Prej fundit të viti 2021 çmimet e ushqimeve, karburanteve dhe energjisë në vendin tonë kanë pësuar rritje të menjëhershme dhe shumë të lartë. Qeveria është justifikuar shpesh herë se kjo ndodh për shkak të luftës dhe se çmimet janë rritur në çdo vend të botës. Por, ndryshe nga qeveritë e vendeve të tjera, qeveria jonë nuk ka bërë asnjë ulje takse dhe asnjë reduktim të TVSH për shportën bazë të ushqimeve. Edhe Bordi i Transparencës që u ngrit për të vendosur nivelin e çmimeve dhe mos lejuar abuzimet, me vendimet e tij i ka çuar çmimet në shifra rekord, duke iu dhënë familjeve shqiptare goditjen e fundit drejt varfërisë ekstreme.
Por, ndërkohë që çmimet rriten, qytetarët varfërohen, arka e shtetit fryhet dhe investimet vazhdojnë të jenë minimale. Këtë e tregojnë të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave përmes raportit të të dhënave paraprake të buxhetit për 5 mujorin e këtij viti. Nga tabelat e publikuara rezulton se në raport me vitin që shkoi në periudhën janar-maj 2022 janë grumbulluar 42 miliardë lekë më shumë të ardhura. Ndërsa në raport me parashikimin e qeverisë për këtë periudhë, me të dhëna fakt janë mbledhur 36 miliardë lekë më shumë.
“Të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 233.3 miliardë Lekë ose 107 % të planit të 5-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 41.8 miliard lekë”, thuhet në raport. Pra rritja e çmimit të naftës dhe ushqimeve i tejkaloi pritshmëritë e qeverisë, duke bërë që arka të mbushet plot nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Fryhet arka nga paratë e familjarëve
Ndërkohë ajo që bie në sy nga të dhënat e publikuar është se një kontribut të madh në arkën e shteti kanë dhënë të ardhurat personale. Çka do të thotë detyrimet që janë paguar nga familjarët dhe pagat e qytetarëve, të cilat në këto ditë nuk po arrijnë të mbulojnë shpenzimet bazë. Konkretisht, në periudhën janar-maj tatimi nga të ardhurat personale ka grumbulluar 19 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar, ndërsa në raport me parashikimin fillestar të këtij vitin janë mbledhur 9.3 miliardë lekë më shumë. Gjithashtu, edhe tatim fitimi që paguhet nga bizneset ka pasur një rritje të lartë. Konkretisht për 5 mujorin e këtij viti regjistrohen 5.8 miliardë lekë më shumë.
“Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 19.1 miliardë lekë, 3.1 miliardë lekë ose 19.1% më shumë se 5 mujori 2021, si dhe 927 milionë ose 5.1% më shumë se plani i 5 mujorit 2022. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 20.8 miliardë lekë, 5.6 miliardë lekë më shumë se 5 mujori 2021, si dhe 5.8 miliardë lekë ose 38.7% më shumë se plani i vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 5 mujorin 2022 u realizuan në masën 120.9 miliardë lekë, 22.1 miliardë ose 22.3% më shumë se 5 mujori i vitit të kaluar, si dhe 8.8 miliardë lekë, ose 7.9% më shumë se plani i 5 mujorit 2022”, thuhet në raport.
Investimet në pikiatë
Ndërkohë që të gjithë indikatorët e tjerë të arkës së shtetit janë rritur, madje duke tejkaluar dhe parashikime e vetë politikëbërësve, investimet mbeten të papërfillshme. Në të dhënat e publikuar nga MFE duket një diferencë e madhe mes rritjes së të ardhurave me shpenzimet, që duhet të përktheheshin në investime. Pasi të ardhurat, nga taksat e vjela, u rritën me 42 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet për qytetarët vetëm me 2 miliardë lekë.
“Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 5 mujore të vitit 2022, arritën në rreth 213.4 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë regjistron më shumë 1.28 miliard lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 5 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 33.5 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 33 përqind të planit vjetor sipas Aktik Normativ nr.3, datë 12.03.2022 (AN nr.3)”, citohet në raport.
Logjikisht në këto krizë, ashtu sikur kanë sugjeruar shpesh ekspertët, të dhënat tregojnë se buxheti i shtetit të këtij viti do rishikohet në drejtim të rritjes të mëtejshme të ardhurave buxhetore, dhe ndërkohë ka hapësirë për rritjen e mbështetjes jo vetëm të shtresave në nevojë, fermerëve që janë prekur dukshëm nga rrija e çmimeve, por dhe shtresave të tjera të popullsisë për të cilët ishte parashikuar për vitin 2022 rritje e pagës.
Asnjë mbështetje për qytetarët
Faktet flasin për një rritje më të shpejtë të të ardhurave, kështu që edhe rritja e pagave për disa kategori të caktuara apo u ndihmës sociale duhet të ndodh më shpejtë dhe në vlerë më të përfillshme. Kjo për shkak se në kohë krize, të gjithë qytetarët po paguajnë detyrimet edhe më lart se një vit më parë, ndërsa kur vjen çështja tek investimet qe jep qeveria, jemi në luftë. Qytetarët kanë kosto më të larta sot, për rrjedhojë kërkohet një rritje më e madhe se sa ajo e parashikuar në buxhetin fillestar dhe kjo është e mundshme me të ardhurat e realizuara.
Natyrisht përcaktimi i paketës së dytë të Rezistencës Sociale nuk është aq e lehtë dhe për disa kategori ishte ndihmuese, por jo e mjaftueshme Në sektorin privat vihet re se ka disa degë dhe biznese që kanë përfituar nga rritja e çmimeve në tregu ndërkombëtar duke realizuar një rritje të mirë të eksportit në vlerë. Por, deri tani nuk ka patur lajme për kompanitë për rritje të madhe të eksportit, bizneset kanë shpërndarë ndaj punonjësve të tyre një pjesë të të ardhurave shtesë. Por në mjaft degë që janë prekur nga rritja e çmimeve edhe në sektorin privat me sa duket kërkohet mbështetje buxhetore për punonjësit e tyre. Pra, nëse vazhdojmë në këto kushte edhe Paketat Rezistenciale mbeten vetëm fiktive dhe pa asnjë efekt real.
Discussion about this post