgjimit në ambjentet e saj, duke u shkëputur nga bërthama e interceptimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Si çdo sistem informatik, edhe baza teknologjike e përgjimeve ka nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme, e cila siguron funksionimin normal dhe pandërprerje të interceptimit të personave të dyshuar apo nën hetim.
Për mirëmbajten e sistemit të përgjimeve, SPAK ka zgjedhur shoqërinë “TBS-96”. Kompania është në pronësi të biznesmenit Artan Xhori. Ajo u bë e njohur për dështimin spektakolar për të përmbushur detyrimet ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për furnizimin me respiratorë për pacientët me Covid-19.
Për atë tender, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur dyshime për aftësinë e kompanisë për të përmbushur detyrimet kontraktore, nisur nga problematikat e shumta që ka konstatuar gjatë auditimit të procedurës.
“Respiratorët”, tenderi i dyshimtë
Në 3 Prill 2020, pikërisht në kulmin e masave ekstreme kundër pandemisë së shkaktuar nga Sars-Cov 2, qeveria shqiptare miratoi një “kontratë sekrete” ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe shoqërisë “TBS-96”, me objekt “Furnizim vendosje respiratorë me dy modalitete për adultë dhe moshë pediatrike per COVID-19”.
Kontrata “sekrete” nuk paraqiste publikisht fondin për blerjen e pajisjeve shëndetësore. Megjithatë, një dokument i Ministrisë së Shëndetësisë për “paraqitjen e ofertave”, publikuar në media, tregoi se vlera e këtij tenderi ishte afërsisht 130 milionë lekë të reja.
Tenderi është kritikuar shumë publikisht. Partia Demokratike në opozitë iu drejtua në atë kohë Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë Speciale për hetimin e disa “kontratave sekrete” gjatë pandemisë, ku përfshihej edhe blerja e respiratorëve.
Kohë më vonë, e konkretisht në Tetor 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti problematika të shumta në procedurën për blerjen e respiratorëve, të fituar nga “TBS-96”. Këto gjetje u prezantuan në Raportin e Auditimit Finaciar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Dështimi
Ministria e Shëndetësisë synonte që, nëpërmjet “kontratës sekrete”, të siguronte me emergjencë 54 respiratorë për të rritur dhe fëmijë, të cilët kishin nevoja të ngutshte për furnizim me oksigjen, për shkak të goditjes nga Covid-19.
Por, siç konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit, kontrata nuk u realizua asnjëherë dhe ajo dështoi për shkak të paaftësisë së kompanisë për të përmbushur detyrimet.
KLSH raporton se kontrata, e nënshkruar me vlerë 75.060.000 lekë të reja, parashikonte që 20 respiratorët e parë të dorëzoheshin brenda 7 ditëve nga nënshkrimi i saj.
Ndërsa pjesa tjetër prej 34 respiratorësh do të dorëzoheshin brenda 25 ditëve nga hyrja në fuqi e kontratës, e cila u miratua nga Këshilli i Ministrave në 3 Prill 2020.
“Nga auditimi u konstatua se me shkresat e datës 10.04.2020 dhe datës 24.04.2020, nga operatori ekonomik fitues “T.” Shpk (TBS-96, shën.red), është kërkuar zgjatje e afateve të dorëzimit të pajisjeve deri në periudhën maj – qershor, duke e humbur faktorin kohë për emergjencë”.
Por, edhe kjo shtyrja e afatit nuk i shërbeu kompanisë private për të përmbushur detyrimet kontraktore.
“Operatori Ekonomik, deri në datë 10.04.2020, ka dorëzuar vetëm 5 copë. Ndërsa 34 respiratorë që do të lëvroheshin 25 ditë nga dita e hyrjes në fuqi e kontratës, nuk u siguruan, duke sjellë dështimin e kontratës së mësipërme”, thotë KLSH në raportin e tij të Tetorit 2021.
KLSH konkludon se, “si pasojë e furnzimimit të vonuar dhe/ose mosfurnzimit për kontratën me objekt “Furnizim vendosje respiratore me dy modalitete per adulte dhe moshe pediatrike per Covid -19”, kemi konstatuar të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit nga mosllogaritja e penaliteteve dhe mos mbajtja e sigurimit të kontratës në shumën 15,378,960 lekë”.
Madje, jo vetëm kaq. Kontrata me furnizimin me respiratorë u realizua nga dy operatorëve të tjerë, në Tetor dhe Nëntor 2020.
“Edhe pse planifikuar për nevoja emergjente, kjo procedurë në fakt dështoi të ofronte në kohë këtë pajisje kaq të rëndësishme/jetesore në kushtet e pandemisë Covid-19”, shkruan Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij auditues për “kontratën sekrete” ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe shoqërisë “TBS-96”./Boldnews.al/
Discussion about this post