Deputeti demokrat, Belind Këllëçi, ka folur për zgjedhjet brenda Partisë Demokratike. I ftuar në emisionin ‘Kontrast’, deputeti demokrat tha se emra jashtë kësaj force politike, e sulmuan atë për të frenuar zgjedhjen e tij si nënkryetar i PD-së.
Sipas Këllëçit, edhe pse ai ishte më i votuari për anëtar të Kryesisë, “xhelozia” arriti të bindë demokratët që votuan për drejtuesit e lartë të PD-së. Me këto akuza, Këllëçi i referohet Evi Kokalarit, e cila prej një kohe të gjatë e sulmon publikisht duke kërkuar që deputeti të mos mbështetet nga demokratët.
“Dihet që në partitë politike fenomeni i xhelozisë është një fenomen vendimtar në momente të caktuara. Fakti që unë dola më i votuari për anëtar Kryesie xhelozoi jo pak njerëz dhe pati një lobim negative kundër emrit tim personal me njerëz jashtë Partisë Demokratike. Këta njerëz bombarduan opinionin publik me akuza dhe shpifje nga më të ndryshmet. Kjo, sepse mllefi ndaj të rinjve në politikë vijon prej disa emrave. Unë jam një njëri i bërë në politikë dhe nëse i kam dikujt detyrim për atë ku jam sot, ky është Forumi Rinor i Partisë Demokratike” – tha Këlliçi.
I pyetur për gjendjen e Partisë Demokratike, ku deputetët janë të ndarë në dy grupime, ai u shpreh se habitet me pozicionimin e Enkelejd Alibeajt. Sipas tij, Alibeaj është kthyer në një zëdhënës të Qeverisë.
“Një pjesë e deputetëve të PD që vijojnë të bëjnë lojën e Edi Ramës, të kryesuar nga zoti Enkelejd Alibeaj, nuk e kuptojnë faktin dhe realitetin politik brenda Partisë Demokratike. Ky realitet është i pamohueshëm. Që një pjesë e Grupit Parlamentar të mos njohë vullnetin e shumicës, mua kjo më duket vetëvrasje politike dhe në rastin më të keq shërbim ndaj qeverisë. E pyes veten shpesh herë përse i shërben Edi Ramës dhe nuk e gjej dot shpjegimin. Me çudit sesi një person që vjen nga shtresa e ish të përndjekurve politikë të bëjë zëdhënësin e Qeverisë” – deklaroi Këlliçi.
Duke u ndalur tek mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, deputeti i PD-së u shpreh se e përkrah si iniciativë, por marrëveshjet duhet të konkretizohen. Këlliçi u shpreh se bashkimin me Kosovën e përkrah vetëm në kuadrin e anëtarësimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.
Discussion about this post